Nga Prof. dr. Engjëll SEDAJ
Albanët antikë
Në librin III (12, 20) të veprës së tij, Udhëzimi gjeografik, Klaud Ptolemeu, gjeografi më i madh i kohës antike,[1] [2] duke përshkruar vendin që zë Makedonia, thotë se “në tokën e albanëve (Albanoi)” ndodhet qyteti i tyre Albanopoli, midis Orestis dhe Almopëvet, që është afërsisht hapësira midis Durrësit e Dibrës, në lindje të Lezhës, me koordinatat në gjatësi gjeografike 46° dhe në gjerësi gjeografike 41°,[3] dhe ka supozime të bazuara se këta albanë kufizoheshin me trevën e banuar më parë nga fisi ilir i partinëve,[4] apo mbase ata e banonin të njëjtën trevë të partinëve.
Shkenca bashkëkohore, duke bërë dallimin nga banorët e Albanisë së Kaukazit (Azerbegjani i sotëm) dhe të disa albanëve të tjerë,[5] e ka pranuar përkatësinë ilire të këtyre albanëve të K. Ptolemeut,[6] dhe në këtë mënyrë është vënë në dukje kontinuitetin iliro-shqiptar,[7] i cili paraqitet në etnonimi. Ndonëse fisi i albanëve bën pjesë në një varg fisesh ilire më të vogla, ai do të jetë i rëndësishëm, siç thotë A. Stipçeviqi,[8] [9] për arsye se shqiptarët e sotëm do ta marrin emrin e tyre kombëtar dhe ky qëndrim është i njohur në historiografinë shqiptare, sidomos për periudhën e kohës antike.
Me fjalë të tjera, në këto të dhëna që përcaktojnë saktësisht viset ilire të krahinës së Makedonisë në periudhën romake, kuptohet se shënimi është bërë në kohën kur kjo popullatë kishte një shtrirje të konsiderueshme gjeografike, si e njohur dhe e konsoliduar, kështu që orientimi është i mjaftueshëm dhe të gjithë indikatorët të shpiejnë në drejtim të albanëve (antikë), që do të thotë, në brendinë më të thellë të botës shqiptare (në kohën antike).
Dihet gjithashtu se rruga e vjetër, që lidhte Durrësin me Lezhën, ka kaluar në tokat e albanëve, kurse tash së voni janë zbuluar kodervarret ilire në fshatin Mollkuq dhe ato i përkasin asaj krahine që në traditën popullore quhet Arbni.[10] [11] Prandaj këtu nuk është fjala vetëm për një vendbanim, por edhe për një vend ose krahinë, në të cilin shtrihet një fis i tërë, kështu që edhe shtrirja e mëvonshme e etnonimit arbëresh ka lidhje, para së gjithash, me vetë fisin ilir, që mbante këtë emër dhe me përgjithësimin e tij të mëvonshëm mbi bazë të elementeve të përbashkëta etnike dhe etnokulturore.
Në këtë rast do të jetë e vërtetë se trajta etnonimike do të jetë bërthamore në formimin e topnimive vendore me përmasa të gjera etnonimike gjeohistorike për të gjetur mbështetje në shkencat shqiptare, sidomos në gjuhësinë shqiptare.
E. Çabej shkruan se emri Arbën është sigurisht vazhdimi mesjetar i emrit të Albanoive, atij fisi në Shqipëri të Mesme, që shënon gjeografi aleksandrin, Ptolemeu, në shek. II pas Krishtit,[12] dhe se ky vazhdim i emrit arbën ka rëndësi të dorës parë për historinë e popullit shqiptar dhe për autoktoninë e tij,[13] kurse H. Pederseni thotë se ky emër (sc. emri arbën) nuk mund të jetë huajtur në kohë disi të vona nga greqishtja për shkak të b-së (jo -v-),[14] kështu që këto dy përcaktime të bazuara të këtyre dy gjuhëtarëve mund të jenë mbështetje sidomos për të kërkuar etnonimin arbëresh në kohën parabizantine, që do të thotë se shënimi i Ptolemeut ishte i saktë dhe i pakontestueshëm. Edhe nga kjo pikëpamje, pra, gjendemi në lidhje të ngushtë me albanët antikë, përkatësisht me etnonimin e mëvonshëm arbëresh.
