Kard. Czerny: në epokën e IA-së, t’i edukojmë të rinjtë të kërkojnë të vërtetën
Kard. Czerny: në epokën e IA-së, t’i edukojmë të rinjtë të kërkojnë të vërtetën 25.11.2026 | 01:53
Kardinali, i cili drejton Komisionin Ndërdikasterial për Inteligjencën Artificiale, foli më 23 nëntor në ditën e studimit të organizuar nga Universiteti Papnor i Lateranit, kushtuar enciklikës “Magnifica humanitas”. Ai përvijoi udhën e përvujtërisë, së vërtetës dhe të dëshirës për paqe, për t’iu kundërvënë rrezikut të dijes sipërfaqësore dhe ideologjike, që, nganjëherë, favorizohet nga teknologjia.
 
“Cilat janë vendimet, që duhen marrë për të ndërtuar të ardhmen?” Pyetja në themel të enciklikës së parë të Leonit XIV, Magnifica humanitas, u rikujtua nga kardinali jezuit Michael Czerny, prefekt nderi i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, si edhe koordinator i Komisionit Ndërdikasterial për Inteligjencën Artificiale, ngritur majin e kaluar pranë të njëjtit Dikaster. Kardinali foli më 23 nëntor, në Universitetin Papnor të Lateranit, gjatë ditës së studimit të organizuar nga Katedra Ndërdisiplinore Gloria Crucis, kushtuar tekstit papnor mbi “mbrojtjen e njeriut në epokën e inteligjencës artificiale”.
 
Arsimi, vendi i privilegjuar për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët
 
Në ndërhyrjen e tij, me titull “Të këputim zinxhirët e skllavërisë së re në epokën e IA-së”, kardinali u nis nga një parim themelor: arsimi është “vend i privilegjuar formimi” për të gjithë ata, që dëshirojnë të ndërtojnë “një të ardhme të përbashkët”. Prandaj, është mirë që të gjithë – “si qytetarë dhe si besimtarë” – të pyesin nga duhet ta drejtojnë shikimin: drejt një bote, që dëshiron të dëshmojë se nuk ka nevojë për Hyjin, apo drejt qytetit të paqes dhe qytetërimit të dashurisë? Ky është një shqetësim themelor në epokën e sotme postmoderne, e përshkuar “tërthorazi” nga IA-ja dhe nga “sfidat e pafundme”, që ajo paraqet sidomos për të rinjtë.
 
Përvujtëria intelektuale
 
Çfarë duhet të bëjmë, pra, për të nxitur një formim të gjithanshëm sot? Kardinali Czerny vuri në dukje tri koncepte kyçe: përvujtërinë intelektuale, dashurinë për të vërtetën dhe dëshirën për paqe. Lidhur me pikën e parë, kardinali pranon “lehtësinë” dhe “shpejtësinë” me të cilat teknologjitë e reja mundësojnë sot marrjen e “një sasie të pakufizuar informacioni”, duke krijuar te njerëzimi iluzionin se mund “ta trajtojë pa probleme një çështje”, thjesht, sepse ka lexuar ndonjë përmbledhje të saj, të përgatitur nga një makinë, e cila, për më tepër, “nuk është gjithmonë pa gabime”.
 
T’i integrojmë dijet për të mos mbetur në sipërfaqe
 
Nuk është kjo mënyra për ta kuptuar me të vërtetë realitetin, nënvizoi prefekti i nderit. Realiteti është shumë më i ndërlikuar dhe më i pasur me “nuanca të holla”, të cilat kërkojnë “një përpjekje të vërtetë” për të kërkuar zgjidhje të përshtatshme, edhe nëpërmjet “integrimit të dijeve”. Prej kësaj, ftesa për “përvujtëri intelektuale”, në mënyrë që “të mos mbetemi robër të sipërfaqes, të ideve të gatshme apo të përgjigjeve tepër të thjeshta”.
 
Kardinali Czerny vuri në dukje edhe rrezikun e “rrëshqitjes në ideologji”, ose atë të ngatërrimit të lajmeve të rreme (fake neës) me të vërtetën. 
 
