Bisedë telefonike, këtë mëngjes, pas sulmit ushtarak kundër Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza. Papa theksoi sërish shqetësimin për "situatën dramatike humanitare" në Rripin e Gazës dhe ripohoi urgjencën për të mbrojtur vendet e kultit dhe të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael.
Papa mori një telefonatë, këtë mëngjes, në rezidencën e Castel Gandolfos, nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, "pas sulmit ushtarak të ushtrisë izraelite që ndodhi dje dhe goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e të tjerëve, disa rëndë". Kështu bën të ditur një komunikatë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Gjatë bisedës, Leoni XIV "ripohoi thirrjen e tij për t'i dhënë një shtysë të re negociatave dhe për të arritur armëpushimin dhe fundin e luftës". Papa shprehu gjithashtu "shqetësimin e tij për situatën dramatike humanitare të popullsisë në Gaza, çmimi i tmerrshëm i së cilës paguhet veçanërisht nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët". Së fundi, përfundon komunikata, Papa Leoni XIV "ripohoi urgjencën për të mbrojtur vendet e kultit dhe mbi të gjitha besimtarët dhe të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael"./Radio Vatikani