Papa shpreh afërsinë e tij me viktimat e aksidentit, që ndodhi në Lisbonë të mërkurën. Bilanci i rënies pa kontroll dhe i përplasjes së një tramvaji të linjës historike hekurudhore funikulare “Elevador da Glória” është 17 të vdekur dhe 23 të plagosur.
Me një telegram drejtuar Patriarkut të Lisbonës, kardinalit Rui Manuel Sousa Valério, Papa Leoni XIV u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave të një aksidenti hekurudhor funikular, duke i siguruar për "afërsinë e tij shpirtërore". Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në emër të tij, Ati i Shenjtë lutet "për shërimin e plotë të të plagosurve" dhe i drejtohet Zotit që të dikojë "forcën e shpresës së krishterë mbi të gjithë ata, që u prekën nga kjo fatkeqësi". Gjithashtu, shpreh "mirënjohje të veçantë për ata, që morën pjesë në operacionet e ndihmës së shpejtë" dhe u jep "Bekimin Apostolik" të gjithëve, veçanërisht familjeve të të ndjerëve.
Aksidenti
Autoritetet portugeze deklarojnë se numri i viktimave është 17, ndërsa 23 të tjerë janë plagosur në aksidentin, që konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në Lisbonë, gjatë viteve të fundit. Hetimi është ende në zhvillim e sipër, prandaj hollësitë në dispozicion janë të pakta. Sipas dëshmitarëve, një tramvaj i linjës hekurudhore funikolare “Elevador da Glória”, e cila frekuentohet edhe nga turistët, dukej jashtë kontrollit, ndërsa po zbriste me shpejtësi nga një kodër, në mbrëmjen e djeshme, duke rënë mbi një burrë në trotuar. Kompania që mirëmban linjën, me vlerë edhe historike, deklaroi se mirëmbajtja e planifikuar është kryer. Viktimat dhe të plagosurit përfshijnë qytetarë portugezë dhe turistë me kombësi të tjera./Radio Vatikani