Vdekja e Ibrahim Rugovës, fundi i një epoke
Vdekja e Ibrahim Rugovës, fundi i një epoke 23.01.2023 | 15:07
Gani Mehmetaj: Nga libri “Rugovën, si e kam njohur”, botim i UETPRESS, 2022, Tiranë. 
 
Kumti mori dhenë: Pas një sëmundjeje të shkurtër e të rëndë, vdiq Ibrahim Rugova, Presidenti i Kosovës. Kumti i shkurtër e pikëllues, atë ditë të zymtë dimri, e shtoi mërzinë e popullit që e priste një fund të tillë, por ndonjëherë sikur shpresonte në mrekulli. Lajmi ishte i pritshëm, sepse që nga shtatori ai vuante nga një lloj i rëndë kanceri. Javëve të fundit, Rugova nuk mori pjesë në veprimtaritë e përditshme shtetërore, nuk paraqitej në televizion e në gazeta. 
 
Disa muaj më herët, ia vetë bëri me dije se mjekët i thanë që vuan nga kanceri. Por në kumtin që ia drejtonte kombit, çuditërisht kishte optimizëm të lehtë, diçka kaluese, sikur shpresonte se do ta tejkalonte këtë krizë shëndetësore për t’iu kthyer punëve të përditshme, ose u jepte zemër shtetasve. Muaj me radhë, ai punoi ndërsa bënte kimioterapi, dilte në ekran në aktivitetet e shumta sikur nxitonte t’i kryente disa punë më shpejt, që të mos i linte përgjysmë. Pak ditë para se të dilte publikisht për sëmundjen që e kishte mbërthyer, Rugova vuri themelet e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë.  Kur u tha nga goja e tij me lehtësi të pazakonshme, sikur ka ca probleme, të cilat falë Zotit do t’i tejkalonte, edhe ithtarët e tij nisën të besonin.      
 
Spekulimet e shtypit e të analistëve nisën që në krye të herës. Një herë u spekulua kush do ta zëvendësonte Rugovën e sëmurë, kush do ta plotësonte zbrazësinë institucionale, pastaj zbrazësinë në krye të partisë, të cilën e udhëhoqi gati dy dhjetëvjeçarë, në periudhën më të rëndë të historisë së shqiptarëve. Spekulimet, të shumtën e herëve, ishin dashakeqëse, bëheshin me ligësi, shprehnin mospëlqimin ndaj personalitetit të Rugovës, shpalosnin hasmëritë e vjetra por edhe ambiciet e sëmura për pushtet. Kundërshtarët e tij konsideronin se qe Rugova ai që i pengoi të ngriheshin në hierarkinë shtetërore, jo paaftësia e tyre. 
 
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, N. Daci, doli njëherë në mënyrë jo dinjitare për të thënë se vendi nuk ka rrezikun e një krize kushtetuese, ngase siç e arsyetoi ai – sipas Kushtetutës – i takonte atij ta zëvendësonte Rugovën. Dikush ia tërhoqi vërejtjen për këtë deklaratë të padinjitetshme, kështu që ai nuk u dëgjua më. 
 
Në kreun e LDK-së, kishin mbetur fare pak njerëz nga garda e vjetër. Ata që ishin, në pjesën më të madhe nuk bënë asgjë, pos intrigave e ndërskamsave, duke u përpjekur të vinin në krye të institucioneve njerëzit e vet, të familjes apo veten, duke përhapur thashethemnaja të turpshme në frymën e luftës speciale kundër Rugovës. 
 
Nuk mbizotëronte më ajo fryma e vjetër e tolerancës, e dialogut dhe bashkëpunimit brendapartiak. Përkundrazi, kishte hasmëri të ndjeshme mes grupimeve politike që përpiqeshin ta trashëgonin Rugovën, por s’kishin asnjë cilësi apo karizëm. Kjo qe fatkeqësi e madhe, sepse LDK-në e prisnin sfida të mëdha, ditë të vështira e të zymta. Ndërkaq, LDK-ja ishte partia më e madhe dhe më e vjetër në Kosovë, mbi supet e së cilës ranë të gjitha problemet fondamentale të Kosovës, që nga viti 1989.  
 
Rugova, sipas traditës shqiptare, duhej të vajtohej dy herë: një herë pse vdiq, ndërsa ishte njeriu më i madh i shekullit XX e fillimit të mileniumit të tretë, dhe herën e dytë, sepse nuk po linte askënd mbrapa që t’a trashëgonte në politikë. Vajtojcat nga krahina e tij kështu do ta vajtonin. 
 
U shpeshtuan debatet për periudhën e errët e të pasigurt që na priste në mungesë të një klase politike të ndërgjegjshme e profesionale, për moralin e ulët që e kishte pushtuar klasën politike, dhe për një varg problemesh. Deri në atë kohë, të gjitha zbrazëtitë brenda LDK-së i plotësonte Rugova, të gjitha konfliktet e brendshme i zbuti ai, duke i sprapsur edhe goditjet tinëzare të kundërshtarëve politikë, por edhe të tinëzarëve brenda partisë së tij.
 
Opozita nuk ia falte që ua mori pushtetin dy herë radhazi, me votime. Po të jetonte, sërish do të dilte fitimtar. Ndërkaq, opozita brenda LDK-së kërkonte hapësirën e vet, sepse konsideronte se hija e Rugovës ua mori pahun.   
 
Mbretëronte një situatë ku të gjithë përpiqeshin për të zënë një boshllëk, shpeshherë të pamerituar, kurse popullata e ndiente më së shumti zbrazësinë e një lideri të madh, sepse e shihte fare mirë se askush nuk do ta zëvendësonte në mënyrë të denjë, madje ata frikësoheshin me të drejtë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kjo frikë përshkonte tërë hapësirën shqiptare të Kosovës, po edhe Maqedoninë e Kosovën Lindore. Prandaj, vdekja e Rugovës i mobilizoi ta kujtonin edhe një herë me një përkushtim të jashtëzakonshëm.    
 
Mbi një milion shqiptarë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës. Ishte acar që s’mbahej mend.
 
Ishte pamje tragjike dhe madhështore njëkohësisht. Po nderonin rrugëtimin e fundit të njeriut që shenjoi epokën. Morti i tij u bë një lloj pelegrinazhi, si kurrë më parë. Edhe i vdekur, ai e vuri në qendër të vëmendjes sërish Kosovën, duke nxitur shtypin perëndimor t’i riktheheshin problemit të shqiptarëve të Kosovës dhe boshllëkut që po krijohej. Morti i tij i grishi shumë politikanë e burrështetas të vinin e t’i bënin nderimet e fundit personalitetit më të fuqishëm shqiptar. Shumë nga ato personalitete që e njohën: Bill Klinton, Toni Bler, Riçard Hollburk etj. dhanë deklarata mbresëlënëse për personalitetin e tij. Ata nuk e fshihnin se Kosova e rajoni po humbte një njeri të rëndësishëm.  
 
Rugova i vdekur ua kujtoi edhe një herë shtetarëve të Evropës Perëndimore e të ShBA-së kontributin e madh që dha ai për vendin e tij, ndërkaq sikur i obligoi që këtij vendi të varfër e të sfilitur nga lufta, t’ia gjenin hapësirën në yjësinë e shteteve të Evropës.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave