Osmani dekoron Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino me medalje nderi
Osmani dekoron Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino me medalje nderi 10.10.2025 | 02:56
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar të mërkurën presidentin e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino me medalje nderi për kontributin e tij në avancimin e rrugës së futbollistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.
 
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Prishtinë, Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.
 
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
 
Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.
 
Infantino ka thënë se është i nderuar me medaljen dhe e ka përmendur se prej kur është ngjitur të krye të FIFA-s, e ka pasur të qartë se Kosova do të duhej të pranohej në organizatë, për shkak të përkushtimit që kishte treguar vendi ndër vite.
 
“Futbolli i bashkon popujt, e bashkon vendin dhe e bën pjesë të një lëvizjeje në Evropë, dhe i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë dhe shpresojnë në të ardhmen e tyre”, ka thënë Infantino.
 
Ai e ka ftuar në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës dhe i ka ftuar të gjithë që të besojnë dhe investojnë në djemtë e ekipit.
 
Përgjatë ceremonisë, si Osmani, ashtu edhe Infantino e kanë përmendur punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri – në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës – për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore.
“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje, këtë nder, Fadil Vokrrit. Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës. E kam takuar Fadilin shumë herë dhe më kujtohet që kur Kosova ishte një vend i ri, sapo kishte lindur, Federata e Futbollit dëshironte të bëhej pjesë e UEFA-s, ku isha unë atëherë, dhe ishte disi pak e vështirë të takohej me dikë prej Kosovës si vend i ri. Më thanë shko dhe takohu me Fadil Vokrrin dhe e takova, diskutuam. Isha përgjegjës edhe për departamentin ligjor të UEFA-s në atë kohë. Po diskutonim për statusin, rregulloret, gjëra të tilla.
 
U deshën vite të tëra. Një herë i thashë, jemi takuar mjaftueshëm, do të shohim çfarë do të ndodhë. Atëherë e kuptova qëndrueshmërinë, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës që besonte në atë që donte dhe kjo e solli anëtarësimin efektiv në UEFA dhe FIFA”, ka deklaruar Infantino.
 
Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
 
Kosovau pranua në FIFAvetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.
 
Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
 
Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.
 
Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos.
 
Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.
 
Suedia dhe Sllovenia janë në dy vendet e fundit me nga një pikë secila.
 
Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, ndërsa vendi i dytë luan në play-off./atsh
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave