Reforma e asistencës sociale, mijëra familje përfitojnë nga projekti SAS
Reforma e asistencës sociale, mijëra familje përfitojnë nga projekti SAS 02.04.2026 | 15:44
Projekti për Reformën e Asistencës Sociale (SAS) po sjell rezultate konkrete në mbështetje të familjeve në nevojë, duke u cilësuar si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme sistemike në fushën e mbrojtjes sociale gjatë dekadës së fundit.
 
Sipas njoftimit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, “rreth 4,000 familje kanë filluar të përfitojnë për herë të parë mbështetje financiare nga shteti”, falë eliminimit të kritereve kufizuese dhe vendosjes së një qasjeje më gjithëpërfshirëse.
 
Ministria thekson se janë hequr kushte të rëndësishme që më parë përjashtonin familje nga skema sociale. “Është hequr kushti për fëmijë nën 5 vjeç dhe penalizimet e menjëhershme pas punësimit”, thuhet në komunikatë.
 
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është digjitalizimi i procesit të aplikimit. Sipas njoftimit, “procesi i aplikimit është digjitalizuar plotësisht, duke u bërë më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më transparent për qytetarët”.
 
Në kuadër të projektit, mbi 6,000 persona të aftë për punë janë përfshirë në tregun e punës. “Ata po përfitojnë nga shërbimet aktive të tregut të punës, përfshirë trajnimet profesionale dhe subvencionimin e pagave për punëdhënësit”, bën të ditur Ministria.
 
Po ashtu, janë ndërmarrë hapa për forcimin e kapaciteteve institucionale. “Janë angazhuar rreth 200 konsulentë dhe punonjës për forcimin e kapaciteteve në institucionet relevante dhe për monitorim në terren”, thuhet më tej.
 
Ministria njofton se ka nisur edhe monitorimi sistematik i përfituesve: “Ka filluar monitorimi sistematik i familjeve përfituese në të gjitha skemat sociale, me qëllim garantimin e drejtësisë dhe targetimit të saktë të mbështetjes”.
 
Ndërkohë, është në zhvillim një sistem i ri për menaxhimin e skemave sociale dhe pensionale. “Është në proces kontraktimi kompania që do të zhvillojë një sistem modern, duke mundësuar krijimin e një regjistri social të integruar”, thuhet në komunikatë.
 
Sa i përket bazës ligjore, Ministria bën të ditur se “është hartuar drafti i ligjit të ri për skemën e asistencës sociale, i cili eliminon kriteret diskriminuese dhe përmirëson mekanizmat e vlerësimit dhe monitorimit”.
 
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të aplikojnë nëse i plotësojnë kushtet. “Familjet në nevojë inkurajohen të paraqiten në Qendrat për Punë Sociale dhe të kërkojnë hapjen e aplikimit për përfshirje në skemë”, përfundon njoftimi.
 
Projekti SAS synon jo vetëm mbështetje financiare, por edhe integrimin e përfituesve në tregun e punës dhe uljen e varësisë nga ndihma sociale, duke forcuar pavarësinë ekonomike të familjeve.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.