Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar proces të rivotimit për balotazhin në Mitrovicë të Jugut.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se do të ankohen në PZAP dhe do të kërkojnë rivotim.
“Sot do ta dërgojmë rastin në PZAP, dhe do kërkojmë që të administrohen kamerat që kanë qenë në klasë, nga Prokuroria. Ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë në rivotim. Këtë do e kërkojmë edhe nga PZAP”, tha Gruda në konferencë për media.
Ai ka theksuar dhe si fakt atë se Mitrovica ishte komuna ku pati më së shumti votime.
“Mitrovica është e vetmja komunë ku qytetarët dalin më së shumti në votime. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më serioz si në rezultate, ashtu edhe në proces. Këto janë shkelje të qarta të ligjit dhe ngrejnë dyshime të bazuara për lëndim të procesit zgjedhor dhe për aktivizim të “trenit bullgar”. Për ta vënë në funksion mjafton një fletëvotim, por janë gjetur disa fletëvotime”, tha Gruda.
Ndonëse nga KQZ u tha se bëhet fjalë për një gabim teknik, ai tha se kjo më së paku ka rëndësi dhe se askush nuk mund të thirret mbi këtë arsyetim.