Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi 80-vjetorin e bombardimeve atomike të qyteteve japoneze Hiroshima e Nagasaki, “ngjarje tragjike” që mbeten si “paralajmërim universal” kundër “shkatërrimit” shkaktuar nga konfliktet dhe bombat bërthamore. Në një botë ngarkuar me tensione e luftëra, uroj të rizbulohet drejtësia e të përtërihet “besimi në vëllazërinë”
Në zemër të verës romake, jehona e një tragjedie të largët në kohë, por tejet afër ndërgjegjes së njerëzimit, jehoi sot, 6 gusht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Leoni XIV, në fund të audiencës së përgjithshme, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, duke kujtuar 80-vjetorin e bombardimit atomik të Hiroshimës, prelud i bombardimit të Nagasakit, i cili do të kujtohet rishtas më 9 gusht.
"Shkatërrimi" i luftës dhe i kokave bërthamore
"Siguroj lutjet e mia", thotë Papa, "për të gjithë ata që kanë vuajtur efektet e tyre fizike, psikologjike dhe sociale". Duke vazhduar thirrjen e tij, Ati i Shenjtë vijon: "Pavarësisht nga kalimi i viteve, ato ngjarje tragjike përbëjnë paralajmërim universal kundër shkatërrimit shkaktuar nga luftërat e, në veçanti, nga armët bërthamore". Fjalë, që i bëjnë jehonë atyre të mesazhit dërguar Ipeshkvit Alexis Mitsuru Shirahama, të Hiroshimës, në të cilin Leoni XIV i nxit njerëzit të kenë "guximin për t’i lëshuar armët", veçanërisht "armët që janë të afta të shkaktojnë katastrofa të papërshkrueshme".
Mbështetuni në drejtësi, në dialog e vëllazëri
Në rrethana ndërkombëtare "përplot me tensione të forta dhe konflikte të përgjakshme", Papa përsëritë thirrjen për ta kapërcyer logjikën e parandalimit bërthamor: "Shpresoj që, në botën bashkëkohore, siguria iluzore e bazuar në kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellë do t'i lërë vendin mjeteve të drejtësisë, praktikës së dialogut dhe besimit të vëllazërisë"./Radio Vatikani