Papa kërkoi që papamobili i tij të shndërrohej në klinikë për fëmijët e Rripit të Gazës. Caritas Jerusalem: "Nuk është thjeshtë mjet, por afërsi e Papës me më të ligshtit".
Trashëgimia e paqes e Papës Françesku vazhdon të shkëlqejë në botën tonë përplot me konflikte. Afërsia që tregoi me më të ligshtit gjatë papnisë, vazhdon të rrezatojë edhe pas vdekjes së tij. Ndaj ky vendim i fundit nuk bën përjashtim: papamobili i tij, i njëjti automjet me të cilin përshëndeti dhe iu afrua miliona besimtarëve në të gjithë botën, do të shndërrohet në njësi shëndetësore të lëvizshme për fëmijët e Gazës.
Dëshira e fundit për fëmijët e Gazës
Ishte dëshira e tij e fundit për popullin, ndaj të cilit kishte treguar aq shumë solidaritet gjatë papnisë, veçanërisht në vitet e fundit. E edhe në muajt e tij të fundit, Papa ia besoi nismën Caritas Jerusalem-it, duke u përpjekur për t'iu përgjigjur krizës së tmerrshme humanitare në Rrip, ku janë zhvendosur pothuajse një milion fëmijë. Ndërmjet luftës shkatërruese, infrastrukturës së shembur, sistemit shëndetësor të gjymtuar dhe mungesës së arsimit, fëmijët janë të parët që paguajnë haraç me urinë, infeksionet dhe kushte të tjera të këqija shëndetësore, që ua vënë jetën në rrezik. Papa Françesku kujtonte shpesh se “fëmijët nuk janë numra. Janë fytyra. Emra. Histori. Secili prej tyre është i shenjtë”. Kujtonte - e me këtë dhuratë të fundit, fjalët e tij u shndërruan në vepra.
Papamobili - i quajtur tani “Automjeti i Shpresës” - është pajisur me mjete për diagnostikimin, ekzaminimin dhe trajtimin e sëmundjeve, duke përfshirë teste të shpejta infeksioni, vaksina, komplete qepjeje dhe furnizime të tjera shpëtimtare. Gjithashtu do të ketë mjekë dhe punonjës shëndetësorë dhe - sapo të rifillojë hyrja e ndihmës humanitare në Rrip - do të arrijë tek fëmijët në cepat më të izoluar të Gazës.
Në një njoftim për shtyp, Peter Brune, sekretar i përgjithshëm i Caritas-it të Suedisë, që e vijoi organizmin e projektit edhe përmes donacioneve nga besimtarët gjatë Kohës së Ardhjes, shkroi:“Me këtë automjet, do të jemi në gjendje t’i arrijmë fëmijët, që sot nuk kanë kujdes shëndetësor, fëmijët e lënduar dhe të kequshqyer”. Është ndërhyrje konkrete dhe shpëtimtare, në një kohë kur sistemi shëndetësor i Gazës është shembur pothuajse plotësisht"- shton ai.
Ftesë, për të mos harruar
Ndërkaq Caritasi i Jeruzalemit, që u shërben prej kohësh bashkësive në Gaza ndër kushte të vështira, po vazhdon përpjekjet e tij në terren. Me mbi njëqind anëtarë të stafit të përkushtuar për të ofruar kujdes shëndetësor, organizata vazhdon të ndërtojë mbi trashëgiminë e dhembshurisë dhe të forcës së Bergoglios, duke sjellë bekimin e tij të fundit për popullin e Gazës. “Ky automjet përfaqëson dashurinë, kujdesin dhe afërsinë e Atit të Shenjtë për më të prekshmit”, kujton Anton Asfar, sekretar i përgjithshëm i Caritas Jerusalem.
Automjeti do të përshtatet me kujdes sipas nevojave të atyre që kanë më shumë nevojë. Por “nuk është vetëm automjet”, përfundon Brune. “Është mesazh për t’i thënë botës të mos i harrojë fëmijët e Gazës”./Radio Vatikani