Leoni XIV dërgon një telegram solidariteti të nënshkruar nga kardinali Parolin për një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në historinë e vendit. Në vështirësi, rajonet lindore të Kunar dhe Nangarhar, me gati tre mijë të plagosur, por ndihma e shpejtë vuan nga mungesa e mjeteve dhe e financave. Talebanët i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë
Afganistani lindor u godit mbrëmë(31 gusht) nga një tërmet, që deri tani ka shkaktuar mbi 800 të vdekur e më se 2.800 të plagosur, por bilanci nuk është përfundimtar. Papa Leoni XIV dërgoi menjëherë një mesazh afërsie përmes Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Në një telegram, Ati i Shenjtë lutet për "të gjithë ata, që janë prekur nga kjo tragjedi", duke ia besuar "provanisë së Zotit të Gjithëpushtetshëm" e duke shprehur "solidaritetin e tij të sinqertë, veçanërisht me ata, që po vajtojnë humbjen e të afërmve, me personelin e emergjencës dhe me autoritetet civile të angazhuara në ndihmën e shpejtë". Papa i kërkon Hyjit "ngushëllim dhe forcë" për popullin afgan në këtë "kohë të vështirë".
Një nga katastrofat më të mëdha në vend
Dje në orën 23.47, një tërmet me magnitudë 6.0 me epiqendër 27 kilometra në lindje-verilindje të qytetit të Jalalabad-it, u dëgjua në të gjithë Afganistanin si një nga katastrofat natyrore më të mëdha në historinë e vendit, me përmasa të paimagjinueshme dhe me një barrë praktikisht të papërballueshme për shtetin e udhëhequr nga talebanët, i cili duhet të gjejë zgjidhje për disa kriza humanitare, si edhe për miliona refugjatët e dëbuar nga Irani dhe Pakistani. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, i bëri thirrje për ndihmë bashkësisë ndërkombëtare.
Ndihma, e vështirë
Ekipet e ndihmës po përpiqen të arrijnë në zonat e prekura, në këto rajone malore në kufi me Pakistanin, të cilat nuk kanë komunikim me pjesën tjetër të vendit. Ministria e Shëndetësisë nënvizon se ka mobilizuar të gjitha mjetet në dispozicion për shpërndarjen e ushqimeve e të mallrave të tjera. Pamjet e transmetuara nga Reuters Television tregojnë helikopterë, që lëvizin ndërmjet spitaleve. Ekipet ushtarake të ndihmës janë tejet të reduktuara, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka realizuar vetëm rreth dyzet transporte ajrore për 420 të vdekur e të plagosur.
Situatë humanitare jashtëzakonisht serioze
Ky është tërmeti i tretë katastrofik në Afganistan që kur talebanët u rikthyen në pushtet në vitin 2021, pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare dhe shkurtimeve të financimeve qeveritare. Edhe ndërhyrjet humanitare kanë rënë ndjeshëm: 767 milionë dollarë këtë vit, në krahasim me mbi 3,5 miliardë dollarë vetëm në vitin 2022. Agjencitë ndërkombëtare humanitare denoncojnë krizën e lënë pas dore në Afganistan, ku më se gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë urgjente. Deri tani, raporton Ministria e Jashtme Afgane, asnjë qeveri nuk është ofruar ende për t’i dhënë ndihmën e nevojshme popullsisë. Në një postim në X, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se zyrtarët e OKB-së në Afganistan po punojnë për të ofruar ndihmën fillestare, ndërsa, në një postim në të njëjtën platformë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, shprehu sigurinë se “bashkësia e donatorëve nuk do të hezitojë të mbështesë përpjekjet për ndihmë"./Radio Vatikani