Zëri i Elbenita Kajtazit dridh sallën private për Operën pesëvjeçare
Zëri i Elbenita Kajtazit dridh sallën private për Operën pesëvjeçare 20.11.2026 | 03:29
Se sopranoja Elbenita Kajtazi, me zërin e saj, do të sjellë magjinë e skenave botërore, është ajo që mund të pritet ende pa nisur koncerti. Por realiteti rishfaqet sapo dirigjenti jep shenjë për tingullin e fundit: Opera e Kosovës feston pesëvjetorin në një sallë private që nuk mbushet plot, ndërtimi i objektit është fort larg, dy javë më parë sherri i buxhetit “lëkund” edhe koncertin e jubileut dhe histori si këto kanë shenja të përsëritjes edhe në jubile të tjerë. Anash telasheve të përhershme, Elbenita Kajtazi, tok me Orkestrën nën dirigjimin e Carlo Goldsteinit, kanë sjellë kontrastin: shkëlqimin e botës operistike.
 
Për gjendjen e Operës së Kosovës pesë vjet pas themelimit, imazhi më i qartë ka qenë koncerti që ka kremtuar këtë jubile. Me figura të shquara në skenën botërore dhe me instrumentistë të talentuar që sjellin çdo notë të repertorit botëror për publikun e tyre. Në anën tjetër, në sallë private, pa shtëpi të veten, pa kushte të duhura as për koncerte, për prova jo se jo. Pa trupë rezidente, por me instrumentistë e koristë që angazhohen me honorare, e madje me ushtrues detyre të drejtorit qe pesë vjet. Një koncert, që nja dy javë më parë, ishte në dyshim edhe nëse do të mbahej për shkak të borxheve prej mbi 200 mijë eurosh të këtij institucioni.
 
Më tej, kur viti prek fundin, e ishte paralajmëruar se do të nisnin punimet, Teatri i Operës dhe Baletit nuk ka as projekt të detajuar, përderisa buxheti i paraparë për të në tre vjet nuk mbulon as 2 për qind të kostos totale prej 50 milionë eurosh, sa llogaritet konkretizimi i tij.
 
Por të gjitha këto ngecje të institucioneve përgjegjëse, natyrisht, mbulohen me tingujt e talenteve të reja, dirigjimin e një mjeshtri të skenave botërore dhe zërin që po pushton skenat e shtëpive operistike në botë.
 
Sopranoja Elbenita Kajtazi dhe Orkestra e Operës së Kosovës, nën dirigjimin e italianit Carlo Goldstein, kanë sjellë shkëlqimin e institucionit, që mbulon gjithë mungesën e kushteve, por jo mungesën e talentit të brezit të ri që synon ta ngrejë këtë institucion.
 
Pikërisht kontrasti ndërmjet asaj që mund të prodhojë skena dhe asaj që institucionet përgjegjëse kanë dështuar t’i sigurojnë, e bëri këtë pesëvjetor edhe pasqyrë të gjendjes së Operës.
 
Opera e Kosovës ishte themeluar në gusht të vitit 2021, me vendim të Kuvendit të Kosovës. Dy muaj më vonë, më 31 tetor, në Ditën Botërore të Operës, ishte mbajtur koncerti inaugurues, siç e ka kujtuar muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, e cila më parë kishte qenë edhe anëtare e Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Ajo e ka cilësuar themelimin si realizim të një dëshire që e kishte pritur gjatë.
 
“Opera e Kosovës nuk po feston vetëm një përvjetor. Së bashku po festojmë një ëndërr që ka marrë emër, ka gjetur pikën e saj të nisjes dhe tashmë ka një histori. Më 31 tetor të vitit 2021, në Ditën Botërore të Operës, u mbajt koncerti inaugurues i Operës së Kosovës. Ne po i jepnim formë një dëshire që kishte pritur gjatë. Zërat i kishim, kompozitorët gjithashtu. Na mungonte skena”, ka thënë ajo.
 
Kryeziu-Breznica, e cila e ka përcjellë institucionin që nga hapat e parë, ka kujtuar edhe vështirësitë e fillimit, kur mungonte përvoja për ndërtimin e një produksioni operistik, por edhe përkushtimin për ta bërë këtë të mundur.
 
