Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar ekipin që do ta përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike për të Rinj, të cilat do të mbahen në Dakar të Senegalit, nga 30 tetori deri më 13 nëntor 2026.
Kosova do të përfaqësohet nga tri sportiste në tri disiplina të ndryshme: Arba Hasanaj në xhudo, Shega Sejdiu në taekwondo dhe Erisë Avdullahu në atletikë. Të tria kanë siguruar kuotën minimale të kualifikimit për pjesëmarrje në këtë ngjarje sportive ndërkombëtare.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shprehu pritshmëritë për paraqitje sa më të mira të sportisteve kosovare, duke shpresuar që ekipi të arrijë edhe te medaljet.
Hasanaj dhe Sejdiu u shprehën optimiste për një paraqitje të suksesshme, sikurse edhe trajnerët e tyre, Fatos Tabaku në xhudo dhe Valmir Fetiu në taekwondo. Ndërkaq, Avdullahu mungoi në prezantim, pasi ndodhet në Gjermani dhe ekipit do t’i bashkohet në Senegal.
Me ekipin do të udhëtojë edhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Për Kosovën, kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, pas debutimit në Buenos Aires të Argjentinës, më 2018. Në atë edicion, xhudistja Erza Muminoviq fitoi medaljen e bronztë, duke shënuar suksesin e parë të vendit në këtë ngjarje.
Në Dakar 2026 pritet të marrin pjesë rreth 2,700 sportistë të moshës 15 deri në 17 vjeç, të cilët do të garojnë në 25 sporte të ndryshme./KultPlus.com