25 vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës
25 vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës 10.06.2024 | 03:34
Lufta e Kosovës mori fund më 10.06.1999, pasi NATO bombardoi pjesën e mbetur nga Jugosllavia. Ky ishte aksioni i parë luftarak i NATO-s pas mandat të OKB, që iu dha fund vrasjeve, por ndërhyrja mbeti e diskutueshme.
 
Lufta e Kosovës përfundoi më 10 shtator 1999. Atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve, të cilat kishin pushuar një ditë më parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike-Ushtarake në Kumanovë.
 
Dy muaj e gjysmë më parë, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, NATO kishin filluar bombardimet e para të caqeve në Jugosllavi (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi). Ishte ky misioni i parë luftarak i Aleancës së Mbrojtjes së Atlantikut të Veriut pa mandat të OKB-së dhe i pari me pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë. Ishte një shkelje e tabusë - për NATO-n për shkak të mungesës së një mandati të OKB-së dhe për publikun gjerman për shkak të përfshirjes së saj në një luftë. Qëllimi i NATO-s ishte të detyronte ushtrinë jugosllave të tërhiqej nga Kosova për të parandaluar dëbimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Kosovës që jetonin atje.
 
Refugjatë nga Kosova duke kaluar në pikën kufitare të Morinës, 4 maj 1999 
 
Parahistoria
 
Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1991 me shpalljen e pavarësisë nga Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia. Bosnjë-Hercegovina pasoi në vitin 1992. Serbia udhëhoqi ose nisi luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Heercegovinës, vetëm Maqedonia u kursye nga forcat serbe.
 
Edhe në Kosovë, shenjat e hershme tregonin për një përshkallëzim: qysh në vitin 1989, kryetari i Lidhjes së Komunistëve në Serbi, Sllobodan Millosheviq, i hoqi autonominë krahinës së Kosovës. Largimi i shqiptarëve nga administrata shtetërore dhe sektori publik (shëndetësia dhe arsimi) në Kosovë kishte filluar më parë dhe u zgjerua masivisht me heqjen e autonomisë. Për një kohë të gjatë pati rezistencë jo të dhunshme nga shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga shkrimtari Ibrahim Rugova, i cili më vonë u bë presidenti i parë i Kosovës.
 
Nga mesi i viteve 1990, përkrahësit e rezistencës së dhunshme kundër Serbisë u bënë gjithnjë e më popullore. Ata ishin organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Forca fillimisht e vogël u rrit shpejt dhe u shndërrua në një fuqi më të madhe në gjysmën e dytë të viteve 1990.
 
Lufta para bombardimeve të NATO-s
 
Këto forca ndërmorrën aksione kundër stacioneve dhe pikëve të tjera të policisë serbe, të cilave Beogradi iu përgjigj me ashpërsi disproporcionale. Konfliktet e armatosura u shndërruan në një luftë në Kosovë, në periudhën 1998/1999. Shkaku për ndërhyrjen e NATO-s është zbulimi i trupave të 40 shqiptarëve të vdekur kosovarë në fshatin Reçak në janar të vitit 1999. Vëzhguesit ndërkombëtarë të drejtuar nga Willian Walker folën për vrasje masive të civilëve, gjë që u mohua nga pushtetarët e Beogradit.
 
Konferenca e Rambujesë dhe fundi i diplomacisë
 
Negociatat e paqes mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u zhvilluan në Rambuje afër Parisit në shkurt 1999.
 
Bisedimet u mbajtën nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit. Këto ishin përpjekjet e fundit diplomatike të evropianëve dhe të SHBA-së për t'i detyruar shqiptarët dhe serbët e Kosovës t'i japin fund luftimeve me një marrëveshje.
 
Por negociatat dështuan. Një përpjekje e fundit nga i dërguari i posaçëm i SHBA Richard Holbrooke për të bindur njeriun e fortë të Serbisë Millosheviq të dorëzohej në Beograd dështoi po ashtu vetëm pak kohë para fillimit të bombardimeve.
 
Vizitë në varreza në ditën e të pagjeturve 
 
Polemika për mungesën e një mandati të OKB-së
 
Në prag të sulmeve ajrore të NATO-s, politikanët perëndimorë, duke përfshirë presidentin amerikan Bill Clinton në veçanti, e kishin akuzuar vazhdimisht Serbinë për planifikimin e gjenocidit në Kosovë. NATO nuk kërkoi një mandat të OKB-së për këto bombardime, sepse ekzistonte dyshimi se do të kishte dështuar për shkak të rezistencës nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për koalicionin e atëhershëm të qeverisë gjermane të përbërë nga socialdemokratët (SPD) dhe ekologjistët, pjesëmarrja në luftë me disa avionë luftarakë ishte një vendim delikat.
 
Pacifistët dhe mbështetësit e ndërhyrjes ishin kundër njëri-tjetrit në Gjermani.
 
I ashtuquajturi "plani patkoi" i Serbisë (për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova) kishte për qëllim t'i jepte qeverisë federale justifikimin e nevojshëm për pjesëmarrjen gjermane në luftën e Kosovës. Plani për të cilin flitej se ekzistonte në Beograd, kishte për qëllim të dëbonte popullsinë shqiptare përtej kufirit jugor të Kosovës në Shqipëri. Zyrtarisht nuk është konfirmuar nëse ky plan ka ekzistuar në të vërtetë. Por është e padiskutueshme se qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe kaluar në radhë të parë në Shqipëri e Maqedoni.
 
Dorëzimi i Millosheviqit
 
Shumica e ekspertëve sot pajtohen se bombardimet e NATO-s zgjatën më shumë se njëmbëdhjetë javë për shkak të llogaritjeve të gabuara reciproke të palëve. NATO ishte e bindur se Millosheviqi do të dërgonte sinjale për negociata pas disa ditësh bombardime.
 
Nga ana tjetër, në Beograd spekulohej se NATO do të dorëzohej dhe do të vinte një kompromis në tryezë. Në fund të fundit, Millosheviçi u dorëzua, ndoshta sepse Moska po ushtronte ndikim në Beograd. Rusia, e cila kishte vështirësi të mëdha ekonomike në atë kohë, kishte nevojë për bashkëpunim me Perëndimin, mendon edhe ish-përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, austriaku Wolfgang Petritsch.
 
Rezoluta 1244 e OKB-së dhe Marrëveshja e Kumanovës
 
Përfundimi i luftës u rregullua me dy akte juridike ndërkombëtare. Marrëveshja Teknike-Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, një qytet në atë që sot quhet Maqedonia e Veriut, parashikonte tërheqjen e ushtrisë jugosllave dhe forcave serbe nga Kosova. Përgjegjësia e sigurisë për rajonin kaloi me këtë Marrëveshje në duart e NATO-s. Marrëveshja parashikonte edhe çarmatimin e UÇK-së.
 
Një ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, të njohur edhe si Rezoluta e Kosovës. Ajo formoi bazën ligjore ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Rezoluta përcaktoi se Kosova do të mbetej pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë, ndonëse me autonomi shumë të gjerë. Për të krijuar një administratë civile, Kombet e Bashkuara krijuan UNMIK-un, një mision të përkohshëm të administratës ndërkombëtare. OKB-ja dërgoi forcën ndërkombëtare ushtarake të KFOR-it për të garantuar sigurinë në Kosovë. Por statusi përfundimtar i Kosovës mbeti i paqartë në këtë Rezolutë.
 
Pavarësia e Kosovës
 
Pas 78 ditësh, rreth 2.300 sulmeve ajrore dhe mijëra të vdekurve, ndërhyrja e NATO-s përfundoi. Lufta e Kosovës, e cila kishte filluar një vit e gjysmë më parë, mori fund.
 
Nëntë vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur dhe tani njihet nga rreth 115 nga 192 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë edhe SHBA, Gjermaninë, Britnainë e Madhe, Francën... Por Rusia dhe Kina si dhe pesë vende të BE-së (Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia, Qipro) nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Serbia edhe sot e kësaj dite pretendon se Kosova është pjesë e saj dhe refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës./DW
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,