Ptolemeu ka përdorur këta dy emra, emrin e fisit dhe të kryeqytetit të tij, në rasën gjinore të shumësit, Albanon, dhe në emëroren e njëjësit, Albanopolis, sipas kontekstit të veprës, por për themeluesit e këtij qyteti nuk thotë asgjë. Në origjinalin e veprës së Ptolemeut dallohet edhe më bukur rasa gjinore shumës (në një përkthim) në gjuhën latine: Albanorum,[15] për të ndihmuar në përcaktimin përmbajtësor të etnonimit, ndaj qendrimit të atyre që mund të mendojnë se këtu kemi të bëjmë me toponimin Albanon,[16] kurse fjala (në) tokën (e albanëve) mund të kuptohet si (gjerm.) Land ose (gjerm.) Gebiet, siç e ka përdorur në librin e tij pikërisht për ilirët e kësaj treve, H. Frommer.[17] Trajtën e gjinores së shumësit mund ta bëjë edhe më të qartë fakti se Ptolemeu nuk përdor vetëm emrin e fisit të albanëve, por edhe të fiseve të tjera, siç janë: taulantët, elimiotët, dasaretët, etj., gjithashtu në gjinoren e shumësit, kurse në çështjen pse ky autor grek e ka shënuar etimonin alb- e jo arb, që sipas rezultateve të E.
Çabejt do të ketë qenë formë primare, duhet thënë se ende nuk kemi përgjigje të saktë, veçse supozime të dijetarëve,
Vetë E. Çabej mendon se grekët e kanë shndërruar emrin sipas një asociacioni të paqartë me të tjerë emra gjeografikë,[18] por argumentime ose dëshmi të tjera s’ka, përveç variabilitetit të njohur të likuideve I /r, i cili mund të ketë ndodhur me vonë, që do të thotë se r-ja është ndërruar në 1 në kohën e K. Ptolemeut. Sidoqoftë, as kjo çështje nuk e vënë në dyshim shënimin e Ptolemeut, ndonëse duhet dhënë gjithsesi shpjegime për lashtësinë e variantit të etimonit alb/arb te emri albanoi, që përsëri është në lidhje me etimologjinë e fjalës, për të cilën do të bëhet fjalë më vonë edhe në aspektin e elementeve të tjera gjuhësore, siç janë elementet sufiksale dhe semantike.
Megjithatë, duhet thënë se nga autorët grekë dhe romakë, përkatësisht nga epigrafia antike, nuk janë ruajtur më tepër trajta të këtij etnonimi, siç ka ndodhur, bie fjala, me dardanët,[19] që do të thotë se të dhënat nga antika mbi albanët antikë janë mjaft të kufizuara, ndonëse nga zhvillimet e mëvonshme pikërisht nga këto treva janë konstatuar mjaft toponime me bazën Alb (Arb).
Mirëpo, dijetarët nuk e kanë vënë në dyshim këtë lidhje të emrit nacional me antikën, në kuptim të faktorit të brendshëm gjeografik dhe historik dhe se trajta që ndeshet te Ptolemeu, dëshmon faktin se albanët ishin aty me siguri edhe disa shekuj më parë, kurse kjo lashtësi ndoshta më së miri kuptohet nga analiza që mund t’i bëhet lokalitetit arkeologjik të Albanopolit antik, sepse përcaktimi i qytetit është një prej të dhënave më impozante që kemi për fiset ilire të kësaj kohe. Krahasimi mund të bëhet edhe me disa fise të tjera (ilire), të renditura në hartën e Ptolemeut e të përcaktuara si “toka” që kanë qytetet e tyre, siç janë “në tokën e taulantëve Dyrrachion”, “në tokën e desaretëve Lychnidos”, “në tokën e eordejve Skampis” etj., dhe në këtë mënyrë pasqyrohet më mirë edhe pozita e albanëve dhe Albanopoli i tyre në këtë pjesë të provincës së Makedonisë.
Natyrisht kjo mund të jetë një qasje edhe nga këndvështrimi parahistorik i etnonimit në fjalë për të dëshmuar stabilitetin historik (dhe gjuhësor) të tij. Për këtë periudhë të ekzistimit të kësaj trajte aktualizohet edhe çështja që e ka shtruar F. Papazoglu se “nuk mund të jetë e saktë që me emrin e ilirëve të fshehën herë dardanët, herë taulantët ose penestët ose ndonjë fis tjetër ilir”, sepse, mendon ajo, nga emërtimi i fisit që është quajtur ilir, do të jetë përhapur ky emërtim mbi një bashkësi (fisnore ilire),[20] që, s’do mend, do ta përfshinte edhe trevën e albanëve, duke ndihmuar edhe lidhjen më të ngushtë, si të thuash, iliro-albane, e cila lidhje përmes Ptolemeut do të vëhet në rrafshin gjeografik, nga i cili rrafsh me të dhëna të tjera, do të vëhet lidhja me fiset e tjera ilire, prej të cilave këtu po i veçojmë në plan të parë partinët, me motivacion që të hedhet dritë sa më tepër te albanët.
