Kandidati për president të Polonisë dhe eurodeputeti i krahut ekstrem të djathtë, Grzegorz Braun, ka shkaktuar një tjetër incident të rëndë politik, pasi dogji flamurin e Bashkimit Evropian brenda godinës së Ministrisë së Industrisë në Katowice. Para se ta digjte flamurin, ai fshiu këpucët mbi të, në një akt simbolik fyes ndaj BE-së.
Incidenti vjen vetëm një ditë pasi Parlamenti Evropian i hoqi Braun-it imunitetin, duke i hapur rrugë ndjekjes penale nga autoritetet polake për disa veprime të mëparshme.
Tu jest Polska 🇵🇱 nie Bruksela! pic.twitter.com/MxGOoaufUe
— Grzegorz Braun (@GrzegorzBraun_) May 6, 2025
Në dhjetor të vitit 2023, Braun përdori një aparat për shuarjen e zjarrit për të fikur qirinjtë e Hanukës në parlamentin polak, si protestë kundër kremtimit të festave hebraike në institucionet shtetërore. Ai pretendoi se Hanuka nuk është një festë fetare, por një ngjarje historike e një shteti të huaj, dhe kritikoi organizatën Chabad-Lubavitch që organizon këtë ngjarje çdo vit në parlament.
Precz z eurokomuną! Tu jest Polska 🇵🇱 pic.twitter.com/e0PLoXlZJA
— Grzegorz Braun (@GrzegorzBraun_) May 6, 2025
Prokuroria shtetërore e Polonisë kishte kërkuar heqjen e imunitetit europarlamentar të Braun-it pas zgjedhjeve të qershorit 2024, në të cilat ai u rizgjodh si përfaqësues në Parlamentin Evropian.
Braun përballet me disa akuza penale, përfshirë fyerje të një grupi fetar në parlamentin polak, ndërprerje të një ligjërate mbi Holokaustin në Institutin Gjerman të Historisë si protestë ndaj pretendimeve për përfshirjen e polakëve, si dhe për heqjen dhe hedhjen në mbeturina të një peme Krishtlindjeje të zbukuruar me simbole LGBT nga një gjykatë në Krakov.