Ibri nuk është armë: Vuçiqi hap një front të ri ndaj Kosovës
Ibri nuk është armë: Vuçiqi hap një front të ri ndaj Kosovës 11.08.2026 | 03:24
Nga Rafael Floqi
 
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka futur në fjalorin e presionit politik edhe një element tjetër: ujin. Më 9 gusht 2026, Vuçiq deklaroi publikisht se Serbia kishte thirrur ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Pastaj erdhi fjalia që e nxori deklaratën jashtë çdo kornize thjesht teknike: “Do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen.” Një ditë më vonë ai u përpoq ta zbuste qëndrimin, duke thënë se nuk po kërcënonte askënd dhe se Serbia po merrej vetëm me rrjedhat ujore në territorin e vet.
 
Fjala Ibar nuk është “përkthimi” serb i një fjale me kuptim të veçantë serbisht; është forma serbe e një emri të vjetër gjeografik iliro dardan. Shqipja përdor formën Ibër, ndërsa serbishtja Ibar.
 
Por pikërisht këtu fillon problemi. Ibri nuk është një rubinet në oborrin e Beogradit që mund të hapet apo mbyllet sipas humorit politik. Është një lumë ndërkufitar dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të trajtohet sipas parimit: “Jam sovran, prandaj bëj çfarë dua”. Kur ndërhyrja mbi një burim natyror brenda një shteti prodhon pasoja të konsiderueshme përtej kufirit, sovraniteti territorial nuk është më argumenti i vetëm. Aty fillojnë përgjegjësia, bashkëpunimi dhe e drejta ndërkombëtare.
 
Sovraniteti nuk është licencë për të mbyllur ujin
 
Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq reagoi ndaj ministrit shqiptar Ferit Hoxha duke deklaruar se Serbia është shtet sovran dhe do të vendosë vetë si t'i menaxhojë burimet e saj natyrore. Në pamje të parë, ky tingëllon si argument juridik. Në realitet është vetëm gjysma e së vërtetës. Serbia është sovrane mbi territorin e saj, por sovraniteti territorial nuk i jep një shteti të drejtë absolute për të ndërmarrë veprime brenda kufijve të vet kur pasojat e tyre të konsiderueshme kalojnë përtej kufirit. Nëse logjika e Beogradit do të pranohej si absolute, çdo shtet në rrjedhën e sipërme të një lumi do të mund ta devijonte, ndotte apo shteronte atë dhe pastaj t'i thoshte fqinjit: “Mos ndërhy, është çështja ime e brendshme”.
 
Pikërisht për të shmangur një situatë të tillë është zhvilluar e drejta ndërkombëtare e ujërave, e mbështetur mbi parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, parandalimit të dëmit të konsiderueshëm ndërkufitar, bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit. Pra, pyetja nuk është vetëm se ku mund të ndërtojë Serbia një kanal, digë apo vepër hidroteknike. Pyetja është se çfarë pasoje do të prodhonte ajo ndërhyrje në Kosovë.
 
Nëse ndryshimi i rrjedhës do të zvogëlonte ndjeshëm prurjet drejt Ujmanit, do të prekte furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë apo ekosistemin, nuk do të kishim më vetëm një projekt të brendshëm serb, por një problem të drejtpërdrejtë ndërkufitar.
 
“Të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët” – fjalia që ndryshon gjithçka
 
Pikërisht këtu deklarata e Vuçiqit merr peshën e saj më shqetësuese. Nëse presidenti serb do të kishte folur vetëm për një studim teknik për nevojat ujore të Serbisë, çështja do të mund të trajtohej fillimisht si debat hidrologjik. Por kur ndryshimi i rrjedhës shoqërohet me fjalët “pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët”, uji lidhet drejtpërdrejt me reagimin politik të palës tjetër. Në këtë kontekst, ai rrezikon të paraqitet jo vetëm si burim natyror, por si levë presioni politik.
 
Për Kosovën kjo nuk është çështje abstrakte. Ibri furnizon sistemin e Ujmanit dhe Ibër-Lepencit, i cili lidhet drejtpërdrejt me ujin e pijshëm, energjinë, industrinë dhe bujqësinë. Ujmani nuk është një pellg politik dhe Ibër-Lepenci nuk është infrastrukturë dytësore. Ato janë arterie të një sistemi që furnizon qytetarët dhe ekonominë. Prandaj reagimi i Prishtinës dhe kërkesa që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë nuk mund të reduktohen thjesht në retorikën e radhës Kosovë–Serbi.
 
Hoxha flet për ligjin, Beogradi nxjerr “Shqipërinë e Madhe”
 
Ferit Hoxha e vendosi debatin aty ku duhej: në planin juridik ndërkombëtar. Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje ekskluzivisht e brendshme dhe uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik. Në vend që Beogradi t'i përgjigjej këtij argumenti me studime hidrologjike, të dhëna teknike dhe garanci se një projekt eventual nuk do të shkaktonte dëm ndërkufitar, reagimi serb kaloi shpejt në territorin e njohur të propagandës ballkanike: Kosova, sovraniteti serb, ndërhyrja shqiptare dhe, pothuajse pashmangshëm, “Shqipëria e Madhe”.
 
Edi Rama e kapi pikërisht këtë kontradiktë, duke ironizuar se debati filloi nga hidrologjia, kaloi në të drejtën ndërkombëtare, bëri ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, vazhdoi te “Kosova dhe Metohia” dhe përfundoi në muzeun e anktheve historike serbe. Përtej ironisë, argumenti është fare i thjeshtë: Shqipëria nuk ka nevojë të pretendojë territorin e Kosovës për të thënë se një lumë ndërkufitar duhet të trajtohet sipas normave ndërkombëtare. Për të kuptuar problemin nuk duhet një hartë e “Shqipërisë së Madhe”. Duhet vetëm një hartë hidrologjike.
 
Ibri nuk buron në Serbi – gjeografia që Beogradi nuk mund ta ndryshojë./Bota Sot