Jakaj: Seanca e 8 gushtit ishte jokushtetuese, Dehari po shkel afatin 48-orësh
Jakaj: Seanca e 8 gushtit ishte jokushtetuese, Dehari po shkel afatin 48-orësh 10.08.2026 | 14:24
Ndërsa Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet pa u konstituuar plotësisht, dilema tashmë është zhvendosur edhe në terrenin kushtetues. Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se vazhdimi i seancës konstituive më 8 gusht nuk e zgjidhi ngërçin, por solli një tjetër shkelje, pasi sipas tij, afati kushtetues dhe ai i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit tashmë janë tejkaluar, raporton Ekonomia Online.
 
Jakaj për EO tha se përgjegjësia kryesore bie mbi kryesuesin e seancës, Avni Deharin, i cili, sipas tij, është dashur të kërkojë nga partia e parë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të ndjekë procedurat për konstituimin e plotë të institucionit.
 
“Atëherë, dihet mirëfilli që sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, seanca konstitutive do të duhej me u përfunduar brenda 30 ditëve nga dita kur janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Seanca është nisur me rregull, por ajo nuk ka përfunduar sipas afateve të përcaktuara me Kushtetutë, Rregullore dhe me aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, ka moszbatim të Kushtetutës, ka shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, respektivisht nga kryesuesi i seancës konstitutive, zoti Dehari, i cili në mënyrë arbitrare në seancën kur është thirrur seanca konstitutive, ai e ka ndërprerë seancën duke mos i kërkuar në mënyrë aktive partisë së parë që të propozojë kryetarin, kandidatin për kryetar të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë pastaj edhe me kërkesën për propozim të nënkryetarëve, rrjedhimisht edhe konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Jakaj.
 
Sipas tij, aktualisht ka një situatë të re të shkeljes kushtetuese dhe të moszbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
 
“Aktualisht jemi në një gjendje të shkeljes kushtetuese, të moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka kërkuar secilit kryesues, veçanërisht në herët e kaluara zotit Dehari, që skenarin e përcaktuar me vendim të Kryetares së Kuvendit së bashku me kryetarët e partive politike ta zbatojë me përpikëri. Një gjë e tillë nuk është duke ndodhur për arsye kryesisht politike dhe dhe të instrumentalizimit të funksionit të kryesuesit të seancës konstitutive nga zoti Dehari”, ka deklaruar ai.
 
Jakaj ka thënë se Dehari nuk është dashur të bëhet pjesë e skenarit të përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje, por të zbatojë skenarin e administratës së Kuvendit.
 
“Ai nuk do të duhej të lejonte që të bëhej pjesë e skenarit të përgatitur nga partia e cila ka dalë e para në zgjedhjet e fundit, pra nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai do të duhej që një skenar të përgatitur nga administrata e Kuvendit dhe kjo krejt në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren dhe kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me e zbatuar në përpikëri”, ka thënë Jakaj.
 
Ai ka ngritur edhe çështjen e afatit 48-orësh për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive, duke thënë se ky afat tashmë është shkelur.
 
“Sot është ditë e hënë dhe Rregullorja e Kuvendit kërkon që ndërprerjet e seancës konstitutive të mos jenë më të gjata se 48 orë. Aktualisht ka një shkelje të re të zotit Dehari, i cili do të duhej ta thërriste seancën konstitutive”, ka deklaruar hulumtuesi i IKD-së.
 
Jakaj ka kritikuar edhe partitë opozitare për, siç tha, mungesën e reagimit ndaj mosvazhdimit të seancës.
 
“Një kritikë tjetër që vlen të theksohet është mungesa e kritikës edhe e deklaratave nga radhët e partisë, partive të tjera të cilat janë në Kuvendin e Kosovës. Sot nuk e di nëse ka ndonjë reagim të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në lidhje me këtë çështje. Ku janë krerët e këtyre partive politike, deputetët e këtyre partive politike që nuk e kanë ngritur zërin që një seancë e tillë nuk është thirrur deri deri më tani? Krejt është në rregull të kritikohet zoti Dehari, Lëvizja Vetëvendosje, sepse e bart përgjegjësinë kryesore për mbarëvajtjen në raport me konstituimin e Kuvendit, por edhe duhet kritikuar edhe partitë e tjera për mosaktivitetin e tyre për në drejtim të konstituimit të të Kuvendit të Kosovës, së paku me deklarata të cilat do të duhej të ishin publike”, ka thënë ai.
 
I pyetur nëse pjesëmarrja e opozitës në vazhdimin e seancës së 8 gushtit përbënte shkelje tjetër kushtetuese, Jakaj ka thënë se IKD e konsideron jokushtetues mënyrën e ndërprerjes dhe vazhdimit të seancës, por jo pjesëmarrjen e deputetëve opozitarë.
 
“Shiko, ne si IKD kemi thënë që seanca e ndërprerë në mënyrë arbitrare është jokushtetuese. Vazhdimi i seancës është jokushtetues. Por pa pasoja juridike, nuk ka ndonjë pasojë nga ana në raport me Kushtetutën, në raport me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se çka ndodh në rast se Kuvendi nuk konstituohet. Në dy aktgjykimet e saj Gjykata Kushtetuese nuk ka treguar se cilat janë pasojat. Në mungesë të këtyre pasojave, PDK, LDK dhe AAK ka bërë mirë që ka marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstitutive me datën 8 gusht dhe do të duhej të bënte mirë që të marrë pjesë në secilën herë dhe në secilën herë ajo të kërkojë nga kryesuesi Dehari që ta respektojë Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe t’i kërkojë partisë së parë ta propozojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Jakaj.
 
Ai ka paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të përdoret si arsye për shkeljen e Kushtetutës.
 
“Në mungesë të një marrëveshjeje politike, ne nuk mund të lejojmë që të shkelim Kushtetutën dhe që të vazhdojmë me instrumentalizim edhe me fiskultura të tjera politike në kuptimin që ato pastaj ta rëndojnë jetën institucionale në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
 
Sa i përket mundësisë që partitë politike ta dërgojnë çështjen e seancës së 8 gushtit në Gjykatën Kushtetuese, Jakaj ka thënë se IKD vlerëson se një kërkesë e tillë nuk do të duhej të bëhej.
 
“Ne si IKD kemi konsideruar që një kërkesë e tillë nuk do të duhej të dorëzohej për faktin se Gjykata Kushtetuese nuk mund të dalë përtej dy aktgjykimeve të saj. Sikurse që nuk ka dalë jashtë objektit kushtetues, në kuptimin që nuk mund të tregojë ajo për ndonjë pasojë në rast të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka treguar që partisë së parë i takon kryetari i Kuvendit, respektivisht propozimi si i tillë. Ajo duhet ta propozojë, duhet ta shohë interesin më të mirë të Republikës secili deputet i Kuvendit të Kosovës dhe që konstituimi të bëhet i plotë brenda 30 ditëve, por pa pasojë”, ka deklaruar Jakaj.
 
Ai ka përmendur edhe kërkesën e ish-presidentës Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat në rast të moskonstituimit të Kuvendit.
 
“Ka një kërkesë të zonjës Osmani në atë kohë, Presidente e Republikës së Kosovës, në pyetjen se cilat janë pasojat, cilat do të duhej të jenë pasojat në rast të moskonstituimit. Gjykata Kushtetuese ndoshta mund të tregojë ndonjë pasojë, ne vlerësojmë se nuk mund të dalë jashtë Kushtetutës së Kosovës. Kjo do të bëhet në raport me kërkesën e saj në dy ato aktgjykime që i përmenda më herët, që deputetët të shohin interesin më të mirë të Republikës, ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
 
Jakaj ka kritikuar partitë politike për përdorimin, sipas tij, të dispozitave kushtetuese për interesa politike.
 
“Fatkeqësisht që ka parti politike në Kosovë të cilat e instrumentalizojnë secilën dispozitë kushtetuese dhe e keqinterpretojnë për përfitime elektorale, por një gjë e tillë nuk do të duhej të bëhej”, ka shtuar Jakaj.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.