Seanca konstituive e Kuvendit: A merr fund sot ngërçi?
Seanca konstituive e Kuvendit: A merr fund sot ngërçi? 11.02.2026 | 03:22
Pas më shumë se tre muajsh, deputetët do të rikthehen në Kuvend, kësaj radhe për konstituimin e legjislaturës së dhjetë. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, përbërja e Kuvendit ka pësuar ndryshime, me disa deputetë të rinj që do të zënë vendet e tyre në sallën plenare.
 
Seanca e fundit ishte mbajtur më 19 nëntor 2025, kur dështoi edhe propozimi i dytë për kryeministër. Një ditë më pas, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e reja.
 
Gara e fundvitit ishte më shumë se një cikël i parakohshëm zgjedhor. Ishte provë për të dalë nga ngërçi politik që ka rënduar vendin për më shumë se një vit. Marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbetur të bllokuara dhe proceset tjera legjislative janë lënë në gjysmë që nga fillimi i dhjetorit 2024, teksa Qeveria në detyrë po funksionon me kompetenca të kufizuara që nga fundi i marsit i vitit të kaluar. Ndërkohë që kanë mbetur më pak se tri javë për ta (ri) zgjedhur Presidentin e vendit.
 
Sidoqoftë, emri që sërish do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për Kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu – e njëjta që nuk arriti të marrë votat në legjislaturën e nëntë. E, pasi emri i saj nuk eci, pas një ngërçi gjashtë mujor, votat për ta udhëhequr një legjislaturë që nuk kreu asnjë punë legjislative i mori Dimal Basha.
 
Po i njëjti, pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive parlamentare më 10.02.2026, tha se është arritur koncensus mes partive edhe për votimin në pako të pesë nënkryetarëve, por edhe për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo ka mbetet të shihet pas orës 17:00, atëherë kur pritet të nisë seanca konstituive.
 
Në bazë të asaj që tha Basha, i cili ishte i vetmi që foli pas mbledhjes, Kuvendi do të konstituohet sot, madje duke u votuar kryetare Haxhiu, emri që nuk e votuan partitë tjera parlamentare herën e kaluar. Përveç saj, edhe Vetëvendosje pritet që ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin e komunitetit serb.
 
“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në ora 17:00, dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”- tha Basha për media.
 
Nëse konstituohet Kuvendi, presidentja Vjosa Osmani duhet ta mandatojë kandidatin për kryeministër që në këtë rast është i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Më pas, duhet të thirret mbledhja e Kryesisë për ta caktuar seancën për Qeverinë.
 
Si do të shkojë seanca konstituive?
 
Deputetët e zgjedhur duhet të kenë para vetes rendin e ditës që nisë me formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimin solemn, zgjedhjen e Kryetari e më pas edhe të pesë nënkryetarëve.
 
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi, nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).
 
Deputetët e subjektit që ka fituar më së shumti mandate në zgjedhjet e fundit, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, do të ulen në mes të sallës, ata të Partisë Demokratike të Kosovës në anën e djathtë nga perspektiva e kryesuesit të seancës, ndërsa ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës në anën e majtë.
 
Ulëset e tjera do t’u takojnë deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe deputetëve nga komuniteti serb dhe komunitetet e tjera joshumicë.
 
Edhe për kryetarin, ashtu edhe për nënkryetarët kërkohen 61 vota nga Kuvendi me 120 deputetë. Në bazë të aktgjykimeve që shpalli Kushtetuesja vitin e kaluar, një person mund të propozohet vetëm deri në tri herë për postin e kryetarit dhe nënkryetarëve.
 
Herën e kaluar, nënkryetarët shqiptarë në këtë rast, Albulena Haxhoiu (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK) ishin votuar në pako, ndërkaq dy të komuniteteve joshumicë ndaras – ku njëri duhet të jetë nga partitë joshumicë serbe, kurse tjetri nga partia me shumicë serbe. Këtë të fundit e sqaroi Kushtetuesja me një aktgjykim që publikoi në fund të janarit 2026.
 
Në legjislaturën e nëntë, Vetëvendosje kishte votuar kundër të propozuarve për nënkryetarë nga Lista Serbe. Nënkryetar u zgjodh Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Mirëpo, është aktgjykimi i Kushtetueses që konfirmoi se zgjedhja e tij ishte anti-kushtetuese, dhe se nënkryetari duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb – që i bie që propozimi të dalë nga Lista Serbe e cila i ka nëntë deputetë. Partia e Rashiqit ka vetëm një deputet- atë vetë.
 
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë më parë tha se beson që seanca do të “shkojë mbarë e mirë”.Kurse, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se “nesër do të bëhet Kuvendi dhe nesër shumë shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria. Për të tjerat flasim pastaj”- tha ai.
 
Pas Kuvendit, duhet të formohet Qeveria në mënyrë që të vazhdohet me seancat tjera. Pa u bërë Qeveria, seancat tjera nuk mund të mbahen.
 
Kurti me 57 deputetë, edhe me katër deputetë të partive joshumicë mund ta bëjë vetë Qeverinë. Atij i duhen gjithsej 61 vota. Mirëpo, ende nuk dihet se a do të vazhdojë në këtë mënyrë, apo është bërë ndonjë marrëveshje koalicioni. Kësaj radhe, duhen 81 vota për që të (ri) zgjedhet Presidenti i Kosovës, jo më larg se më 5 mars.
 
Herën e kaluar, Albin Kurti më 26.10.2025, pati dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Për të patën votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës ishin kundër dhe katër vota qenë abstenim.
 
Pas Kurtit, votat për kryeministër pati dështuar t’i marrë edhe Glauk Konjufca si i mandatuari i dytë nga presidentja Vjosa Osmani.
 
Meqë as ai nuk arriti të marrë mbështetjen e së paku 61 deputetëve në seancën e mbajtur më 19.11.2025, presidentja Osmani i shpalli zgjedhjet e parakohshme për datën 28.12.2025.
 
Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si partia e parë me më së shumti vota do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.
 
Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend.
 
Nga këto 20, dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb. 9 prej tyre do t’i zë Lista Serbe, një Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
 
Dy ulëse do të zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës.
 
Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.