Zbulime të reja arkeologjike në Turqi po nxjeriin në pah të dhëna të rëndësishme për historinë e hershme të krishterimit dhe për mënyrën se si kjo fe u përhap në hapësirën e Perandorisë Romake.
Në rajonin e Anatolisë, (Turqisë së sotme) gjatë dy viteve të fundit janë identifikuar të paktën 12 kisha të panjohura më parë, që datojnë nga shekujt IV-V pas Krishtit, si dhe një numër varresh dhe mbishkrimesh të periudhës së hershme të krishterë.
Një nga zbulimet më të spikatura është një imazh shumë i hershëm i Krishtit, i gjetur në qytetin İznik, i paraqitur si “Bariu i Mirë”. Piktura, e datuar në shekullin III, është ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të kushteve pa oksigjen në një varr nëntokësor, duke mbajtur pothuajse të paprekura ngjyrat dhe detajet pas rreth 1,800 vjetësh. Ajo konsiderohet ndër paraqitjet më të hershme dhe më të ruajtura të Jezusit si i rritur.
Gjetje të tjera të rëndësishme janë evidentuar në qytete si Pergamon, Smyrna, Sardis dhe Ephesus, të cilat përmenden edhe në tekstet e hershme të krishtera. Aty janë zbuluar mbishkrime të koduara, struktura të hershme kishtare, si dhe dëshmi për jetën e komuniteteve të para të krishtera.
Në Ephesus, arkeologët kanë identifikuar një zonë të tërë të ruajtur nga një zjarr i madh në periudhën bizantine, ku janë gjetur objekte të përditshme, ushqime dhe mbetje të një hapësire që besohet se ka shërbyer për pelegrinë të krishterë.
Sipas studiuesve, këto zbulime jo vetëm që konfirmojnë rëndësinë e Anatolisë në përhapjen e krishterimit, por edhe ndihmojnë në kuptimin e zhvillimit të hershëm të besimit në një periudhë kur ai kaloi nga një lëvizje e vogël e persekutuar në një fe të përhapur në gjithë Perandorinë Romake.