Dom Gjon Gazulli në përvjetorin e lindjes
Dom Gjon Gazulli në përvjetorin e lindjes 26.03.2018 | 08:59
Përkujtojmë sot, dom Gjon Gazullin, atë që shkodranët e kanë konsideruar gjithnjë shenjt, aq sa shpesh ndalen tek varri i tij, në Rrëmaj, për t’u lutur e për t’i kërkuar të ndërhyjë për ta pranë Zotit. Për të mos folur për familjen e Gazullorëve ku bënte pjesë, e cila i ka falur gjithnjë Shqipërisë njerëz të mëdhenj.
 
Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!? U dënua me varje. Ekzekutimin e tij e përshkruan në një inervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, oficeri i ngarkuar me varjen e dom Gjonit, Xhemal Dibra:
 
(marrë nga shkrimi i Daniel Gazullit, botuar në “albemigrant”:
 
https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/02/15/daniel-gazulli-martiri-i-atdheut-dom-gjon-gazulli/)
 
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të  ndodhte.
 
Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim  i D. G.). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.
 
Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.
 
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
 
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!
 
Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
 
Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave