Takim me martirët: i Lumi at Gjon Shllaku, ofm, martir
Takim me martirët: i Lumi at Gjon Shllaku, ofm, martir 21.11.2021 | 10:22
I Lumi At Gjon Shllaku frat minor, një prej viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri, u arrestua te Liceu Illyricum dhe menjëherë u dërgua në hetuesi e më pas në burgun e madh në Shkodër. Torturave barbare dhe pyetjeve sfilitëse me akuza të pabaza u qëndroi si Krishti, pa reaguar. E ndoqi besnikërisht Krishtin duke mbajtur një sjellje shembullore deri në vdekje, si martir i Jezusit dhe i atdheut.
 
Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e 28-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit At Gjon Shllakun.
 
I Lumi At Gjon Shllaku frat minor, nuk pranoi kurrë padrejtësinë, dhunën e nëpërkëmbjet dhe ishte gjithnjë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. U arrestua te Liceu Illyricum dhe menjëherë u dërgua në hetuesi e më pas në burgun e madh në Shkodër. Torturave barbare  dhe pyetjeve sfilitëse me akuza të pabaza u qëndroi si Krishti, pa reaguar. E ndoqi besnikërisht Krishtin duke mbajtur një sjellje shembullore. Te vendi i ekzekutimit e vunë në rresht me Giovanni Fausti S.I., Daniel Dajani S.I., seminaristin Mark Çuni dhe të rinjtë Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku, njërin pranë tjetrit.
 
E pasi puthën të Kryqëzuarin hyjnor, shprehën fjalët e fundit. “M’i përshëndetni miqtë françeskanë dhe të gjithë të njohurit e mi. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria” – tha At Gjoni, për t’ia lënë më pas fjalën breshërisë së automatikëve. Trupi i tij u zhduk për të mos iu gjetur më varri, ndërsa fama e pushkatimit in odium fidei të tij nuk u zbeh kurrë.
 
I lumi At Gjon Shllaku i Urdhrit të Fretërve Minorë na kujton se martirizimi apo dëshmia e Krishtit nuk është një akt i një momenti, por një çast që i paraprihet me dëshminë e jetës së përditshme. Fjalët e tij kohë përpara arrestimit: “T’i lutemi Zotit të na japë forcë e guxim me i ba ballë martirizimit”, janë pikërisht një dëshmi e kësaj parapërgatitjeje.
 
At Gjoni lindi në Shkodër më 27 korrik 1907 e në pagëzim, prindërit e tij, Loro Kolë Shllaku dhe Rushe (Mare) Ashta, i vunë emrit e gjyshit, Kolë. Në familje inteligjenca e tij iu hap bukurisë së të vërtetës, që në Hyjin gjeti krijuesin e vet dhe në krijesat dëftimin e plotë. Pikërisht aty në familje i pati rrënjët thirrja dhe misioni i tij. Duke ndier thirrjen françeskane, u kërkoi eprorëve të kuvendit të Gjuhadolit të bëhej frat minor. E këta, duke pasur parasysh cilësitë e tij të mira morale e shpirtërore, e pranuan, duke e dërguar më pas, në tetor 1922, në Troshan për kryerjen e noviciatit.
 
Pas periudhës së formimit dhe të studimeve mori kushtet e përjetshme më 3 shtator 1928 dhe u shugurua meshtar më 15 mars 1931. Rezultatet e tij shkollore qenë shumë të mira, aq sa eprorët e dërguan në Universitetin e njohur katolik në Leuven (Belgjikë) e, pasi mori këtu diplomën në shkenca, e dërguan në Universitetin tjetër të njohur të Sorbonës në Paris, që të vazhdonte specializimin në filozofi. Me kthimin në atdhe e caktuan menjëherë që të jepte mësim pranë gjimnazit françeskan “Illyricum” në Shkodër, ku dha disa lëndë: filozofi, frëngjisht, politikë, ekonomi etj. Gjithashtu, më pas do të jetë i pranishëm me artikuj të ndryshëm edhe në revistën “Hylli i Dritës”, drejtor i së cilës u bë në vitin 1938. Përveç mësimdhënies, do të jetë edhe drejtues i shoqatës rinore “Antonianum”. Ndër të tjera, përktheu “Iliadën” në gjuhën shqipe.
 
