Loriana Kuka e ka fituar medaljen e artë në Sarajevo European Open 2022, pasi e mundi në finale xhudisten italiane Linda Politi të dielën.
Xhudistja kosovare Kuka është kampione e European Open 2022 në kategorinë -78 kilogramë, raporton Gazeta Express.
Pas një lufte të barabartë në kohën e rregullt dhe me asnjërën xhudiste në gjendje të shënojë pikë, fituesja e medaljes së artë u desh të përcaktohej me atë që njihet si pika e artë.
Kosovarja ia doli të shënojë pikë të artë ëaza-ari për ta mposhtur italianen pas një minute 49 sekondave.
Kuka, për të cilën kjo ishte medalja e parë këtë vit, e nisi garën duke e kaluar rrethin e parë pa luftë.
Por 24-vjeçarja, e 32-ta në botë, ishte e pandalshme në katër luftërat gjatë rrugës së saj drejt medaljes së artë në Bosnje.
Kuka vuajti për ta kaluar turken Serdem Daharli në një luftë të ashpër në rrethin e dytë.
Pastaj asaj iu deshën vetëm 24 sekonda për ta mundur Lieke Derks nga Holanda në cerekfinale.
Një betejë tjetër e vështirë e priti kosovaren në gjysmëfinale kundër kroates Petrunjela Pavic të cilën e përgjaku për ta siguruar finalen në fund.
Kosova u përfaqësua edhe nga Shpati Zekaj dhe Arbër Kullashi në këtë garë, të cilët nuk ia dolën të fitonin medalje.
Derisa Zekaj ishte afër medaljes së bronztë, Kullashi u rrëzua nga gara shumë herët. /Gazeta Express/