Albanët dhe partinët
Prandaj, duke filluar prej të dhënave legjendare, që e paraqesin Parthën, bijë të Ilirit,[21] e deri te rezultatet më të reja historike, mund të thuhet se në vendbanimin e këtij fisi të lashtë, do të konstatohen edhe albanët antikë, si një simbiozë karakteristike, së paku në emërtim, kështu që duke pranuar këtë lidhje, ndoshta mund të flitet edhe për një eponim të albanëve antikë, sikundër që flitet për Ilirin, si hero eponim të ilirëve, për Helenin, si eponim të helenëve,[22] [23] për Italin, si eponim të italëve etj.
Ky fis i lashtë i partinëve150 mund të jetë në lidhje të ngushtë me albanët (ilirë), jo vetëm pse edhe ata kishin qytetin e tyre Parthos, për të cilin qytet, e më tepër për të cilin fis (ex gente Parthina), shkruajnë autorët antikë Straboni, Livi, Cezari, Plini, Apiani etj.,[24] por edhe pse ka pasur prova për ta nxjerrë emrin e këtij fisi të burimit iliro – shqiptar, edhe në këtë mënyrë, duke permendur partinët mund të gjurmohen lidhjet (e natyrshme) të albanëve me këtë fls për të konstatuar ndonjë faktor më të rëndësishëm të stabilitetit të tyre historik.
Mirëpo, për fisin e parthinëve, megjithatë, nuk shkruan K. Ptolemeu, ndonëse i renditë mjaft bukur disa fise të tjera ilire dhe lokalitetet e tyre kryesore në Makedoni. Këtë mungesë të këtij gjeografi antik, Th. Kaçori përpiqet ta plotësojë dhe ta shpjegojë në një mënyrë mjaft interesante, duke pohuar se K. Ptolemeu këtë fis e ka përmendur me një emër tjetër, dhe në këtë mënyrë ai ka shfaqur një hipotezë mjaft origjinale të “lidhjes midis këtyre dy emrave”, por jo edhe të dy fiseve, d. m. th. të albanëve dhe parthinëve, lidhje kjo që vihet nëpërmjet fjalës (i) bardhë, përkatësisht të ekuivalentit të kësaj fjale: parth, e duke shfaqur mendimin se, në fakt, këtu s’kemi të bëjmë me zhdukjen e parthinëve (në kohën e Ptolemeut), por “me një përkthim të emrit Parthini me atë Albani, të bërë nga romakët”,[25] [26] dhe kjo situatë paraqitet e ngjashme me kohët e mëvonshme, kur turqit e pushtojnë Krujën, përkatësisht “Kështjellën e Bardhë” të Krujës, që gjithsesi zgjonte asociacion të Albanopolit (antik), duke quajtur atë (të përkthyer në gjuhën turke) Akçe-Hisar.
Me fjalë të tjera, në mes albanëve dhe partinëve në kohën e Ptolemeut do të ketë ekzistuar dallimi gjuhësor i emërtimit etnonimik, kurse dallime të tjera do të kenë qenë të vogla ose s’ do të ketë pasur fare, kështu që kur flasim për partinët, të dokumentuar edhe nga arkeologjia në trevën e Ilirës së Jugut, i kemi parasysh edhe albanët. S. Anamali shkruan se në një mbishkrim varri, gjetur afër Skampinit, vihet në dukje emri etnik parthin.[27]
Th. Kaçori, duke vënë në lidhje të drejtperdrejtë fisin e albanëve të vjetër me një fls ilir mbase edhe më të vjetër që banonte në trevën e tyre “prej Durrësit deri në Liqenin e Ohrit”,[28] të fisit të partinëve, mendon se “ky emër,” emri Parthinus, “nuk është gjë tjetër, veçse parth, bardh.”[29] Ai e përforcon hipotezën e tij duke thënë se ky etnonim u përkthye në gjuhën latine, sepse kështu praktikonin romakët edhe në raste të tjera, siç kanë vepruar me emrin e dardanëve, duke i quajtur Pirustoi,[30] kështu që sikur fjala dardhë (në lidhje me dardanët), që është përkthyer me fjalën (lat.) pirus, ashtu edhe fjala parth (bardh) është përkthyer me fjalën (latine) albus, si një ekuivalent me parth (bardh), krahasim ky i njohur edhe nga J. G. Hahni,[31] kështu që ky mendim edhe ka hyrë në leksikografinë shqiptare, si një barazim parthinoi-bardhinoi-albanoi.[32] R. Doçi, në lidhje me këtë etnonim (Parth), madje e ka bërë krahasimin e antroponimit Partho me toponimin Partesh (afër Gjilanit).[33]
Në këtë lidhje me antikën greko-romake dhe më tepër me antikën ilire, qëndron hipoteza e Th. Kaçorit mbi vazhdimësinë e albanëve nga parthinët (ilirë), kështu që partinët u quajten albanë, kurse dardanët pirustë, që është një bilinguizëm ekuivalent në mes gjuhës vendore dhe latine, dhe në këtë mënyrë bëhet më e qartë çështja e lashtësisë së etimonit alb- në krahasim me arb-, për të cilin, siç u tha edhe më sipër, E. Çabej mendon se është burimore shqipe. Kjo hipotezë mund të ketë vlerën e vet edhe nga fakti se autorët antikë nuk shkruajnë për albanët, por për partinët, kështu që këto të dhëna mund të jenë në dobi të shënimit të Ptolemeut për ta arsyetuar emërtimin e kryeqytetit të albanëve si (Albano)polis, por edhe për të arsyetuar faktin se për albanët kemi më pak të dhëna (se për partinët).
Ndër qendrat më të njohura qytetare të partinëve mbase do të kenë qenë ato ku janë rrënojat e sotme në Zgërdhesh, Berat, Dorëz, pastaj qyteti i partinëve, Brysiakon, i konstatuar (te Stefan Bizantini) dhe qytetarët e tij, brysakoi, krahasohet me fshatin Bruz në rrethin e Krujës,[34] [35] [36] kurse hyjnia kryesore e tyre ishte Jupiter Partin (Iuppiter Parthinus), duke qenë të shënuar edhe në një aspekt tjetër të rëndësishëm të formësimit të tyre (religjioz). Në fakt, Tit Livi shkruan për urbes Parthinorum (qytetet e partinëve), pastaj per Parthinorum socias urbes, (qytete të përbashkëta të partinëve),/<5J si dhe për njësitë autonome në afersi të Epidamnit, siç janë, Bergulum dhe Eugenium,[37] kurse Straboni shkruan për “bulinët, taulantët, partinët dhe brygët”,[38] duke dhënë shtrirjen gjeografike të tyre pas Epidamnit, Apolonisë dhe maleve Keraune. T. Livi thotë se partinët ishin nën sundimin e Filipit (mbretit të Makedonisë),[39] kurse për shtrirjen e tyre “prej Durrësit deri te Liqeni i Ohrit” në kohën antike dihet edhe nga rezultatet e kërkimeve më bashkëkohore.[40] [41]
Në këtë mënyrë bëhet përpjekje për të zgjatur vazhdimësinë e fisit të albanëve dhe e kryeqytetit të tyre në të kaluarën më të hershme në trajtën gjuhësore më burimore vendëse, që ka të bëjë edhe me etimologjinë e etnonimit arbën. Me një fjalë, parthinët, te të cilët elementet etnike mund të konstatohen edhe përmes hyjit kryesor të tyre, Iuppiter Parthinus, sikurse edhe të një hyjneshë tjetër vendëse, e barazuar me Dianën, që do të quhet Diana Candavensis,[42] kanë jetuar në ato territore, ku do të jetojnë më vonë albanët, të cilët ndryshojnë nga ata (vetëm) në emërtim.[43] [44]
Lidhur me këtë, F. Papazoglu mendon se ka gjasa të ketë ekzistuar edhe qyteti Parthos, që do të ketë lidhje me etnonimin e këtij fisi, por nuk e shtron çështjen e shtrirjes së tyre deri në Ilirinë Veriperëndimore. Është thënë edhe më parë se partinët shtriheshin në zonat kodrinore të Tiranës dhe të Krujës, duke shtruar vargun malor Skënderbej-Dajt si kupi lindor.[45]
Në këtë mënyrë, treva, ku është përftuar një idiomë, si një individualitet gjuhësor, në afersinë e së cilës trevë, më vonë (1462), do të shënohet edhe dokumenti i parë i gjuhës shqipe, Formula e pagëzimit në Mat, puthitet me shumë njësi kulturale, siç është, etnografia dhe, në përgjithësi historia e popullit shqiptar në lidhje të ngushtë me antikën greko – romake.
Albanët, abrët, labeatët
Për aspektin kohor, prej Herodotit (shek.V para e. s.), i cili për të parën herë i zë ngojë ilirët, e deri te Ptolemeu (shek. II të e. s.), mund të jetë e dobishme një paraqitje tjetër e nomenklaturës etnonimike ilire, në kuptimin e gjerë të fjalës, duke përfshirë edhe emërtimet e disa fiseve ilire veç e veç, në krahasim me albanët. Në këtë drejtim do të shifet se (parthinët dhe) abrët (greq. Abroi) do të jenë më të afërt me albanët në çdo pikëpamje, por që edhe nga krahasimet e tjera të shumta mund të pasqyrohen disa elemente iliro – arbërore në krahasim me antikën greko – romake.
