Në fjalimin e parë të Papës drejtuar autoriteteve, nxitja për të vlerësuar diversitetin: "Një shoqëri, në fakt, është e gjallë nëse është pluraliste". Papa kujtoi dëshirën e të krishterëve për të kontribuar në unitetin e vendit me një vizioni që tejkalon çdo polarizim. Më pas thirrja të "nderohet dinjiteti dhe liria e të gjithë bijve të Zotit", për promovimin një kulturë që vlerëson dashurinë bashkëshortore e gratë, dhe të nxisin dialogun në shërbim të një "paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme"
Kultura e takimit dhe angazhimi për vëllazëri - tejet të dashura për paraardhësin e tij, Françeskun - formuan kornizën e të gjithë fjalimit të Leonit XIV, mbajtur në anglisht, para autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të Turqisë, sot, në ditën e parë të vizitës apostolike, në orën 10:22 paradite sipas orës lokale. Që në fillim, gjatë fluturimit nga Roma drejt Ankarasë, në bisedë me gazetarët që merrnin pjesë në udhëtimin e tij të parë apostolik, Papa Prevost përmendi fjalët kyçe të pranisë së tij për Lindjen e Mesme: kërkesa për unitet e harmoni më të madhe dhe kapërcimi i të gjitha barrierave për të promovuar paqen botërore.
Ky, mesazhi i lënë nga Papa Leoni XIV në Librin e Nderit të Mauzoleut të Ataturkut, në Ankara:
“I give thanks to God for being able to visit Türkiye, and I invoke upon this country and its people an abundance of peace and prosperity.”
"Falënderoj Zotin që munda të vizitoj Turqinë dhe t’i uroj këtij vendi dhe popullit të tij begati, paqe dhe prosperitet”.
Një botë e destabilizuar, drejtësia dhe paqja të shkelura
Papa Leoni XIV theksoi bukuritë natyrore dhe artistike të vendit, pasuritë shpirtërore të grumbulluara gjatë shekujve në një tokë "të lidhur pazgjidhshmërisht me origjinën e krishterimit". Është shenjë dalluese e qytetërimit të madh të përdorë mençurinë, e aftë të pajtojë fragmentet kulturore të trashëguara nga e kaluara. E pikërisht kjo përpjekje për unitet, në një botë gjithnjë e më të përçarë, kujtoi Pasardhësi i Pjetrit:
Është e vërtetë, bota jonë ka shekuj konflikti pas shpine, e përreth nesh është ende e destabilizuar nga ambiciet dhe vendimet që shkelin drejtësinë dhe paqen. Megjithatë, përballë sfidave me të cilat përballemi, të jesh popull me të kaluar të shkëlqyer, përfaqëson si një dhuratë, ashtu edhe një përgjegjësi.
Një shoqëri është e gjallë, nëse është pluraliste dhe vlerëson larminë
Metafora e urës, e huazuar nga lidhja përmes Ngushticës së Dardaneleve - dhe e zgjedhur si emblemë e udhëtimit - u përmend në fjalët e Papës, sepse është shumë efektive në tregimin e punës së nevojshme të bashkimit të larmisë që krijoi historikisht shoqërinë turke. Ky bashkim konsiderohet themelor jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, pasi Turqia (Türkiye) është gjeografikisht udhëkryqi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, prandaj e destinuar të ketë "një vend të rëndësishëm në të tashmen dhe të ardhmen e Mesdheut dhe të mbarë botës". Homogjenizimi i ndjeshmërive, pohon Papa Leoni XIV, do të ishte thjeshtë varfërim.
Në të vërtetë, një shoqëri është gjallë, nëse është pluraliste: janë urat midis shpirtrave të saj të larmishëm që e bëjnë atë shoqëri civile. Sot, komunitetet njerëzore janë gjithnjë e më të polarizuara dhe të përçara nga pozicionet ekstreme, të cilat i fragmentojnë ato.