Ata që e kanë njohur, kujtojnë se si ishte plot me fe. E, në fakt, At Gjoni e kultivonte shumë jetën e brendshme dhe me angazhim kujdesej për formimin shpirtëror e kulturor, sidomos të të rinjve. Në lidhje me këtë vlen të përmendet ajo që shkruan profesor Sami Remishti, në atë kohë, rreth vitit 1945, një djalosh 19-20-vjeçar, nga një familje myslimane shkodrane: “Ne të rinjtë, pavarësisht besimit, edhe pse nuk ishim të liceut “Illyricum”, shkonim me kënaqësi për të pyetur e rrahur mendime me patër Gjonin, që na priste gjithmonë buzagaz”.
 
Ja si e ka përshkruar fra Gjonin, një i njohur i afërt i tij, At Daniel Gjeçaj: “Jo shumë i gjatë. I dobët, por jo shumë. Fytyra e një frati normal që nuk i jepte rëndësi as pamjes së jashtme, as dukjes së jashtme. I këndshëm në të folur, njerëzor në sjellje. I mahnitshëm dhe madhështor në të njëjtën kohë. Fytyra dhe forma e kafkës tipike të racës ilire. Balli i gjerë, flokët e rrallë dhe të dredhur. Hunda pak e madhe, me një reliev të lehtë, jo në shpërpjesëtim. Mollëzat ngjyrë rozë e çelët, mjekra e theksuar, e ndarë dysh nga një qukë e dukshme. Mbante syze, por këto nuk e pakësonin gjallërinë e syve të tij, në të cilët mund të lexoheshin, si në pasqyrë, pastërtia e shpirtit, inteligjenca e gjallë, vullneti i fortë. Ishin dy fare që depërtonin me një vështrim, deri në thellësinë më të madhe të ndërgjegjes së atij që fliste me të”. E vazhdon: “Ishte një frat i thjeshtë me një zemër të madhe. Një njeri me një mendje të ndritur. Një fytyrë e përvuajtur me vlerë të rrallë. Pa krenari tërhiqte nga vetja këdo që i afrohej për t’i kërkuar këshillë apo për të folur me të për probleme sociale e private. Dinte të rrinte në çdo mjedis shoqëror pa e cënuar dinjitetin e meshtarit, kompetencën e filozofit, prakticitetin e sociologut, pasurinë e një kulture të hapur dhe të thellë. I çmonte personat e ditur, por nuk përçmonte askënd. Figura e tij impononte respekt. Nuk e kishte dhuratën e fjalës dhe prandaj nuk ishte një predikatar i madh, por shkruante në mënyrë të pastër, të përshtatshme dhe të jashtëzakonshme. Me personalitetin e vet të spikatur, kulturën dhe mënyrën e sjelljes, u bë njëri prej njerëzve më me ndikim në Shkodër”.
 
Por, me gjithë këto dhurata, ai do të përjetojë në Shqipëri një kalvar të mundimshëm dhe të gjatë, që e pa në qendër të dashakeqësisë së fashistëve fillimisht dhe të komunistëve më pas. Gjithsesi, ai kultivoi në shkrimet e tij parimin demokratik mbështetur në binomin “fe e atdhe”. E At Gjoni nuk i ndan, sepse, siç kishte shkruar në një artikull: “Një Shtet që nuk beson në Hyjin nuk mund të përparojë”. Por ky parim demokratik do të binte në kundërshtim me regjimin komunist, që e konsideronte “mendimtarin e lirë” fashist dhe, nëse edhe katolik, atëherë vatikanist, si dhe mendësinë fetare në përgjithësi një pengesë për përparimin e shoqërisë, që nënkuptonte “edukimin e njerëzve me një mendësi materialiste në çdo hallkë të jetës”.
 
Prandaj edhe At Gjoni e dinte se i duhej të bënte hesapet me forcën brutale të një regjimi të pashpirt, pikërisht i tillë, sepse “nuk besonte në fe”. E më 23 janar 1946 i erdhi “ora” për bërjen e këtyre hesapeve. E arrestuan te liceu “Illyricum” dhe menjëherë e dërguan në hetuesi e më pas në Burgun e Madh në Shkodër. Torturave barbare dhe pyetjeve sfilitëse me akuza të pabaza u qëndroi si Krishti, pa reaguar. E ndoqi besnikërisht Krishtin duke mbajtur një sjellje shembullore si frat minor i vërtetë. Gjyqi i tij, siç dëshmon At Zef Pllumi, kishte pamjen identike të gati dymijë vjetëve më parë që zhvillohej në rrugët e Jerusalemit. Ata që e mbështetnin atë duke menduar se kështu po mbështesnin të drejtën, do të pësojnë të njëjtin fat: avokati i tij mbrojtës, myslimani Myzafer Pipa, në seancën e tretë do të dëbohet nga salla me kërkesë të prokurorit për të pësuar pak më vonë të njëjtin kalvar e martirizim; profesori deputet Kol Prela, për dëshminë e guximshme në favor të At Gjonit, do të pushkatohet jo shumë më vonë. Por vendimi mbi Atë Shllakun ishte marrë akoma para arrestimit dhe prandaj ky gjyq farsë përfundoi me verdiktin me vdekje. E në këtë moment, siç dëshmon një tjetër bashkëvuajtës, Gjovalin Zezaj, At Shllaku nuk u trondit, por “me shumë qetësi e pranoi vendimin”, vendim i cili u miratua drejtpërdrejt nga vetë Enver Hoxha.
 