Duhet thënë gjithashtu se në territorin e brygëve, që kufizoheshin prej Via Egnatia në veri deri, te liqeni i Shkodrës në jugperëndim me partinët, dhe në perëndim me detin Adriatik, do të identifikohen Abroi – abrët (e Hekateut), si emërtim ilir në verilindje të Durrahut,[46] [47] [48] [49] [50] që paraqet një afërsi me albanët e Ptolemeut.
Prandaj ka pasur mendime, por mbase pa mbështetje të duhur shkencore, që albanët antikë “mund të lidhen me emrin e Abrojve” ilirë, edhe në aspektin gjuhësor për ta çuar etnonimin edhe më tutje në lashtësi, deri në shek. V para Krishtit, në kohën e Hekateut, të shënuar në historiografmë antike nga ky autor antik, siç janë shënuar dhe mund të jenë të lashta edhe disa toponime të tjera nga autorët antikë. Siç dihet, Abron-i është konstatuar emër i magjistratit eponim në një monedhë të Apolonisë, kurse abrët ose abrejt, sikundër edhe partinët, kanë jetuar në ato vise, të cilat më vonë do të njihen si provincë e krahinës së Durrësit, që përsëri mund të jetë në lidhje me albanët.
Këto rrethana nuk mund të jenë të parëndësishme për çështjen e Albanopolit në antikë dhe të albanëve të tij, mirëpo, përqasja fonetike e këtyre emrave, Albanoi dhe Abroi, është mjaft e vështirë dhe gati e pamundur[51] ndryshe, veçse me anë të një metateze tek etimoni i fjalës arb/abr, (siç është përfolur edhe në turqishte prej arb (arv-) arn- (arnaut), kurse emrat e tjerë me formantin alb- mund të zgjojnë interesim dhe mund të jenë në lidhje me çështjen që po e trajtojmë këtu.
E. Çabej shprehimisht thotë se emërtimi analog me atë të Polonisë me emrin e ishullit Arbe, te Plini Arba (ishull) dhe “qytet i fortifikuar” Alvona[52], te Ptolemeu Arba, te Tabula Peutingeriana: Alvona, që ishte stacion rrugor (afer Lovranit në Dalmaci) dhe me atë të qytetit ilir Arbon, që jep Polibi dhe Stefan Bizantini, është i mundur.[53] [54] [55] [56] [57]
Kur jemi te paraqitja e etnonimit në kohën antike, duhet thënë se krahasimi që ka bërë G. Majeri ndërmjet trajtave Alb- dhe Lab-, duke krahasuar me emrin e Labërisë, të përftuar nga një metatezë , ende është i diskutueshëm, ngase emri i labëvet është krahasuar me emrin e fisit ilir të labeatëve afer liqenit të Shkodrës (Lacus Labeatis), kurse onomastika e përftuar me një metatezë nga baza alb-, siç janë, Lab, Labanica, Labin, përgjithësisht është e pasur, siç mund të shihet edhe nga anali i Abatit të Dioklës, i cili shkruan se krahinën tjetër ndërkaq nga i njëjti lum Drini përballë krahinës lindore deri te Lapia dhe të cilën Rasha e ka quajtur.”[58]
Në mënyrë të ngjashme mbase duhet kuptuar edhe legjendën e monedhës LABIATAN[59] të labeatëve dhe daorasëve të kohës së Gentit.[60] [61] Kjo vazhdimësi duket historikisht shumë e natyrshme dhe gjuhësisht e mundshme, sepse të gjitha momentet relevante të ndryshimeve gjuhësore mund të shpjegohen, kurse emërtimet e tjera, që nuk janë në lidhje me albanët antikë, janë sinonime të këtij etnonimi që dalin në kushte të veçanta historike.
Natyrisht, kjo punë ka rëndësinë dhe kërkon nga studiuesit që të ndriçohet situata e kësaj gjendjeje në kohët më të hershme, ngase, në rrugën e gjatë të zhvillimit të etnonimit arbën, asgjë nuk ishte e rastësishme dhe, kuptohet, s’kishte dysi në emërtim në bërthamën e parë. Ky moment është i rëndësishëm, sidomos pse disa studiues, siç mendonte edhe G. Shtatmyleri, thonë se nuk do të ketë bazë as teza e Tunmanit mbi kontinuitetin e ilirëve dhe shqiptarëve, po qe se nuk argumentohet kjo lidhje. Kurse lidhja është e mundshme, jo vetëm nga emërtimi i fisit të albanëve, por sidomos nga toponimi ose emri i qytetit Albanopoli, emërtuar sipas emrit të tyre, për të cilin këtu do të flitet më gjerësisht.
– –
[1]Klaud Ptolemeu (Claydios Ptolemaios, rreth viteve 100-178) është përfaqësuesi kryesor i letërsisë shkencore në historinë e letërsisë klasike greke, me një orientim të ngushtë gjeografiko- astronomik. Është autori i shumë veprave shkencore, kurse (Geographike ypsegesis) Udhëzimi gjeografik (në tetë libra) e tij është vepra më e njohur gjeografike nga lashtësia greko-romake, kurse sipas mendimit të disa studiuesve, atlasi i Ptolemeut ishte i paarritshëm edhe në mesjetë. Mendohet se Ptolemeu kishte në përdorim edhe literaturën bazë të veprave të Eratostenit (276-196 para e.s.) për të hartuar veprën e tij mjaft ilustrative. Ajo përbëhet kryesisht nga tabela, ku shënohen dhe përcaktohen pozitat e vendbanimeve të botës antike, sipas gradave të gjatësisë dhe të gjerësisë gjeografike, kurse libri është i ilustruar me harta. Në këtë vepër citohen shumë qytete dhe vendbanime të Ilirisë, të Epirit, etj., siç është Albanopoli dhe fisi ilir (Albanoi) i albanëve. Nc këtë aspekt dallohet ky autor antik për interesimin që gëzon në albanologji, e sidomos në lidhje me etnonimin arbën. (Përkitazi me paraqitjet e vendbanimeve, oronimeve, etj. të trevës së Kosovës në Atlasin e Ptolemeut më gjerësisht te: Dr Muharrem Carabregu: Kosova në hartat e vjetra, Prishtinë, 1977, pp. 26-32.)
[2]Plini (IV,35) shkruan: “Ab hoc amne (Axio) Panoniae gentes, Paroraci, Eordenses, Almopii, Pelagones, Mygdones.” (Nga ky lum (Vardari) fiset e Panonisë, parorakët, eordenët, almopet, pelagonët, mygdonët.)
[3] Ilirët dhe Iliria, p. 268.
[4]Këtë krahinë e ka paraqitur edhe Plini (III, 145): “A Lisso Macedonia provincia gentes Partheni et a tergo eorum Dassaretae montes Candoviae a Dyrrachio LXXVII p. ’’ (Nga Lezha e krahinës së Makedonisë fiset parteni dhe nga shpina e tyre malet dasarete të Kandorës nga Durrësi 77 hapa.)
[5]Dijetari bullgar, Rusi Stoikov (Pervoto izvestie, 60-62) kishte shfaqur mendimin se albanoi (te M. Ataliati) janë skocezët e Albanisë Britanike, kurse të tjerët ndërlidhen me albanët e Laciumit (në Itali)..
[6]Edhe nga albanologët gjermanë (Hahn) dhe studiues të tjerë theksohet dallimi ndërmjet albanëve ilirë dhe albanëve (Albania) të Kaukazit, për të cilët Straboni (11,4) kishte shkruar se janë popull autokton dhe se qyteti i tyre kryesor ishte Chabala ose (sipas Plinit, 6,29) Cabalaca. (Der Kleine Pauly, I, p. 232.)
[7] Krh. H. Frommer (Die Illyrer, p.109) shkruan se: „spricht auch flir eine starke illyrisch- albanische Kontinuitet41.
[8] S t i p ç e v i q, Ilirët, 36.
[9]J. Adam. Historia e rrugëve të Shqipërisë I, Rrugët e Shqipërisë në kohën antike, BSHSH,
1 (1953), p. 61.
[10] D. Luka, Shënime mbi toponom., 99.
[11]Në kohën e fundit ekziston tendenca që në transkriptimin shqip të këtij emri t’i hiqet mbaresa (e emërorës së shumësit) greke -oi (Albanoi) dhe t’i shtohet mbaresa shqipe -ë (ët): pra: albanët.
[12]Ç a b e j, Emri i Shqiptarëvet, p. 85.
[13]Ç a b e j , Studime etimologjike, 65.
[14]Cituar sipas: D e m i r a j, Gramatikë historike, p. 51.
[15]Klaudiu Ptolomeiu, Geographike ypsegesis, Ed. Alfredo Firmin Didot, Parisiis, 1883, p. 506
[16]Krh. P. Furichis, vepër e cituar, 20, kurse sipas E. Vranusit, emri etnik nga toponimi etnonimik Arbanon mund të jetë vetëm Arbanites (e jo Arbanon) (Krh. K. Bozhori, Eras Vranusi, 190.)
[17]H. Frommer (Die Illyrer, p. 109) shkruan: “Dabai zahlt es (sc. Ptolemaus, E. S.) in der Provinz Makedonien neben anderen bekannten Stadten auch die Stadt Albanopolis im Gebiet der Albaner (albanoi) auf..”
[18] Ç a b e j, Studime etimologjike II, 68.