Njohuritë e vërteta fitohen me durim dhe përgjegjësi
 
Përvujtëria duhet të shoqërohet edhe me ndjenjën e përgjegjësisë, “duke pranuar se nuk dimë gjithçka menjëherë”, si edhe me durimin, i cili është ilaç i vërtetë kundër “frazave me efekt” të mediave sociale. Të nxënit, pohoi më tej kardinali, është në të vërtetë “një rrugëtim i gjatë”, që kërkon kohë, pritje, mundim, dëgjim dhe përballje me tjetrin. Vetëm kështu zhvillohet “mendësia kritike” dhe dija “komunitare”. Vetëm kështu ndryshimi i teknologjisë nuk do të ndjekë ndonjë rrugë pashmangshmërisht të rrezikshme, por do t'u japë mundësinë sidomos të rinjve “të studiojnë dhe të kultivojnë marrëdhënie autentike”.
 
Dashuria për të vërtetën
 
Koncepti i dytë, në të cilin u përqendrua prefekti i nderit është dashuria për të vërtetën. Kështu thoshte Dante në Komedinë Hyjnore (“Ju le nuk keni për t’gjallue si shtasë, po për të ndjekë virtyt e dituni”) dhe këtë përsëriti kardinali Czerny: “Jemi krijuar për ta njohur të vërtetën dhe për ta dashur të mirën”. Kjo dëshirë “nuk është algoritëm”, por “parim universal, që mbështet qytetërimin” dhe i jep kuptim e domethënie gjithë realitetit. Sepse “e vërteta është pasuri e përbashkët dhe nuk është pronë e atyre, që kanë pushtet apo ndikim”.
 
Kemi të drejtë ta duam të mirën
 
Në këtë këndvështrim, kujtoi kardinali, spikat rëndësia e Doktrinës Shoqërore të Kishës, pasi ajo “ndihmon ndërgjegjen e besimtarit të shoshisë pasojat dhe përfshirjen e fesë në botën reale”. Prandaj, ai iu drejtua studentëve me këtë thirrje: “Din­jiteti juaj më i lartë qëndron në aftësinë për të njohur të vërtetën dhe për të dashur të mirën. Mos lejoni që asgjë dhe askush t'ju privojë nga kjo e drejtë”.
 
Dëshira për paqe
 
Së fundi, pika e tretë: dëshira për paqe. Nëse, siç paralajmëroi kardinali Czerny, në shekullin XVI filozofi annglez Bacon pohonte se “dija është pushtet”, sot dija është shndërruar në “mjet manipulimi”, ndërsa e vërteta “shtrembërohet”, “përdoret për përfitime personale”, ose shfrytëzohet si “armë kundër ndonjë armiku të supozuar”. Kardinali shprehu shqetësim të veçantë për “luftërat ideologjike”, të cilat e shtrembërojnë realitetin për qëllime propagandistike, duke e thjeshtuar atë për ta instrumentalizuar. Pikërisht këtu buron dëshira për paqe: jo vetëm si mungesë e konfliktit, por edhe – siç ka pohuar shpesh Leoni XIV – si “çarmatim i zemrës, i mendjes dhe i jetës”.
 
Rëndësia e marrëdhënieve njerëzore
 
Prandaj, misioni i edukimit sot është “t'i formojë të rinjtë që të kenë dëshira inteligjente dhe të përgjegjshme”, duke synuar kultivimin e “lirisë së tyre të brendshme” dhe nxitjen e “dashurisë për lirinë e të tjerëve”. Sepse, ritheksoi prefekti i nderit, është e vërtetë se “mjetet dixhitale premtojnë përgjigje të menjëhershme”, por është edhe më e vërtetë se “jeta e krishterë na edukon drejt një dëshire më të thellë: na e hap zemrën për të tjerët”. Pa këto marrëdhënie, “kuptimi i realitetit mbetet i varfër”.
 
Universiteti si bashkësi e gjallë
 
Në përfundim, kardinali Czerny citoi një pjesë të fjalimit të mbajtur nga Papa më 13 nëntorin e kaluar në Çiklayo, në Peru:
 
“Universiteti dhe, në veçanti, universiteti katolik – tha Papa, gjatë takimit me botën akademike në Universitetin Katolik ‘Santo Toribio de Mogrovejo’ – është një bashkësi e gjallë, ku kërkimi i së vërtetës bëhet akt dashurie dhe shërbimi për familjen e madhe njerëzore. Duke ju përfshirë ju, të rinjve, si protagonistë, cilësia e formimit akademik matet para së gjithash me aftësinë për t'ju bërë gra dhe burra të urtë, të ndershëm dhe të matur”./Radio Vatikani