Një gjest i përfaqësueses së Malit të Zi në konkursin ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universe 2026” ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale.
22-vjeçarja Maria Aleksandra Ivezaj, gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare, të mbajtur më 21 nëntor në San Juan të Porto Rikos, bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, që lidhet me identitetin kombëtar shqiptar.
Veprimi i saj nuk kaloi pa u vënë re, pasi Ivezaj garon në këtë konkurs ndërkombëtar duke përfaqësuar Malin e Zi, ndërsa shqiponja dykrenare është një nga simbolet më të njohura të identitetit shqiptar.
Pas prezantimit në skenë, modelja publikoi edhe fotografi me kostumin kombëtar në profilin e saj në Instagram, ku shfaqet duke bërë të njëjtin simbol.
Gjesti u komentua gjerësisht në rrjetet sociale dhe u pasqyrua nga disa media rajonale, të cilat e cilësuan veprimin si një skandal.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim se përfaqësuesja malazeze kishte si qëllim të përcillte një mesazh politik apo të shprehte ndonjë qëndrim të caktuar përmes këtij gjesti.