[19]Sipaš Polibit, Strabonit, Apianit dhe disa autorëve të tjerë antikë, ndeshen këto trajta (greke): Dardaneis, Dardanioi, Dardanoi, Dardaniatai, Dardanos, Dardaneus, Dardanis, kurse trajtat latine (etnonimi dhe toponimi): Dardanus, Dardani, Dardania. (Krh. Zef Mirdita, About the name Dardania, te: “Buletini i Fakultetit Filozofik:” X, Prishtinë, 1973, p. 102.)
[20]Papazoglu, Ilirska i dardanska, 150.
[21]Sipas mitologjisë greke, kuptohet se (në një version) Iliri ka qenë i biri i Kadmit dhe Harmonisë, kurse sipas Apianit, i cili e ka shkruar veprën e tij rreth v. 160 pas Kr., (Historia Romana, IV,2), që do të thotë në kohën kur shumë (mite dhe) legjenda ishin formësuar më mire, Iliri ka qenë i biri i Polifemit dhe Galatesë, kështu që në këtë gjenealogji edhe përmenden të bijtë e Ilirit, e që ishin: Enkeleu, Autori, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perrebi, kurse të bijat e tij ishin; Partha, Doarta, Dasara dhe të tjera, nga kanë rrjedh fiset ilire: enkelenjtë, perrebejt, taulantët, autariatët, dardanët, partinët, dasaretët dhe doarsët. Me emrin e Parthës do të quhet edhe qyteti i parthinëve – Parthos.
Duke pasur parasysh rëndësinë etnonimike të këtyre fiseve, përkatësisht të kësaj antroponimie të Apianit, po e shënojmë edhe tekstin burimor (greqisht): Kai tode moi malista, polla mytheunton hetera pollon, areskel, Illyrio de paidas, Ertchelea, kai Aularie, kai Dardanon, kai Miadon, kai Taulanta, kai Perraibon genesthai kai thygateras, Partha, kai Doartho, kai Dassaro, kai heteras. Hothen eisi Taulanlioi te kai Perraiboi kai Enhetees, kai Autariesis kai partheoni, kai Dassaretioi kai Darsoi.
[22]Heleni legjendar, i biri i Zeusit, kishte me nimfen Orseidën tre djema: Dorin, Eolin dhe Ksutin, stërgjyshërit e fiseve greke të dorëve, eolëve, jonëve dhe akejve.
[23]Krh. Čeka, Vendi dhe roli i parthinëve në Ilirinë e Jugut në shek. III – I para e. s. te: ”Kon terenca e Dytë e Studimeve Albanologjike”, II, Tiranë, 1969
[24]Dihet se Pompeu kishte një praesidium Parthinorum kundër Cezarit si trupa ndihmëse dhe kishte pranuar prej tyre mjete ushqimore në v. 48 para Kr. (Caes. De bello civ. 3,11,3,42,5).
52Kaçor i, Kontribut për studimin, p.142.
[26]Turqit e kishin përkthyer edhe emërtimin e (Gadishullit) Ballkan nga (Stara) Planina (në Bullgari), që më parë është quajtur Haemus.
[27]S, Anamali, Nga ilirët tek arbërit, 28.
[28]Der Kleine Pauly, IV, p. 538
[29]K a ç o r i, Kontribut për studimin e prejardhjes, 142.
[30]Fjalë e krahasuar me toponimin (Qafa e) Prushit, nga Pirust:Prush, që, siç thotë I. Ajeti, duhet të jetë vazhdim i emrit të Pirustëve (Pirustae, Perustae), me një zhvillim të sigurt st në sh, sikur te fjala teshë prej lat. testa. (Kërkime gjuhësore, 293.)
[31]Kështu pohon M. Domi, duke thënë se “Hahni afroi emrat ilir Parthini me (i) bardhë. (Prapashtesa ilire dhe shqipe, te: “Studime ilire”, II, 103.)
[32]Fjalori enciklopedik shqiptar, 14.
[33]D o ç i, Iliro-shqiptarët, 152.
[34] D. Luka, Shënime mbi toponomastikën, 98.
[35]Tit Livi, Ab Urbe cond., XLIV, 236.
[36]Liv. 42, 32. (Siç dihet, Livi përmend tri lloje vendbanimesh të fortifikuar e ato janë: urbes, oppida dhe castella, të radhitura këtu sipas madhësisë së vendbanimit prej më të mëdhat deri te ato të vegjëlat.)
[37]T. Livi, Ab Urbe cond., XXIX, 12,13.
[38] Strab., VII, 7,7.
[39]Liv. XXXIII,34,11: Pleurato Lychnidos et Parthini dati: Illyriorum utroque gens sub dicione Philippi fuerat.
