Prodhuar nga Lampic Film dhe paraqitur nga Rai Documentari, do të transmetohet të dielën e Pashkëve, më 5 prill, në Rai Uno. Më 24 mars, në Casa Dono di Maria, do t’i paraqitet shtypit.
“Madre Teresa a Roma” është titulli i dokumentarit, prodhuar nga Lampic Film e paraqitur nga Rai Documentari. Tregon historinë e një përvoje unike e të jashtëzakonshme: zbulimin e varfërisë në Romë dhe "lapsin e vogël të Zotit".
Portret i paparë
Në transmetim të Dielën e Pashkëve, më 5 prill, në Rai Uno, si pjesë Speciale e Tg1, dokumentari paraqet një pjesë të panjohur më parë të veprës të Nënë Terezës së Kalkutës, pasuruar me dëshmi të shumta nga periferitë e varfra të kryeqytetit italian. Shenjtorja paraqitet në natyrën e saj, si grua me besim të palëkundur e me vepra të jashtëzakonshme, por thellësisht njerëzore e pranë brishtësisë së botës. Përmes një stili modern e plot me gjallëri,dokumentari sjell në jetë, jetën e përditshme të Nënë Terezës e të motrave të saj të reja në Romë, duke rikthyer në jetë atmosferën unike të atyre viteve.
Materiale të panjohura
Filmi përmban materiale të panjohura më parë, nga prania e Nënë Terezës në Romë: filma amatorë krijuar nga familjet romake në vitet 1970 dhe fotografi të panjohura më parë. Interesante se disa nga fotografitë e para të Nënë Terezës në Acquedotto Felice u bënë nga Enrico Zuppi, babai i Kardinalit aktual Matteo Zuppi, president i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI). Ishte gazetar dhe fotograf i njohur katolik, që e drejtoi L'Osservatore della Domenica për më shumë se tridhjetë vjet.
Paraqitja
Nënë Tereza në Romë do të prezantohet nesër, të martën, më 24 mars, në Casa Dono di Maria në Piazza del Sant'Uffizio. Do të flasin: Ati Brian Kolodiejchuk, postulator i Çështjes së Lumnimit dhe Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, Luigi Del Plavignano, Drejtor i Rai Documentari; Ati Sergio Mercanzin si dhe Antonio Farisi, autor dhe regjisor dhe disa murgesha Misionare të Bamirësisë, që punojnë në 18 komunitete në Itali, duke nisur nga Roma, ku ndodhet selia e urdhrit të tyre, themeluar nga Nënë Tereza në vitin 1950. Do të jetë e pranishme edhe aktorja Sarita Agnes Rossi, emri i së cilës, "Agnes", tingëllon i lidhur fort me emrin e Nënë Terezës, ndërsa aktorja Stefania Bogo do të drejtojë konferencën./Radio Vatikani