Më 7 shtator shënohet përvjetori i 35-të i miratimit të Kushtetutës së Kaqanikut, si akti më i lartë politik e juridik i themelimit të shtetit të Kosovës.
Kjo datë ka hyrë në historinë e popullit të Kosovës, i cili me shekuj punoi, kontribuoi dhe luftoi për ta fituar lirinë dhe për ta shpallur pavarësinë – amanet i shumë gjeneratave që u sakrifikuan dhe dhanë jetën për liri e pavarësi, ndërsa vdekja i mori me ëndrrën e tyre për ta themeluar shtetin e Kosovës.
Kushtetuta e Kaqanikut është akti më sublim i miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët dhanë shembullin më të mirë për idealet e atdheut. Kjo periudhë e historisë së Kosovës, e shoqëruar me sfida, pengesa, obstruksione dhe rreziqe nga Serbia, nuk i trembi delegatët e Kuvendit, të cilët rrezikuan jetën dhe sigurinë e tyre si dhe të familjeve nga vinin. Edhe pse në atë kohë Kosova ishte pushtuar në mënyrë klasike nga forcat policore e ushtarake të Serbisë, delegatët në mbledhjen e Kaqanikut iu përgjigjën thirrjes, dëshirës dhe kërkesave të popullit që unanimisht të merrnin pjesë në këtë mbledhje historike, për ta votuar dhe aprovuar Kushtetutën e popullit të Kosovës – me një fjalë, Kushtetutën e Kaqanikut.
Kjo Kushtetutë ishte themeli i ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe pika e nisjes për realizimin e idealeve të popullit, e cila i hapi rrugë të reja Kosovës në arenën diplomatike ndërkombëtare, duke e legjitimuar subjektivitetin politik e juridik të saj. Pas aprovimit të Kushtetutës së Kaqanikut, delegatët u detyruan të largohen nga Kosova për shkak të rrezikut që u kanosej nga forcat policore e paramilitare, të cilat e mbanin vendin nën pushtim.
Fatkeqësisht, shembullin e ish-delegatëve të Kosovës në mbledhjen e Kaqanikut sot nuk po e ndjekin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe pas 35 vitesh, ata e kanë bllokuar shtetin për më shumë se gjashtë muaj, duke u marrë me interesa të ngushta karrieriste e luftë për pushtet. Kjo është e pafalshme dhe shumë shqetësuese për të ardhmen e vendit.
Sot, kur përkujtojmë 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaqanikut, Parlamenti i Republikës së Kosovës ende mbetet i bllokuar, duke penguar krijimin e institucioneve të reja nga vetë partitë politike që janë pjesë e tij. Kjo është e dhimbshme për kohën dhe për gjeneratat e tashme, si dhe ato që do të vijnë pas nesh. Prandaj, çdo respekt për ish-delegatët e Kaqanikut, të cilët rrezikuan gjithçka për ta realizuar dëshirën e popullit. Emrat e tyre kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës dhe do të mbeten përherë krenarë e të bekuar nga atdheu./Bota Sot