Pit-pitak, cic-mic, loja fshehurazi, me guralecë e shumë të tjera, janë lojëra popullore, të cilat kanë zënë vend të rëndësishëm në traditën tonë. Kur kujtojmë fëmijërinë tonë, pjesë e nostalgjisë padyshim janë edhe kujtimet që ndajmë me shokët e lagjes.
Lojëra të tilla u panë në Lapidariumin përballë Muzeut Kombëtar të Kosovës, i cili gjatë paradites së të mërkurës kishte marrë një pamje krejtësisht ndryshe, falë aktivitetit edukativ mbi kujtesën e lojërave të vjetra popullore, të cilat u quajtën “Lojëra të gjyshërve tanë”.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.
Zëra të fëmijëve të gëzuar, të cilët ishin të shoqëruar nga gjyshërit, u dëgjuan në këtë ditë. Përveç që ishte kënaqësi, të befasuar dhe kureshtarë ishin fëmijët që po mësonin për lojërat popullore, të cilat gjyshërit po i tregonin me kënaqësi e plot emocione, lojëra këto që sot pothuajse nuk luhen fare.
Lojëra të ndryshme, qoftë individuale, qoftë në grup, u praktikuan nga grupe fëmijësh.
Cic-mic ose dëgërgjik, ishte një nga lojërat, e cila po pëlqehej shumë nga fëmijët.
Në anën tjetër, një grup tjetër po luante lojën Klika, ku humbësi është ai që nuk arrin të zërë vendin paraprak.
Disa gjyshër, këtë aktivitet e panë shumë të dobishëm për fëmijët, pasi në ditët e sotme, këto lojëra nuk aplikohen edhe aq, megjithëse janë të shëndetshme për fizikun.
Por, pati edhe fëmijë që tashmë kishin mësuar disa nga këto lojëra dhe i luajnë shumë herë.
“Bëz-bëz”, “Fshehurazi”, “Gjugjash” , “Kullas ose Plloqa”, “Turraz”, “Janina”, “Klikera” apo “Llastik” janë disa nga lojërat që dikur fëmijët i luanin nëpër lagjet e tyre./Koha.net
Video