E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka mirëpritur Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe të NATO-s, David Baker, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Përveç Prattipatit, në njoftim bëhet e ditur se Baker do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.
“Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Baker pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, ku do të diskutohen aspektet e bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Amerikës në Kosovë.
Para ca javësh në vizitë të rëndësishme erdhi edhe Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, i cili u takua me gjithë spektrin politik në Kosovë.