Atletja më e mirë shqiptare, Luiza Gega, vrapoi të dielën për herë të parë në Maratonën e Prishtinës. Për 35-vjeçaren ishte vetëm maratona e dytë në karrierë.
Gega e fitoi pa telashe vrapimin në 42 kilometra e 195 metra. Madje nuk kishte konkurrencë në mesin e vrapuesve. Gega fitoi me kohë prej 2 orë, 35 minuta e 7 sekonda. Pas saj ishin tri keniase. Mercy Chemutai kishte kohën më të mirë prej tyre, 2 orë, 46 minuta e 17 sekonda. Pra ajo mbeti plot 11 minuta pas atletës shqiptare.
Gega ka tituj të Evropës në vrapimin në 3000 metra me pengesa. Medalje të artë ka fituar edhe në Lojëra Evropiane e Lojëra Mesdhetare. Ka paralajmëruar më shumë gara në vrapime të rrugës.
“Është kënaqësi shumë e madhe. Nuk jam shumë për maratonë, por mendoj se ka ardhur koha të testohem në garat e rrugës. Ky është një fillim i ri për mua. Sot vendosa rekord shtetëror për Shqipërinë. E shijova shumë itinerarin e garës. Organizimi ishte shumë i mirë. Kishte shenja treguese, polici. Prisja konkurrencë më të madhe. Vajzat nga Kenia janë shumë të mira. Kam vrapuar me një vajzë që ishte në 21 kilometra, kur ajo u kthye më erdhi keq të ulja ritmin dhe vazhdova. Sot më shumë erdha për ta përshkuar distancën. Në kilometrin e 35-të pata pak vështirësi, por që e kalova.
Kjo është maratona ime e dytë në karrierë, por jo edhe e fundit. Do të jem në Tiranë muajin tjetër”, ka thënë Gega.
Fitorja e Gegës ishte risia e vetme në edicionin e 23-të të Maratonës së Prishtinës. Kjo garë për kohë të gjatë ishte gjysmëmaratonë, por u shndërrua në maratonë disa vjet më parë.
Sipas organizatorit ishin mbi 1000 pjesëmarrës në të gjitha disiplinat. Si zakonisht kanë dominuar vrapuesit nga Kenia. Këtë herë Gega ndërpreu dominimin e plotë të tyre.
Te vrapuesit katër më të mirët ishin nga Kenia. Të gjithë janë pjesë e klubit Benedek nga Hungaria. Pjesë e këtij klubi janë edhe tri keniaset që mbetën pas Gegës.
Kiptoo Kimaiyo u shpall kampion te vrapuesit me kohë prej 2 orë, 20 minuta e pesë sekonda. Ai në cak hyri së bashku me Laban Cheruiyot, që u rendit i dyti me kohë të njëjtë. Kjo dyshe u shkëput shumë herët në garë. Dhe fitoi në mënyrë komode.
Cosmas Kigen ishte i treti me kohë prej 2 orë, 28 minuta e 12 sekonda.
Siç ndodhë shpesh, asnjë vrapues i Kosovës nuk ishte në mesin e gjashtë më të mirëve.
Edhe në 21 kilometra kanë dominuar atletët kenias të klubit Benedek. Dy atletë e dy atlete nga Kenia ishin të parët.
U garua edhe në 10 kilometra, 5 kilometra dhe në 2 kilometra për fëmijë. Garë sipas traditës kishte edhe për personat me aftësi të kufizuara.
Nuk ka pasur risi sa i takon organizimit të garës. Për organizimin ka vazhdimisht kritika. Atletët kanë vrapuar derisa pranë tyre nuk është ndalur qarkullimi i veturave. Kanë lëvizur edhe njerëzit në shtegun që do të duhej të ishte i rezervuar për vrapuesit, ndërsa shikues të maratonës thuajse nuk ka pasur fare. Dhjetëra persona, kryesisht të përfshirë në organizim ishin në cak.
Kampionët në maratonë janë shpërblyer me nga 3000 euro. Për vendin e dytë janë ndarë nga 2000 euro, ndërsa për të tretin nga 1000. Për gjysmëmaratonë, shpërblimi për vendin e parë ishte 700 euro.