Shkuarja në katër palë zgjedhje, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, humbja e miliona eurove konsiderohen vetëm disa arsyet që quan vendin në rritjen e inflacionit, kështu duke e vështirësuar jetën e qytetarëve të vendit, shkruan Gazeta Metro.
Një rritje u regjistrua edhe të martën sipas të dhënave të ASK-së me inflacion vjetor 6% krahasuar me shkurtin e vitit 2025 dhe inflacion mujor 0,6%,
E arsye për këtë rritje po thuhet të jetë edhe situata politike në vend. Ekonomisti Safet Gërxhaliu tha në një prononcim për Gazeta Metro ku theksoi se Kosova nga viti në vit është duke hyrë në kriza ekonomike.
“Duhet të kuptohet që Kosova me vite të tëra ka një stagnim politik. Kur kemi stagnim politik, kemi edhe stagnim ekonomik. Në këtë drejtim, Kosova po hyn nga viti në vit me krizë dhe me kriza, pra po e vazhdon këtë rrugëtim në këtë drejtim aspekti ekonomik është anashkaluar. Kosova është shndërruar në një shtet të varur nga importi kemi një rritje rekorde të importit: në vitin 2025 i kemi tejkaluar 7 miliardë euro dhe kemi tkurrje të eksportit të mallrave “Made in Kosova””, tha ai.
Tutje ai thotë se tashmë qytetarët duhet ta kuptojnë rëndësinë e stabilitetit politik, si dhe duhet ta kuptojnë nevojën për zhvillim ekonomik.
E situata me zgjedhjet e jashtëzakonshme, që pritet të mbahen së shpejti, sipas ekonomistit pritet të kenë ndikim negtaiv në shumë dimensione, e sidomos në aspektin ekonomik.
“Vetë fakti që ato kanë një kosto në mënyrë legale afër 9 deri në 10 milionë euro është një arsye, sepse Kosova ka nevojë për investime diku tjetër, ku do të kishin efekte pozitive ekonomike. E dyta, do të ketë rënie të performancës, qoftë në administratë, qoftë në institucionet tjera. E treta është paralizimi institucional. Vetë fakti që kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të parashikuara është një goditje e radhës. Kjo është Kosova e vitit 2026. Sikur zgjedhjet të ishin zgjidhje, do ta kisha pasur atë si arsyetimin e vetëm, por kam drojë se me zgjedhje vetëm po thellohen krizat dhe Kosova po vazhdon të jetë në një vakum institucional. Vërtet çdo ditë e më tepër po dëmtohet edhe në aspektin ekonomik, edhe politik, edhe integrues, dhe imazhi i saj është në pikën më kritike”, shpjegoi ai.
Gërxhaliu gjithashtu përmendi edhe faktorët e jashtëm sic është ikja e qytetarëve dhe bizneseve nga Kosova, ku sipas tij këta faktorë dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Fakti që diplomacia është shumë më tepër e politizuar sesa e profesionalizuar është një fenomen tjetër që po e dëmton Kosovën. Prandaj, definitivisht duhet të konstatohet që sot Kosova është ashtu siç e kanë ëndërruar armiqtë e saj”, përfundoi ai./gazetametro.net