Kontributi i të krishterëve në unitetin e Turqisë
Prania e të krishterëve në Turqi, pavarësisht numrit të vogël, konsiderohet e rëndësishme, madje edhe më shumë, nëse arrin të shohë përtej kufijve të vet. Ky është inkurajimi i Papës Leoni, i cili kujton paralajmërimet e Shën Gjonit XXIII, të ashtuquajturit "Papa Turk", i cili e jetoi një miqësi të tillë në këtë vend, kur ishte Administrator i Vikariatit Latin të Stambollit dhe Delegat Apostolik. Rekomandimet e kohës, për të siguruar se të ishe minoritar nuk do të çonte në një formë të tjetërsimit nga ndërtimi i Republikës së re, u përsëriten sot nga Papa, sepse janë thellësisht ungjillore. Prej këndej, mesazhi i hapjes dhe gatishmërisë, shprehur autoriteteve vendase:
Dua t’ju siguroj se të krishterët, të cilët janë dhe ndihen pjesë e identitetit turk, synojnë gjithashtu të kontribuojnë pozitivisht në unitetin e vendit tuaj.
Të nderohet dinjiteti dhe liria e të gjithë bijve të Zotit
Në vazhdimësi me paraardhësin e tij, Papën Françesku, i cili e krijoi gjithë mësimin e vet rreth dëgjimit të britmës së të varfërve dhe tokës, Leoni XIV vendosi në qendër atë drejtësi e mëshirë, atë vështrim dhembshurie e solidariteti, tejet të nevojshëm sot, aq sa, sipas shpresës së Papës Prevost, ato duhet të shërbejnë si kritere për të udhëhequr zhvillimin e popujve. Sfida, këmbënguli Papa, është "të rimendohen politikat lokale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht përballë evolucionit teknologjik që, përndryshe, mund të theksonte padrejtësitë, në vend që të kontribuonte në shpërbërjen e tyre". Papa shqetësohet për natyrën gjithëpërfshirëse të shoqërive, për një sinergji qëllimi për "riparimin e dëmit që tashmë i është shkaktuar unitetit të familjes njerëzore": [...]
[...] Në një shoqëri si kjo turke, ku feja luan rol të dukshëm, është themelore të nderohet dinjiteti dhe liria e të gjithë bijve të Zotit: burra e gra, bashkatdhetarë e të huaj, të pasur e të varfër. Ne të gjithë jemi bij të Zotit, e kjo ka pasoja personale, shoqërore dhe politike. Ata, zemrat e të cilëve janë të bindura ndaj vullnetit të Zotit, gjithmonë do të vlerësojnë të mirën e përbashkët dhe respektin për të gjithë.
Në vazhdim fjalimi i Leonit XIV
FJALIMI I ATIT TË SHENJTË
Autoriteteve, Përfaqësuesve të Shoqërisë Civile
e Trupit Diplomatik
Ankara, Pallati Presidencial, 27 Nëntor 2025
Z. President, Autoritete të Nderuara dhe Anëtarë të Trupit Diplomatik, Zonja dhe Zotërinj!
Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për mikpritjen tuaj të përzemërt! Jam i kënaqur që po filloj udhëtimet apostolike të papnisë sime në vendin tuaj, pasi kjo tokë është e lidhur pazgjidhshmërisht me zanafillën e Krishterimit dhe sot i thërret bijtë e Abrahamit dhe të gjithë njerëzimin në një vëllazëri, që i njeh dhe i vlerëson ndryshimet.
Bukuria natyrore e vendit tuaj na nxit të mbrojmë krijimin e Zotit. Për më tepër, pasuria kulturore, artistike dhe shpirtërore e vendeve ku banoni, na kujton se qytetërimet e mëdha, në të cilat zhvillimi dhe mençuria janë të bashkuara, marrin formë në takimin ndërmjet brezave, traditave dhe ideve të ndryshme. Është e vërtetë, bota jonë ka shekuj konflikti pas saj, e përreth nesh është ende e destabilizuar nga ambiciet dhe vendimet që shkelin drejtësinë dhe paqen. Megjithatë, përballë sfidave me të cilat përballemi, një popull me të kaluar të shkëlqyer, përfaqëson si një dhuratë, ashtu edhe një përgjegjësi.
Pamja e urës mbi Ngushticën e Dardaneleve, zgjedhur si emblemë e udhëtimit tim, shpreh më së miri rolin e veçantë të vendit tuaj. Ju keni një vend të rëndësishëm në të tashmen dhe të ardhmen e Mesdheut e edhe të gjithë botës, para së gjithash duke vlerësuar diversitetin tuaj të brendshëm. Përpara se të lidhë Azinë dhe Evropën, Lindjen dhe Perëndimin, ajo urë e lidh Tűrkiye me vetveten, përbën pjesët e saj dhe kështu ka, si të thuash, nga brenda, një udhëkryq ndjeshmërish, standardizimi i të cilave do ta varfëronte. Një shoqëri është e gjallë, nëse është e shumtë: janë urat ndërmjet shpirtrave të saj të ndryshëm, që e bëjnë atë shoqëri civile. Sot, bashkësitë njerëzore janë gjithnjë e më të polarizuara dhe më të coptuara nga pozicionet ekstreme, të cilat i shkatërrojnë ato.
