Imamët e BIK-ut në fotografi me personin e shpallur terrorist, dalin në pah edhe dyshimet për lidhjet me Hamasin
Imamët e BIK-ut në fotografi me personin e shpallur terrorist, dalin në pah edhe dyshimet për lidhjet me Hamasin 20.11.2026 | 02:25
Abdallah Sami Ben Mansour, president i Këshillit të Myslimanëve Evropianë (CEM), është futur në listën egjiptiane të terroristëve për pesë vjet, ndërsa organizata që drejton është përfshirë në listën e entiteteve terroriste, bashkë me degët e saj. Dy vjet më parë, imamë nga Kosova, që veprojnë nën Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ishin fotografuar në një takim me të në Doha, në një aktivitet ku merrte pjesë edhe udhëheqësi i atëhershëm politik i Hamasit, Ismail Hanije.
 
Vendimi i Gjykatës Penale të Kajros, i datës 10 nëntor 2026, përfshiu 36 individë dhe 35 organizata në listat egjiptiane të terroristëve dhe entiteteve terroriste, për një periudhë pesëvjeçare. Në listën e individëve figuron Abdallah Sami Ben Mansour, ndërsa në atë të organizatave është përfshirë Këshilli i Myslimanëve Evropianë dhe degët e tij, shkruan Nacionale, transmeton Periskopi.
 
Por, ky nuk është i vetmi element që e bën problematik takimin e imamëve kosovarë me këtë figurë.
 
Ben Mansour dhe organizata që drejton kanë qenë prej kohësh në qendër të polemikave për raportet e tyre ideologjike me Vëllazërinë Myslimane, lëvizje e islamit politik që ka nxitur shqetësime në disa vende evropiane.
 
Audio-incizimet që nxorën në pah lidhjet me Vëllazërinë Myslimane
 
Në nëntor të vitit 2026, televizioni egjiptian “Extra News” publikoi tri audio-incizime që i atribuohen Ben Mansourit, duke thënë se ato hedhin dritë mbi lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane dhe historinë e organizimit të kësaj lëvizjeje në Evropë.
 
Sipas raportimit të “Egypt Today”, në njërin prej incizimeve Ben Mansour flet për përkatësinë e tij në Vëllazërinë Myslimane, ndërsa në të tjerat për themelimin e strukturave organizative dhe rolin e anëtarëve të lëvizjes në zgjerimin e rrjeteve në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
 
Raportet franceze dhe shqetësimet për ideologjinë e organizatës dhe Ben Mansourit
 
Këshilli i Myslimanëve Evropianë(CEM) është përmendur edhe në raportet e institucioneve franceze që kanë shqyrtuar shtrirjen e Vëllazërisë Myslimane në Evropë.
 
Emri i Ben Mansourit përmendet edhe në një raport parlamentar francez, në kontekstin e marrëdhënieve të drejtuesve të CEM-it me figura të lidhura me Hamasin dhe rrjetet e Vëllazërisë Myslimane.
 
Një detaj edhe më domethënës shfaqet në transkriptin e dëshmisë së profesorit Bernard Rougier para këtij komisioni.
 
Duke paraqitur fotografi nga takime të vitit 2022, Rougier përmend drejtpërdrejt Abdallah Ben Mansourin, së bashku me Majed al-Zeer, të cilin e identifikon si përfaqësues të Hamasit në Evropë.
 
Raporti i Komisionit Hetimor të Asamblesë Kombëtare të Francës, i publikuar më 10 dhjetor 2025, e identifikon CEM-in si një nga strukturat kryesore të rrjetit evropian të kësaj lëvizjeje.
 
Raporti thekson se, megjithëse drejtuesit e CEM-it nuk e kanë konfirmuar përkatësinë formale të organizatës në strukturën ndërkombëtare të Vëllazërisë Myslimane, ekzistojnë një sërë treguesish që dëshmojnë vazhdimësi ideologjike dhe strukturore ndërmjet tyre.
 
Në të njëjtin raport, CEM përshkruhet si strukturë që koordinon dhe organizon strategjinë e ndikimit të Vëllazërisë Myslimane ndaj institucioneve evropiane.
 
Raporti trajton edhe ideologjinë e kësaj lëvizjeje, duke theksuar kundërshtimin e saj ndaj laicitetit, barazisë gjinore dhe sovranitetit popullor kur këto bien ndesh me ligjin fetar. Këto qëndrime paraqiten si në kundërshtim me parimet e demokracive liberale evropiane.
 
Një tjetër element me rëndësi është Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime (ECFR), i cili sipas raportit francez është një nga organizatat sektoriale që burojnë nga CEM-i dhe merret me përcaktimin e jurisprudencës islame.
 
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një organizatë që organizon aktivitete fetare, por për një rrjet institucionesh me funksione të ndryshme fetare, arsimore, organizative dhe të ndikimit në Evropë.
 
Imamët e BIK-ut në Doha, në të njëjtën asamble me udhëheqësin e Hamasit dhe Ben Mansourin
 
Takimi i imamëve kosovarë me Ben Mansourin ndodhi në janar të vitit 2024, gjatë Asamblesë së Gjashtë të Përgjithshme të Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë.
 
Fotografia e takimit u publikua nga Bashkim Aliu, imam me prejardhje nga Kosova dhe figurë e njohur e komunitetit mysliman në Zvicër.
 
“Patëm nderin të takohemi me kryetarin e Këshillit të Myslimanëve të Evropës me qendër në Bruksel, prof. Abdullah ben Mensur”, kishte shkruar Aliu më 17 janar 2024.
 
Në fotografi shihen pjesëmarrës nga Kosova, përfshirë imamë që, sipas raportimeve të mëhershme të Nacionales, shërbejnë në strukturat si imama e kryeimam të BIK-ut ose janë të lidhur me to.
 
Në delegacion ishin Nusret Abazibra, Rexhep Lushta, Iljaz Mustafa, Korab Hajra dhe Naser Kastrati.
 
Në të njëjtën asamble ishte i pranishëm edhe Ismail Hanije, atëherë udhëheqës i Byrosë Politike të Hamasit.
 
Prania e imamëve të lidhur me institucionin më të lartë fetar islam në Kosovë në një aktivitet të tillë, përkrah figurave të tilla, kërkon sqarim të plotë institucional.
 
Kontrasti me deklaratat e BIK-ut për tolerancën
 
Bashkësia Islame e Kosovës e ka paraqitur vazhdimisht veten si promovuese të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare.
 
Myftiu Naim Tërnava ka deklaruar se institucioni që drejton është i përkushtuar për “promovimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare”.
 
Por, fotografitë e imamëve të lidhur me BIK-un në Doha, takimi me Ben Mansourin dhe prania në të njëjtën asamble me udhëheqësin e atëhershëm të Hamasit krijojnë një kontrast që nuk mund të anashkalohet.
 
BIK-u nuk mund të mjaftohet me deklarata të përgjithshme për tolerancë, pa dhënë llogari edhe për kontaktet, përfaqësimet dhe aktivitetet ndërkombëtare të imamëve që shërbejnë nën ombrellën e tij.
 
Gazeta Nacionale i është drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) me pyetje lidhur me këta imamë që veprojnë nën ombrellën e institucionit kryesor të komunitetit mysliman në Kosovë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje. 
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.