Sot, në orën 9.00, Leoni XIV vizitoi stacionin ushtarak të Castel Gandolfo-s, jo shumë larg Vilës Barberini, ku po kalon pushimet, si edhe kryesoi meshën në prani të ministrit italian të Mbrojtjes, Crosetto dhe komandantit të Karabinierëve, Luongo: në këto kohë lufte dhe dhune, përgjigjjuni krimit me forcën e ligjit dhe të ndershmërisë.
"Sidomos në këto kohë lufte dhe dhune, qëndrojini besnikë betimit tuaj: si shërbëtorë të shtetit, përgjigjjuni krimit me forcën e ligjit dhe të ndershmërisë". Kështu u tha Papa Leoni XIV karabinierëve, në homelinë e meshës së kremtuar sot paradite, në orën 9.00, në kapelën e Komandës së Karabinierëve në Castel Gandolfo, jo shumë larg Vilës Barberini, ku po kalon pushimet. Ati i Shenjtë i ftoi që "përballë padrejtësive, të cilat e dëmtojnë rendin shoqëror", të mos i dorëzohen "tundimit për të menduar se e keqja mund të mbizotërojë".
Maria, Virgo Fidelis, Pajtorja e karabinierëve
Në kremtim morën pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, komandanti i përgjithshëm i Karabinierëve, Salvatore Luongo, së bashku me Ordinarin Ushtarak të Italisë, kryeipeshkvin Gian Franco Saba. Duke kujtuar 75-vjetorin e shpalljes së Shën Marisë – Virgo Fideli si Pajtore e Armës së Karabinierëve, Leoni XIV theksoi se në vitin 1949, pas tragjedisë së luftës, "në një periudhë rindërtimi moral dhe material", besnikëria e Marisë ndaj Zotit u bë "model i besnikërisë së çdo karabinieri ndaj atdheut dhe popullit".
“Ky virtyt shpreh përkushtimin, pastërtinë dhe qëndrueshmërinë e impenjimit për të mirën e përbashkët, që karabinierët e mbrojnë duke garantuar sigurinë publike dhe duke mbrojtur të drejtat e të gjithëve, veçanërisht të atyre në rrezik”.
Kur bëjmë vullnetin e Zotit, jemi vëllezër dhe motra të Krishtit
Ati i Shenjtë i falënderoi karabinierët edhe për impenjimin e tyre në mbrojtjen e shtegtarëve gjatë këtij Viti Jubilar dhe u kujtoi kolegët, që kanë dhënë jetën në shërbim, si Salvo d’Acquisto, për të cilin vijon procesi i lumnimit. Kujtojmë se ai u vra nga nazistët në vitin 1943 për të shpëtuar një grup civilësh.
Ndërkaq, në pjesën e parë të homelisë, Papa iu referua fjalëve të Jezu Krishtit në Ungjillin sipas Mateut: "Kushdo që bën vullnetin e Atit tim në qiell, është vëllai, motra dhe nëna ime." Leoni XIV sqaroi se ky është kuptimi i krishterë i fjalëve "vëlla" dhe "motër", "një lidhje më e fortë se gjaku, sepse na përfshin të gjithëve". Jemi vërtet vëllezër dhe motra të Jezusit, kur bëjmë vullnetin e Zotit, pra, kur jetojmë duke e dashur njëri-tjetrin, nënvizoi Ati i Shenjtë.
“Çdo marrëdhënie që Zoti përjeton, në vetvete dhe për ne, bëhet kështu dhuratë: kur Biri i tij i vetëm bëhet vëllai ynë, Ati i tij bëhet Ati ynë, dhe Shpirti Shenjt, që bashkon Atin dhe Birin, vjen të banojë në zemrat tona”.
Shën Augustini: Maria, më parë dishepulle e, më pas, nënë
Dashuria e Zotit, vazhdoi Papa në homeli, është aq e madhe "saqë Jezusi nuk e mban as nënën e tij për vete, duke e lënë Marinë si nënën tonë në orën e kryqit" nëpërmjet dishepullit të tij të dashur Gjonit. E Ati i Shenjtë kujtoi komentin e Shën Augustinit mbi këtë fragment ungjillor: "Vlen më shumë për Marinë fakti se ka qenë dishepulle e Krishtit sesa fakti që ka qenë nëna e Krishtit". Në të vërtetë, "Maria ishte e lume, sepse e dëgjoi fjalën e Zotit dhe e vuri në jetë".
“Kuptimi i jetës së Marisë ruhet në besnikërinë ndaj Fjalës së marrë nga Zoti: Fjalës së jetës që ajo e mirëpriti, e mbajti në kraharor dhe ia dha botës”.
Historia e Stacionit dhe e kapelës së tij
Ndërtesa e Stacionit të Karabinierëve dikur ishte pjesë e kompleksit të vilave të jezuitëve, banesa që Selia e Shenjtë ua dha për përdorim edhe individëve privatë dhe Shoqërisë së Jezusit. Në vitin 1667, rektori i shtëpisë së novicëve të Shoqërisë së Jezusit në Romë e pati blerë vilën nga kolegji irlandez. Ndërmjet viteve 1707 dhe 1709, jezuitët ndërtuan pjesën e dytë të pallatit, me një strukturë qendrore që e lidh atë me strukturën origjinale. Ky ndërtim i ri përfshin gjithashtu kapelën e njohur si “e Ibernesëve”, e emërtuar sipas kolegjit irlandez, pronarit të mëparshëm të vilës.
Kapela u vizitua në vitin 1741 nga Papa Benedikti XIV, i cili kremtonte meshën, gjithmonë të martave. Në vitin 1757, filluan punë të mëtejshme për të përfunduar pallatin dhe kapelën, ku u ngritën pesë altarë. Në të njëjtën periudhë daton edhe zbukurimi me piktura i kapelës./Radio Vatikani