Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri të plotë për t’u takuar me partitë politike kurdo që ato e konsiderojnë të nevojshme.
Megjithatë, deri më tani, asnjëra prej partive politike nuk ka kërkuar zyrtarisht përfshirjen e Presidentes në ndonjë proces apo iniciativë konkrete.
“Presidentja Osmani u ka ofruar partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë që kurdo që ata e shohin të nevojshme, ajo mund t’i presë për konsultime. Deri tani asnjë nga partitë nuk ka kërkuar involvimin e Presidentes”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.
Gjatë së premtes seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka përjetuar një tjetër dështim, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e kryetares së Kuvendit për herë të katërt radhazi.
Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga deputetët, duke mbajtur një mbështetje prej vetëm 57 votash, nga 61 që janë të nevojshme. Në këtë seancë, e cila pati 118 deputetë të pranishëm, votimi ka pasur 47 deputetë që kanë votuar kundër dhe 3 që janë abstenuar./Indeksonline/