Dua t'ju siguroj se të krishterët, të cilët janë dhe ndihen pjesë e identitetit turk, synojnë gjithashtu të kontribuojnë pozitivisht në unitetin e vendit tuaj. Ky identitet u vlerësua shumë nga Shën Gjoni XXIII, të cilin ju e kujtoni si "Papa Turk" për miqësinë e thellë që e lidhte gjithmonë me popullin tuaj. Ai, i cili ishte Administrator i Vikariatit Latin të Stambollit dhe Delegat Apostolik në Turqi dhe Greqi nga viti 1935 deri në vitin 1945, punoi intensivisht për t'u siguruar që katolikët të mos largoheshin nga ndërtimi i Republikës suaj të re. "Vini re," shkroi ai në ato vite, "ne katolikët latinë të Stambollit dhe katolikët e riteve të tjera: armenë, grekë, kaldeas, sirianë etj., jemi një pakicë modeste këtu, që jetojmë në sipërfaqen e një bote të gjerë me të cilën kemi vetëm kontakt të jashtëm. Na pëlqen të dallohemi nga ata, që nuk e rrëfejnë besimin tonë: vëllezër ortodoksë, protestantë, hebrenj, myslimanë, besimtarë ose jobesimtarë të feve të tjera [...]. Duket logjike që të gjithë duhet të merren me veten, me traditën e tyre familjare ose kombëtare, duke qëndruar të mbyllur brenda rrethit të kufizuar të klikës së tyre [...]. Vëllezër dhe bij të mi të dashur: Duhet t'ju them se në dritën e Ungjillit dhe të parimit katolik, kjo është logjikë e rreme."[1] Që atëherë, padyshim, janë bërë hapa të mëdhenj përpara brenda Kishës dhe në shoqërinë tuaj, por këto fjalë ende hedhin shumë dritë dhe vazhdojnë të frymëzojnë një logjikë ungjillore dhe më të vërtetë, të cilën Papa Françesku e ka përcaktuar si "kultura e takimit".
Nga zemra e Mesdheut, Paraardhësi im i nderuar iu kundërvu “globalizimit të indiferencës” me një ftesë për të ndjerë dhimbjen e të tjerëve, për të dëgjuar britmën e të varfërve dhe të tokës, duke frymëzuar kështu veprimin e dhembshur, pasqyrim i të vetmit Zot, i cili është i butë dhe i mëshirshëm, “i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri të palëkundur” (Ps 103,8). Figura e urës së madhe është e dobishme edhe në këtë drejtim. Zoti, duke zbuluar veten, ndërtoi një urë ndërmjet qiellit e tokës: e kreu këtë që zemrat tona të ndryshojnë, duke u bërë si të tijat. Është një urë e varur, madhështore, pothuajse duke sfiduar ligjet e fizikës: e tillë është dashuria, e cila, përveç dimensionit të saj intim dhe privat, ka edhe një të dukshëm e publik.
Drejtësia dhe mëshira sfidojnë ligjin e forcës dhe guxojnë të kërkojnë që dhembshuria dhe solidariteti të konsiderohen kritere për zhvillim. Prandaj, në një shoqëri si ajo e Turqisë, ku feja luan një rol të dukshëm, është themelore të nderohet dinjiteti dhe liria e të gjithë bijve të Zotit: burra dhe gra, bashkatdhetarë dhe të huaj, të pasur dhe të varfër. Ne të gjithë jemi fëmijë të Zotit, dhe kjo ka pasoja personale, shoqërore dhe politike. Ata, zemrat e të cilëve janë të bindura ndaj vullnetit të Zotit, gjithmonë do të mbrojnë të mirën e përbashkët dhe respektin për të gjithë. Sot, kjo është sfidë e madhe, sfidë që duhet të reformojë politikat lokale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht përballë përparimeve teknologjike që përndryshe mund të theksojnë padrejtësitë, në vend që të kontribuojnë në shpërbërjen e tyre. Edhe inteligjenca artificiale, riprodhon preferencat tona dhe përshpejton proceset që, pas një shqyrtimi më të afërt, nuk u nisën nga makinat, por nga njerëzimi. Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndryshuar trajektoren e zhvillimit dhe për të ndrequr dëmin që tashmë iu shkaktua unitetit të familjes njerëzore.