“E kemi parë këtë institucion të lindë, ta bëjë hapin e parë dhe të rritet. Jemi rritur bashkë dhe kemi mësuar bashkë. Nuk dinim si ndërtohej një produksion opere. Edhe sot nuk mund të themi se kemi ekspertizë të mirëfilltë në këtë fushë, por ia dolëm ta ndërtonim. Shfaqje pas shfaqjeje, provë pas prove, premierë pas premiere”, ka thënë ajo.
 
Hapi i parë skenik i Operës erdhi më 15 dhjetor të vitit 2022, me “La Traviata” të Giuseppe Verdit. Për këtë produksion ishte ndërtuar një skenë e posaçme në Sallën e Sporteve në Prishtinë. Kryeziu-Breznica e ka rikthyer atë përvojë si një prej momenteve që dëshmuan se ëndrra për operën mund të merrte formë edhe në hapësira që nuk ishin menduar për këtë lloj arti. “Aty ku zakonisht dëgjohen brohoritjet e tifozëve, atë natë u dëgjua Verdi”, ka thënë ajo.
 
Por pesë vjet pas themelimit, institucioni vazhdon të jetë larg funksionimit të një shtëpie të mirëfilltë operistike. Opera e Kosovës ende nuk ka shtëpi të veten, ndërsa për çdo projekt angazhon instrumentistë, koristë dhe solistë me honorare. Kështu, ajo funksionon më shumë si agjenci operistike sesa si institucion me ansamble të përhershme.
 
Dirigjenti dhe kompozitori Rafet Rudi e ka vlerësuar punën e bërë gjatë kësaj periudhe, por ka theksuar se institucioni është ende në proces ndërtimi.
 
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se Opera është ende në ndërtim e sipër. Ajo jo vetëm që nuk e ka shtëpinë e vet, pra Teatrin e Operës, por edhe ansamblet janë ende në formim”, ka thënë Rudi.
 
Ka veçuar përbërjen e orkestrës në koncertin jubilar, duke vlerësuar se në koncert pati një numër të madh të instrumentistëve të rinj dhe zvogëlim të varësisë nga huazimet prej Filarmonisë së Kosovës.
 
“Ajo që më ra në sy në këtë koncert ishte numri mjaft i madh i instrumentistëve të rinj. Kjo do të thotë se huazimet nga Filharmonia, sipas përshtypjes sime, ishin në një masë më të vogël, gjë që e përshëndes. Sa më shpejt që të vetësohet orkestra e Operës, aq më mirë për zhvillimin e saj. Mendoj se ky është një drejtim pozitiv në rrugëtimin e institucionit”, ka thënë maestro Rudi.
 
Në këtë koncert, Rudi e ka veçuar edhe paraqitjen e Elbenita Kajtazit, zhvillimin e së cilës e ka përcjellë për rreth një dekadë, që nga koha e angazhimit të saj në Filharmoninë e Kosovës.
 
“Elbenita pati një paraqitje të shkëlqyeshme. Natyrisht, kjo sallë, e cila nuk ka akustikën e duhur, përbën një lloj hendikepi. Megjithatë, ajo ia doli të përballej me këtë. E kam përcjellë prej rreth dhjetë vjetësh, që nga koha e Filharmonisë, dhe mund të them se ka pasur një ngritje kolosale. Tashmë është një artiste e mirëfilltë. Karriera e saj është në lulëzim e sipër dhe pres që të arrijë edhe suksese më të mëdha”, ka thënë Rudi për sopranon me karrierë të bujshme në Gjermani.
 
Mungesën e kushteve e ka theksuar edhe vetë sopranoja, e cila ka vlerësuar përpjekjet e orkestrës dhe të institucionit, por ka vënë në pah se një koncert i muzikës klasike kërkon hapësirë të përshtatshme akustike. Sipas saj, potenciali i artistëve do të mund të shfaqej në një nivel tjetër po të kishin një sallë të ndërtuar për këtë qëllim.
 
“Unë mendoj se, duke pasur parasysh kushtet në të cilat punojnë, kanë arritur mjaftueshëm. Kushtet nuk janë aspak adekuate për të punuar apo për të vënë në skenë një shfaqje operistike. Prandaj, i përgëzoj jashtëzakonisht shumë për gjithë mundin dhe përkushtimin që tregojnë për ta çuar përpara këtë institucion”, ka thënë Kajtazi.
 
Ajo ka shtuar se performimi në një sallë të papërshtatshme e kufizon nivelin artistik të një koncerti të tillë.
 
“Të performosh në një sallë të tillë me muzikë klasike nuk është aspak e përshtatshme. Jam e bindur se, po të kishim qenë në një sallë adekuate, koncerti do të kishte një nivel artistik shumë më të lartë. Besoj se themelimi i institucionit është një hap i mrekullueshëm, por tani duhet të ndërtohet edhe godina ku do të performojnë artistët, me akustikë adekuate dhe me të gjitha kushtet e nevojshme për interpretimin e shfaqjeve operistike”, ka thënë ajo.
 
Përtej infrastrukturës, Kajtazi ka vënë në pah edhe nevojën që repertori i Operës të zgjerohet përtej veprave të kompozitorëve që tashmë janë interpretuar. Ajo ka përmendur Verdin dhe Puccinin si pjesë të repertorit të deritashëm dhe ka thënë se duhet të përfshihen edhe kompozitorë francezë, gjermanë e të tjerë. Sipas saj, ardhja e dirigjentëve ndërkombëtarë krijon mundësi që instrumentistët e rinj të krijojnë kontakte dhe të mësojnë nga përvoja e artistëve që punojnë në skenat botërore.
 
“Vetë fakti që ne ftohemi të vijmë këtu dhe që sillen dirigjentë të mrekullueshëm, krijon automatikisht mundësi për kontakte. Instrumentistët që janë të interesuar të përparojnë kanë mundësinë të takohen drejtpërdrejt me njerëz të rëndësishëm të botës së artit dhe të operës jashtë Kosovës”, ka thënë ajo.
 
Koncerti i pesëvjetorit, i drejtuar nga dirigjenti italian Carlo Goldstein, ishte një shembull i këtij bashkëpunimi. Edhe dirigjenti e ka vënë në pah vështirësinë që sjell mungesa e një skene të përhershme për realizimin e produksioneve.
 
“Natyrisht, për Operën e Kosovës është e vështirë të mos ketë një skenë të përhershme. Kjo e bën të gjithë procesin e realizimit të produksioneve pak më të vështirë. Megjithatë, i vlerësoj shumë njerëzit që kam takuar dhe përpjekjet e tyre për të bërë më të mirën për jetën muzikore të Prishtinës dhe të Kosovës. I uroj sinqerisht kësaj orkestre të re që sa më shpejt të ketë një teatër opere. Talenti i muzikantëve të saj e meriton një shtëpi të operës”, ka thënë ai.
 
Por, me gjithë kushtet, ka thënë se do të donte të punonte së bashku me këtë institucion.
 
“Natyrisht, do të dëshiroja t’i takoja sërish kolegët e orkestrës dhe, pse jo, të punonim së bashku edhe në repertorë të ndryshëm. Sonte patëm një program mjaft të larmishëm, por sigurisht që ka edhe shumë repertorë të tjerë që mund të eksplorohen. Sugjerimi i vetëm që mund t’i jap një orkestre kaq të re është që të fitojë sa më shumë përvojë dhe të ketë më shumë mundësi për t’u zhvilluar. Shpresoj që këto mundësi t’i ketë në të ardhmen”, është shprehur ai.
 
Programi i koncertit është ndërtuar si udhëtim nëpër disa prej titujve më të njohur të repertorit operistik evropian, duke ndërthurur uvertura orkestrale, pjesë instrumentale dhe arie që kërkojnë shkathtësi të ndryshme vokale e interpretuese. Nga Mozart te Verdi, Bizet, Gounod e Puccini, e deri te Tchaikovsky dhe Lehár, repertori ka bashkuar periudha dhe stile të ndryshme.
 
Pjesa e parë e programit nisi me uverturën e operës “Le nozze di Figaro” të Mozartit, për të vijuar me arien “E Susanna non vien!... Dove sono i bei momenti” nga e njëjta vepër, kënduar nga Kajtazi. Më pas, muzika ka kaluar te Georges Bizet, me muzikën hyrëse në operën “Carmen” dhe më pas me rrëfimin e sjellë nga Kajtazi të kësaj vepre me arien “Je dis que rien ne m’épouvante”. Në repertor është përfshirë edhe “Amour, ranime mon courage” nga “Roméo et Juliette” e Charles Gounodit.
 
Nga veprat e Giuseppe Verdit, dirigjenti dhe orkestra sollën preludin nga “Luisa Miller”, arien “Addio del passato” nga “La Traviata”, si dhe “Tu puniscimi, o Signore... A brani, a brani, o perfido!” nga “Luisa Miller”. Pas pauzës, programi vazhdoi me arien tejet emocionuese “Senza mamma” nga “Suor Angelica” e Giacomo Puccinit, një prej momenteve më dramatike të repertorit. Më pas, u interpretua poloneza nga “Eugene Onegin” i Tchaikovskyt, si dhe skena e letrës së Tatianës nga e njëjta operë. Mbrëmja u përmbyll me “Meine Lippen, sie küssen so heiß” nga opereta “Giuditta” e Franz Lehárit. Jashtë programit zyrtar ka jehuar edhe “Unë, biri yt, Kosovë” e Feim Ibrahimit me tekst të Ali Podrimjes.
 
Ky repertor i dha mundësi Kajtazit të shfaqte një spektër të gjerë interpretues, ndërsa orkestra u përball me programin që kërkonte ndryshime të vazhdueshme të karakterit dhe të ngjyrimit muzikor.
 
Ishte një program që dëshmoi ambicien artistike të institucionit, por njëkohësisht e bëri edhe më të dukshme mospërputhjen ndërmjet nivelit të repertorit dhe kushteve në të cilat ai realizohet.
 
Në fund të muajit të kaluar, gjendja financiare e Operës kishte ngritur pikëpyetje për realizimin e tij. Sipas raportimit të KOHËS, institucioni kishte mbi 200 mijë euro detyrime financiare, ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit, Meriton Ferizi, kishte bërë të ditur se buxheti aktual në dispozicion ishte zero.
 
Të enjten, pas gala-koncertit, i pyetur për vështirësitë financiare dhe rrezikun që kishte ekzistuar për koncertin jubilar, Ferizi ka thënë se institucioni kishte pasur probleme me financimin e disa aktiviteteve të tjera, por se ky koncert ishte rezervuar shumë më herët dhe nuk kishin dashur ta anulonin.
 
“Po, ka pasur vështirësi, por ato kanë qenë për aktivitete të tjera. Koncertin e kemi rezervuar shumë kohë më parë dhe nuk kemi dashur që ky koncept të anulohet. Kemi pasur disa aktivitete me Shqipërinë, ku do të merrnim pjesë me korin, si dhe me ‘Arrëthyesin’. Por, për sa i përket Operës, ky ka qenë koncerti qendror”, ka thënë ai.
 
Ferizi ka vlerësuar se institucioni ka shënuar përparim në konsolidimin e orkestrës, duke bërë të ditur se, pas shtatë audicioneve, 95 për qind e saj përbëhet nga instrumentistë të rinj.
 
“Kjo është një arritje e madhe. Institucioni ka arritur një nivel të caktuar konsolidimi dhe presim që në vitet në vijim të kemi gjithmonë kushte më të mira. Salla më dinjitoze dhe investime të tjera janë në rrugë e sipër. Presim që këto investime ta çojnë institucionin shumë më përpara, në mënyrë që kjo rini e mrekullueshme që kemi këtu, këta instrumentistë, koristë dhe solistë, të qëndrojnë në Kosovë dhe të jenë bartës të këtij institucioni që është ende në zhvillim”, është shprehur Ferizi.
 
Pesë vjet pas themelimit, Opera e Kosovës ka dëshmuar se ka zëra, muzikantë dhe potencial për të qenë pjesë e skenës ndërkombëtare. Por një institucion nuk mund të mbahet vetëm mbi talentin dhe përkushtimin e artistëve. Përndryshe, rreziku është që çdo përvjetor të kremtohet si një tjetër dëshmi e asaj që artistët arrijnë të bëjnë pavarësisht kushteve, e jo si shenjë e përmbushjes së përgjegjësive institucionale./Koha.net