Presidentja Vjosa Osmani tha se Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.Osmani ka përkujtuar rolin e Nënë Terezës me rastin e nëntëvjetorit të Shenjtërimit të saj.
“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, ka shkruar ajo.Më 5 shtator shënohet shenjtërimi i Nënës Terezë, por edhe përvjetori i vdekjes së saj në vitin 1997.