Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar vendimin e ZRrE-së që pritet të hyj në fuqi nga nesër. Sipas tij ky vendim do t’i dëmtoj bizneset e Kosovës.
Prandaj, Hoti ka pyetur se në agend të kujt është qeveria si dhe ZRrE-ja, por sipas tij, jo në agjend të bizneseve të Kosovës.
E plotë:
Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.
Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve.
Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë.
Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.
Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës.