Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Kosova e Kadaresë”, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare – Bashkia Tiranë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.
Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministrja e Kulturës së Shqipërisë, Nora Arapi, theksoi rëndësinë e kontributit të Kadaresë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në mbrojtjen e së drejtës së popullit të saj për liri. Ajo bëri të ditur se ekspozita përfshin letra, fotografi, dorëshkrime, botime dhe objekte nga fondi personal i shkrimtarit, si dhe materiale nga fondet e Muzeut, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, duke u mundësuar vizitorëve të njihen më nga afër me lidhjen e tij me Kosovën.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi se Kosova për Kadarenë nuk përfaqësonte një realitet të largët apo thjesht një temë letrare, por ishte e pranishme në të gjitha qëndrimet dhe angazhimet e tij publike si çështje identiteti dhe lirie. Sipas Malajt, Kadare ishte ndër personalitetet kyçe që ndihmuan në përcjelljen e së vërtetës për Kosovën përtej kufijve, duke dëshmuar se angazhimi intelektual dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor janë të pandashme nga vepra e tij.
Ismail Kadare (1936–2024) është figura më e shquar e letërsisë shqipe dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore botërore. I lindur në Gjirokastër, ai arriti të kapërcejë kufijtë e izolimit komunist përmes fjalës së tij artistike, duke u bërë zëri më i fuqishëm kulturor i shqiptarëve në botë.
Suksesin e tij të parë ndërkombëtar e shënoi romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), i cili u përkthye në dhjetëra gjuhë dhe e bëri atë të njohur globalisht. Ndër veprat e tij më kapitale radhiten “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Ura me tri harqe” dhe “Pallati i ëndrrave”, ku ai ndërthuri me mjeshtëri mitologjinë, historinë ballkanike dhe alegorinë kundër totalitarizmit. Kadare i kushtoi vëmendje të veçantë edhe historisë e të drejtave të Kosovës nëpërmjet veprave si “E penguara” dhe sprovave të tij publike e politike.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai u vlerësua me çmime me peshë ndërkombëtare si Man Booker International, Princi i Asturias dhe Neustadt, ndërkohë që për dekada me radhë qe kandidat kryesor për Çmimin Nobel në Letërsi. Trashëgimia e tij letrare mbetet gur themeli i identitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare.