Kur zhurma e luftës mbyt zhurmën e paqes
Kur zhurma e luftës mbyt zhurmën e paqes 02.03.2026 | 02:36
Fishkëllima e sirenave në Jerusalem, mbart me vete pritjen e dhimbshme të asaj, që mund të sjellë vdekje dhe shkatërrim. Sulmi kundër Iranit ringjall me dhunë frikën e pafundme të luftës, ndërsa mbi fytyrat e fëmijëve vijon të zbehen gazi.
 
Në Jerusalem ndihet fort frika, gati-gati e prekshme. Rrugët bosh, vendet e paarritshme të adhurimit dhe dyqanet e mbyllura të Qytetit të Vjetër, të plagosurit dhe shkatërrimi i një mori qytetesh në Tokën e Shenjtë, janë bërë përsëri figura të vuajtjeve të kësaj toke të martirizuar. Janë plagë të prekshme, e plagë të padukshme. Zbulojnë dhimbjen dhe traumën e ngjarjes që ndodhi me shpërthimin e ri e të përsëritur të një lufte të pafund.
 
Heshtjen e një qyteti të braktisur e trondit fishkëllima e sirenave. Shkakton ankth në pritje të raketave, që do të sjellin edhe më shumë vdekje e shkatërrim. 
 
Frika u kthye me forcë, ose ndoshta nuk ishte zhdukur kurrë, të shtunën e kaluar në mëngjes; ishte një e shtunë si ajo tragjike e 7 tetorit 2023. Së bashku me mësuesit dhe personelin shkollor, ia dolëm mbanesh ta ruanim atmosferën e nevojshme, për të qetësuar fëmijët që prisnin prindërit, në hyrje të shkollës. Nuk ishte e lehtë për mësuesit të mbanin lotët, ndërsa qetësonin fëmijët që sapo kishin thënë lutjen e thjeshtë të Shën Françeskut së bashku, para se të hynin në klasë. I shikova fëmijët, traumën e fshehur në sytë e tyre të trishtuar, ndjeva vetëdijen dhe përgjegjësinë e të rriturve, vuajtjet e tyre sepse kthimi në dhunë do të çonte në një largim të ri nga qetësia mikpritëse e shkollës: këto mendime e këto shqetësime ma mbushin plot mendjen dhe zemrën.
 
Pranë Vendeve të Shenjta, jetojmë një normalitet në dukje, sepse besojmë, lutemi dhe shpresojmë, por zhurma shurdhuese e luftës na kthen gjithnjë në realitetin e dhimbshëm. Fëmijët nuk e njohin dhunën, nuk i dinë arsyet çnjerëzore të dhunës dhe vazhdojnë të jenë viktima të pafajshme të absurditetit të së keqes.
 
Fëmijët njohin dhe rinjohin vetëm të mirën. Në këto çaste dridhen.Është e e keqja që i bën të dridhen. Është frika nga diçka, që nuk e njohin, që ua shuan buzëqeshjet: buzëqeshjet e të gjithë fëmijëve që vuajnë dhe vdesin në vendet e shkatërruara nga lufta. Vdesin dhe vuajnë në Gaza, Teheran, Kiev, Tel Aviv. Janë të frikësuar, të trishtuar, vuajnë nga uria dhe të ftohtit, kanë frikë nën strehën e tendave të lagura, janë të izoluar në errësirën e strehimoreve dhe bunkerëve, janë të varrosur nën rrënojat e shkollave dhe të shtëpive, nuk luajnë, nuk përdorin stilolapsa dhe lapsa me ngjyra.
 
Ky është rezultati çnjerëzor i luftës
 
Pas 7 tetorit 2023, ka pasur thirrje dhe kërkesa të shumta drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për t'u rikthyer në qenie njerëzore. Këtë e bënë me urgjencë të fortë dy Papët, autoritetet civile dhe fetare, burrat dhe gratë e zakonshme dhe figura të tjera të shquara. Nuk pati përgjigje, e edhe nëse pati, deri tani nuk arritën të japin rezultate ose zgjidhje në Gaza, në Tokën e Shenjtë dhe në zona të tjera të prekura nga vite lufte e dhune.
 
Kush duhej t'u ishte përgjigjur thirrjeve për paqe?
 
Cili njerëzim i përgjigjet njerëzimit të plagosur?
 
Janë pyetje që mbeten pa përgjigje nëse të drejtat themelore të të pafajshmëve vazhdojnë të shkelen për vite me radhë dhe nëse detyrat e bashkësisë ndërkombëtare drejtohen nga interesa të lidhura me luftën e me shpërfilljen e atyre që vuajnë. Në Gaza, fëmijët e privuar nga e drejta e tyre për qetësi, në vend që të marrin ndihmë dhe arsim, detyrohen të kërkojnë nëpër rrënoja objekte, që mund t'i shesin për ushqim dhe batanije.
 
Çfarë njerëzimi i mbështet dhe i ndihmon ata, ndërsa gërmojnë nëpër pluhurin dhe kujtimet e të pafajshmëve të tjerë? Kush i kujton ende?
 
Çfarë njerëzimi na pengon t’i shpëtojmë ata që kërkonin shpëtim dhe humbën jetën në detin, që tani nxjerr në sipërfaqe trupa dhe ëndrra shprese?
 
Cili njerëzim nuk i respekton kohët dhe metodat e marrëveshjeve që mund të ofrojnë pushim dhe lehtësim për ata që presin fundin e dhunës dhe vuajtjeve të papërfytyrueshme?
 
Pyetje për të cilat nuk kemi përgjigje, pyetje për të cilat njerëzimi i atyre që, siç pohon Papa Leoni, kanë përgjegjësinë  morale për të parandaluar që e keqja të jetë protagonist absolut i kohërave tona, nuk mund t'u përgjigjet.
 
Përvoja ime jetike në Tokën Shenjte më bën ende të besoj  dhe të shpresoj në zemrat e qenieve njerëzore, që i duan fqinjët e tyre pa pengesa e pa kufizime, që ofrojnë një dorë ndihme, një vesh të vëmendshëm, një përqafim të ngrohtë shpirtëror. Ky është njerëzimi në të cilin çdo qenie njerëzore duhet ta njohë veten; ky, njerëzimi që duhet të përfaqësojë bashkësia ndërkombëtare.
 
Të drejtat dhe detyrat, përgjegjësitë dhe respekti janë elemente themelore për të mbetur njeri, për të shpresuar, për të pasur besim tek njerëzimi, për ta zhdukur zhurmën e luftës dhe për të përfaqësuar tingullin e paqes.
 
nga Atë Ibrahim Faltas
Drejtori i Shkollave
/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.