Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) është bërë anëtare e Konfederatës së Bizneseve të Komunitetit të Vendeve Portugalishtfolëse (CE-CPLP), duke zgjeruar kështu rrjetin e saj të partneriteteve ndërkombëtare dhe duke hapur mundësi të reja për bizneset kosovare në hapësirën ekonomike të vendeve portugalishtfolëse, transmeton Gazeta Metro.
Anëtarësimi në këtë rrjet ndërkombëtar përbën një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e biznesit kosovar, duke krijuar mundësi për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, tërheqjen e investimeve dhe vendosjen e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të vendeve anëtare të CE-CPLP-së.
Ky zhvillim shkon përtej anëtarësimit institucional. Ai forcon përfaqësimin ndërkombëtar të Odës Ekonomike të Kosovës dhe zgjeron hapësirën për promovimin e produkteve dhe shërbimeve kosovare në tregje të reja, si dhe për krijimin e mundësive konkrete për bashkëpunim dhe investime.
Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe avancimin e interesave të bizneseve kosovare, duke synuar krijimin e mundësive të reja për zhvillim, rritje dhe konkurrueshmëri.
Mbrojtja, përkrahja dhe promovimi i biznesit kosovar nuk janë vetëm mision institucional, por edhe interes kombëtar./gazetametro.net