Një muaj më parë, Gjykata Supreme shfuqizoi disa pjesë të një udhëzimi administrativ që binte ndesh Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Ndërsa ditën e djeshme, Ministria e Financave doli me një sqarim ku tregoi se pensionistët e kategorive kontributeve, parciale kontributeve dhe familjare nuk kanë nevojë të paraqiten në zyrat e pensioneve.
Ndërkaq pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.
Kjo shkaktoi paqartësi.
Gjykata Supreme e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar sot ka njoftuar opinionin publik për aktgjykimin P.A.nr.16/2025, duke sqaruar rolin dhe kompetencat e saj në lidhje me shfuqizimin e disa dispozitave të udhëzimit administrativ nr. 05/2015 (MPMS), që lidhen me pensionistët.
“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Gjykata thekson se aktgjykimi është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt të plotë juridik.
“Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera”, theksohet në njoftim.
Sipas Supremes, vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme. /Reporteri.net/