Në audiencë me presidentin izraelit, u analizua situata në Lindjen e Mesme, dhe në veçanti tragjedia në Gaza. U kërkua lirimi i të gjithë pengjeve, Selia e Shenjtë ripohoi se "zgjidhja e dy shteteve është e vetmja rrugëdalje nga lufta".
Ekziston një e ardhme stabiliteti që duhet të krijohet në një rajon që ka duruar një periudhë të gjatë konfliktesh që ende janë "të shumta". Dhe ky qëllim, veçanërisht duke marrë parasysh "situatën tragjike" në Gaza, mund të arrihet nëpërmjet një "rifillimi të shpejtë të negociatave" midis palëve të përfshira, me "gatishmëri e vendime të guximshme" dhe "mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim "lirimin e të gjithë pengjeve, arritjen urgjente të një armëpushimi të përhershëm, lehtësimin e hyrjes së sigurt të ndihmës humanitare në zonat më të prekura dhe sigurimin e respektimit të plotë të ligjit humanitar, si dhe aspiratave legjitime të dy popujve".
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit
"E vetmja rrugëdalje nga lufta"
Këto janë pikat kryesore që karakterizuan këtë mëngjes, 4 shtator, audiencën e Leonit XIV me Presidentin izraelit Isaac Herzog. Pas takimit me Papën në Pallatin Apostolik, Herzog zhvilloi bisedime në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, me Kardinalin Pietro Parolin dhe Kryeipeshkvin Paul R. Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Gjatë takimit, sipas një deklarate të zyrës së shtypit të Vatikanit, u analizua "situata politike e sociale në Lindjen e Mesme" dhe duke reflektuar se si të "garantohet një e ardhme për popullin palestinez" dhe "paqen e stabilitetin në rajon", Selia e Shenjtë - thekson deklarata - riafirmoi "zgjidhjen me dy shtete si e vetmja rrugëdalje nga lufta në vazhdim".
Marrëdhëniet Seli e Shenjtë-Izrael
Gjithashtu, vazhdon deklarata, "u fol edhe për atë që po ndodh në Bregun Perëndimor dhe për çështjen e rëndësishme të Qytetit të Jerusalemit", pastaj u kujtua vlera historike e marrëdhënieve midis Selisë së Shenjtë e Izraelit, duke trajtuar " edhe disa çështje të caktuara që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis autoriteteve shtetërore dhe Kishës lokale, me një vëmendje të veçantë", thuhet në deklaratë, "për rëndësinë e komuniteteve të krishtera dhe angazhimin e tyre në vend dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, për zhvillimin njerëzor dhe shoqëror, veçanërisht në fushat e arsimit, promovimit të kohezionit shoqëror dhe stabilitetit të rajonit"./Radio Vatikani