Lidhja Demokratike e Kosovës sot shënon 36 vjet nga themelimi i saj, duke kujtuar një nga periudhat më të rëndësishme të historisë politike të vendit.
E krijuar në fund të vitit 1989, në një kohë represioni të ashpër politik e shoqëror, LDK-ja u themelua nga një grup intelektualësh dhe shkrimtarësh me synimin për të organizuar rezistencën politike dhe qytetare në Kosovë.
Në krye të partisë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa Jusuf Buxhovi u emërua sekretar. Anëtarët e këshillit nismëtar ishin:
Jusuf Buxhovi – shkrimtar
Zekeria Cana – historian
Milazim Krasniqi – shkrimtar
Ajri Begu – ekonomist
Ibrahim Rugova – shkrimtar
Bujar Bukoshi – mjek
Fehmi Agani – profesor dhe sociolog
Ibrahim Berisha – gazetar
Mehmet Kraja – shkrimtar
Ali Aliu – studiues i letërsisë
Zenel Kelmendi – mjek
Ramiz Kelmendi – shkrimtar
Idriz Ajeti – akademik
Dërvish Rozhaja – akademik
Mark Krasniqi – akademik
Anton Çetta – profesor
Zenun Çelaj – gazetar
Mustafa Radoniqi – avokat
Basri Çapriqi – shkrimtar
Jusuf Bajraktari – historian
Xhemail Mustafa – gazetar
Hysen Matoshi – gazetar
Neshet Nushi – ekonomist
LDK-ja luajti rol kyç në organizimin e jetës politike dhe shoqërore gjatë viteve ’90, duke promovuar rezistencën paqësore, lirinë e fjalës, tolerancën dhe vlerat demokratike, si dhe duke punuar për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Pas përfundimit të luftës, LDK-ja, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, doli fituese bindëse në zgjedhjet e para, duke u konsoliduar si forcë udhëheqëse politike në vend.
Partia vazhdon të deklarojë se angazhohet për demokraci funksionale, barazi juridike dhe politike për të gjithë qytetarët, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pluralizmin politik dhe pavarësinë e institucioneve, veçanërisht të gjyqësorit.
Në fokus të programit të saj mbetet edhe përkrahja e integrimeve evropiane dhe ndërtimi i një shteti demokratik e funksional.
Aktualisht, Lidhja Demokratike e Kosovës udhëhiqet nga kryetari Lumir Abdixhiku.