Gjovalin Zezaj na jep në detaje ato ditët e fundit të Atë Gjonit e shokëve të tij: “Nga data 22 shkurt e deri ditën e pushkatimit ata qëndruan heroikisht në lutje të vazhdueshme dhe në biseda shpirtërore, duke e forcuar njëri-tjetrin për hapin e fundit”. Ndërsa Terezina Harapi kujton prej familjarëve të saj që banonin afër burgut, se i dëgjonin që: “këndonin me zë të lartë këngët kushtuar Zojës, dhe mes këtyre edhe: Nëna e Tënzot e nëna jonë, ne po ta falim zemrën tonë”. E si një vërtetim ndaj këtyre dëshmive na vjen ajo e dom Tom Lacës, që u ngarkua t’u çonte Kungimin e fundit dhe t’i shoqëronte në vendin e ekzekutimit. Pasi dom Toma u paraqit te dhoma e errët e të dënuarve, i shqetësuar se si mund t’i rrëfente ashtu të gjithë së bashku, ata me një paqe të brendshme e plot guxim i dhanë të kuptonte se nuk ishte nevoja, pasi ishin rrëfyer me njëri-tjetrin.
 
Gjatë kohës mes dënimit dhe atij momenti kishin jetuar më shumë për qiellin që i priste sesa për tokën që po e braktisnin. Pastaj morën Kungimin e shenjtë me devotshmërinë e martirëve të parë të krishterimit dhe, me një forcë që vinte nga lart, dhanë të kuptonin se ishin gati për udhëtim. Roja, pasi iu bë shenjë, hapi qelinë e të dënuarve. Dolën të lidhur etërit Gjon Shllaku o.f.m., Giovanni Fausti S.I., Daniel Dajani S.I. e, pas këtyre, seminaristi Mark Çuni (27 vjeç) dhe të rinjtë Gjelosh Lulashi (21 vjeç) e Qerim Sadiku (27 vjeç). Kur grupi qe i plotë, oficeri i skuadrës së ekzekutimit i mori në dorëzim. Etërit u kthyen, panë grupin dhe filluan të thoshin Litanitë, ndërsa pjesa tjetër e grupit përgjigjej me ora pro nobis.
 
Udhëtimi nga burgu deri te varrezat katolike të Rrëmajve nuk ishte i gjatë. Shkuan duke kënduar psalmet e shtegtarëve të popullit të zgjedhur drejt Jerusalemit.
 
Dukej se të dënuarit po udhëtonin duke pritur me padurim vdekjen që po i çonte në ngjallje. Asnjëri prej tyre nuk dukej i trishtuar. Në fytyrat e tyre ishte e dukshme paqja dhe një dorëzim i plotë. Sytë e tyre ishin drejtuar nga qielli dhe buzët e tyre luteshin. Komunikonin me Hyjin duke kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e Tij në atë moment aq të vështirë dhe duke kërkuar falje edhe për ata njerëz që, të kthyer në bisha, nuk dinin më se çfarë po bënin.
 
Te vendi i ekzekutimit i vunë në rresht, njërin pranë tjetrit. E pasi puthën të Kryqëzuarin hyjnor, shprehën fjalët e fundit. “M’i përshëndetni miqtë françeskanë dhe të gjithë të njohurit e mi. Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria” – tha At Gjoni, për t’ia lënë më pas fjalën breshërisë së automatikëve. Zakoni partizan ishte me i lënë të pushkatuarit për pak kohë ashtu mbi tokë që popullit me ia shti frikën.
 
Trupi i tij u zhduk për të mos iu gjetur më varri, ndërsa fama e pushkatimit in odium fidei të tij nuk u zbeh kurrë. Në vitin 1994, Imzot Frano Illia, duke iu referuar At Gjon Shllakut shkruan se “ai është shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehje e forcës së dhënë nga Shpirti i Shenjtë, si në të gjitha kohërat heroike. Martir i vërtetë!”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave