Profesori amerikan, Edward Joseph, ka komentuar krizën politike të cilën gjendet Kosova, ku sipas tij kjo po ndodh për shkak të kokëfortësisë së udhëheqjes, ku sipas tij kjo kokëfortësi do të përkeqësoj marrëdhëniet me Amerikën dhe BE-në, përcjell Gazeta Metro.
Joseph vlerëson se zgjedhjet e reja nuk janë në interes të askujt.
“Kjo është një krizë e panevojshme dhe ajo që duhet të shpresojmë është që Gjykata Kushtetuese të vendosë se Kuvendi nuk është shpërbërë, se ekziston një mundësi tjetër që Kuvendi të veprojë përpara se Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, gjë që nuk është në interesin e askujt. Kjo nuk është një krizë politike standarde në të cilën ke rezultate të ngushta dhe është shumë e vështirë të formosh një qeveri, kështu që duhet të shkosh në zgjedhje të reja. Ky është një rast në të cilin ke një mundësi të plotë për të formuar një qeveri, por ka një refuzim dhe kokëfortësi të udhëheqjes në Kosovë për të kuptuar se thjesht duhet të vazhdojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Joseph për “Kosovo Online”.
Sipas profesorit amerikan ngërçi i ri politik mund të tendosë më tej marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Washingtonit, si dhe Bashkimit Europian, sepse, siç shton ai, askush nuk dëshiron më kaos.
“Kush duhet të shohë më shumë kaos? Kjo është një krizë artificiale, një krizë egoje dhe mungese lidershipi dhe nuk është në interes të Kosovës”.
Kriza në Kosovë u rikthye pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, dhe shpërndarjes së kuvendit nga Vjosa Osmani, vendim ky që u dërgua në kushtetuese e momentalisht ky organ ka dhënë një masë të parakohshme deri më 31 mars kur të merret vendimi i tërësishëm. /gazetametro.net