[40]Khr. Der kleine Pauly, IV, p. 537. Për çështjen tonë nuk zgjon interesim ndarja e këtij fisi, si të thuash, në dy degë, siç mendon S. Josifovic, kur thotë se kanë ekzistuar Partinët “makedonas dhe dalmatinë” (S.Josifović, Oktavijanovo ratovanje u Iliriku, te: Živa antika, VI,1 (1956), Skopje, 1965, p.150.), duke përcaktuar shtrirjen e këtyre në Bosnjë dhe në Serbinë Perëndimore. Më gjerësisht për partinët: G. Alfoldy – A. Moscy, Bevolkerung und Geselschaft der romische Provinz Dalmatien, Budapest, 1965, pp. 35, 38,48,64.
[41]Shiko më gjerësisht për këtë etimologji më poshtë në kapitullin për “etimologjinë e etnonimit arban”.
[42]Krh. A n a m a 1 i, Nga ilirët tek arbërit, p. 29.
[43]Sa për ilustrim mund të thuhet se vazhdimësia e ngajrjeve në kohë paraqitet edhe nga legjenda e themelimit të kolonisë greke të Epidamnit, në të cilën thuhet se një mbret vendës i quajtur Dyrrachus bëri një aleancë me Heraklin, i čili konsiderohej themelues i qytetit Dyrrachion, kështu që Heraklidët në këtë qytet u pasuan nga brigët, pastaj erdhen taulantët (Illyrikon ethnos), pastaj liburnët (heteron genos Illyrion) dhe në fund kolonët grekë.
[44]Papazoglu, Ilirska i dardanska kraljevina, 156.
[45]N. Čeka, Vendi dhe roli i partinëve, 349.
[46] H e r o d o t i përmend emrin e ilirëve dhe të Ilirisë katër herë: I, 196 (ilirët), IV, 49 (Iliria), VIII, 137 (Iliria), IX, 43 (ilirët).
[47] Wlodzimir Pajdakovski, Mbretëria e Bardhylit, te: “Studime ilir I”, p. 290.
[48]Shu ter i q i, Mbi disa çështje të Arbërit, p. 206. Për këtë fis ilir “pranë Adrias së taulantëve, fqinjët e helidonëve, sipas Hekateut,” shkruan edhe Stefan Bizantini. (Krh. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, p. 416.) Një lidhje dhe afersi gjuhësore ndërmjet abroi-ve (ethnos pros
Adria Taulantinon) dhe albanëve të Ptolemaios e sheh edhe 0. Myderrizi. Vepër e cituar (p. 168).
[49]Krh. N . C e k a, Questions de numismatique illyrienne, Tiranë, 1972, p. 187.
[50]Për shtrirjen e këtyre flseve shiko hartën te: Historia e popullit shqiptar I, Prishtinë, 1968, 52.
[51]D . Luka, Shënime mbi toponomastikën e Krahinës së Krujës, 99.
[52]Naturalis historia, 111,21.
[53]Ç a b ej, Studime etimologjike, II, 69.
[54]Alban. etymologisches VVorterbuch, 14.
[55]Tit Livi (Ab Urbe cond., XLV, 31, 2.) shkruan se “Shkodra e fisit të labeatëve, një qytet më i fortifikuar, ku shumë vështirë mund të arrihet.”
[56]Në një pasazh të Giacomo di Pietro Luccari, që është autor raguzan mbase me origjinë shqiptare, shkruan: ”La Signoria e si fece veder a Cossova ed alle rive del flume Sitniza, e Lab presento la giornata a Janco Uniade il quale con Dan Re di Valachia” (Copioso Ristretto degli annali di Ragusa, Ragusa, 1790, p.162.)
[57]11 i e v s k i, Balkanološki lingv., 480.
[58]“…alteram vero ab eodem flumine Drina contra orientalem plagam usque ad Lapiam et quam Rassam vocavit.” (Krh. më gjerësisht: Jahja Drançolli, Shtrirja e trojeve
shqiptare deri në Krizën Lindore, te: “Genocid and octs of Genocide of Serbian Regime on Albanians since Eastem Crisis hitherto, “ Prishtinë, 1995, 53.)
[59]B . J u b an i e ka datuar këtë monedhë (të zbuluar më 1971) si të pas vitit 168 (Monnaies Illyriennes a l’etnikon de LABIATAN…te: “Studia Albanica”, 1/1972, p. 70.), kurse S. Islami si të kohës së Gentit (197-188 para e. s.) (Studime ilire, I, p. 70.).
[60]Krh. B. Jubani, Monnaies Illyriennes a 1′ etnikon de LABIATAN, decouvertes a Kukës, te: “Studia Albanica” 1/1972, Tiranë, 1972, pp. 69-76.
[61]Stadtmiiller, Forschungen, 141./drita.info