“Logu i Bjeshkëve”, një nga festat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, mblodhi edhe këtë vit qindra vizitorë në zemër të Alpeve Shqiptare, në Kelmend të Malësisë së Madhe.
Nën tingujt e muzikës tradicionale, vajza të veshura me kostume popullore dhe xhubletën e rrallë shqiptare parakaluan para publikut, duke sjellë vlerat, bukurinë dhe identitetin e zonës.
Aktiviteti, i cili prej dekadash ruan dhe promovon traditat e Malësisë, u kthye në një festë të vërtetë të kulturës dhe turizmit.
“Mund të them në rajon, po edhe më gjanë, një ndër festat kryesore të Shqipërisë, siç kena malet dhe vendin. Malësorët janë edhe krenarë, janë edhe shumë të mirë.”, tha Tonin Marinaj Kryetar i Bashkise Malësi e Madhe.
Në edicionin e këtij viti, titulli “Miss Bjeshka 2026” iu akordua Leondina Elezit, e cila u vlerësua nga juria për prezantimin dhe përfaqësimin e denjë të traditave të trevës.
“Më së shumti lumturia dhe krenaria. Njëherë për veshjen që e kam veshur, e cila është përcjellur me shembuj edhe në anë tjetër, për detajet që janë dhe duart që e ka bërë këndveshje. Konkurrentet e tjera ishin gjithashtu vajza dhe zona, e besoj se dhe juria ka pasur shumë mendim të vështirë. E unë kam marrë këto vetëm për një eksperiencë të re. Nuk e kam pritur këtë çmim.”, tha ajo.
Përveç garës së vajzave malësore, “Logu i Bjeshkëve” ofroi dhe një program të pasur artistik me këngë, valle dhe aktivitete që promovojnë trashëgiminë kulturore të Malësisë së Madhe.
Festa vazhdon të mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme verore, duke tërhequr vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë./rtsh.al/ KultPlus.com