Zonja dhe zotërinj, fola për "familjen njerëzore". Kjo është një metaforë që na fton të krijojmë një lidhje - edhe një herë, një urë - midis fateve të të gjithëve dhe përvojës së secilit individ. Për secilin prej nesh, familja ishte bërthama e parë e jetës shoqërore, në të cilën mësuam se, pa tjetrin, nuk ka "Unë". Më shumë se në vendet e tjera, familja ruan një rëndësi të madhe në kulturën turke dhe nuk ka mungesë iniciativash për të mbështetur qendrën e saj. Brenda saj, zhvillohen qëndrime themelore për bashkëjetesë civile dhe ndjeshmëri e parë, themelore ndaj të mirës së përbashkët. Sigurisht, çdo familje mund të mbyllet edhe në vetvete, të kultivojë armiqësi ose të parandalojë disa nga anëtarët e saj të shprehen, deri në atë pikë sa të pengojë zhvillimin e talenteve të tyre. Megjithatë, nuk vjen nga një kulturë individualiste, as nga një përbuzje për martesën dhe pjellorinë, çka njerëzit mund të fitojnë mundësi më të mëdha për jetë dhe lumturi.
Këtij mashtrimi të ekonomive konsumiste, në të cilat vetmia bëhet biznes, duhet t'i përgjigjemi me një kulturë që vlerëson dashurinë dhe lidhjet. Vetëm së bashku bëhemi autentikisht vetvetja. Vetëm nëpërmjet dashurisë thellohet vetja jonë e brendshme dhe identiteti ynë bëhet i fortë. Ata që përçmojnë lidhjet themelore dhe nuk arrijnë të mësojnë të përqafojnë edhe kufizimet dhe brishtësinë e tyre, bëhen më lehtë intolerantë dhe të paaftë për të bashkëvepruar me një botë komplekse. Në të vërtetë, vlera e dashurisë bashkëshortore dhe kontributi i grave shfaqen në një mënyrë shumë specifike në jetën familjare. Gratë, në veçanti, përmes studimit dhe pjesëmarrjes aktive në jetën profesionale, kulturore dhe politike, po i shërbejnë gjithnjë e më shumë vendit dhe ndikimit të tij pozitiv në skenën ndërkombëtare. Prandaj, iniciativat e rëndësishme në këtë drejtim, në mbështetje të familjes dhe të kontributit të grave në lulëzimin e plotë të jetës shoqërore, janë shumë të lavdërueshme.
Zoti President, uroj që Turqia të jetë faktor stabiliteti dhe afrimi ndërmjet popujve, në shërbim të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Vizitat në Turqi të katër Papëve - Pali VI në vitin 1967, Gjon Pali II në vitin 1979, Benedikti XVI në vitin 2006 dhe Françesku në vitin 2014 - dëshmojnë faktin se Selia e Shenjtë jo vetëm që mban marrëdhënie të mira me Republikën e Turqisë, por dëshiron gjithashtu të bashkëpunojë në ndërtimin e një bote më të mirë me kontributin e këtij vendi, i cili përbën një urë lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet Azisë dhe Evropës dhe një udhëkryq kulturash dhe fesh. Vetë rasti i këtij udhëtimi, 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë, na flet për takim dhe dialog, ashtu si edhe fakti që tetë Koncilet e para Ekumenike u mbajtën në tokat e Turqisë së sotme.
Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për figura që nxisin dialogun dhe e praktikojnë atë me vullnet të vendosur dhe këmbëngulje të durueshme. Pas epokës së ndërtimit të organizatave të mëdha ndërkombëtare, pas tragjedive të dy luftërave botërore, po përjetojmë një periudhë konflikti të fortë global, në të cilën mbizotërojnë strategjitë e fuqisë ekonomike dhe ushtarake, duke nxitur atë që Papa Françesku e quajti "luftë e tretë botërore pjesë-pjesë". Nuk duhet t'i dorëzohemi këtij ravgimi! E ardhmja e njerëzimit varet prej tij. Energjitë dhe burimet e përthithura nga kjo dinamikë shkatërruese devijohen nga sfidat e vërteta të cilat familja njerëzore duhet t’i përballojë së bashku: domethënë, paqen, luftën kundër urisë dhe varfërisë, shëndetin dhe arsimin, e edhe mbrojtjen e krijimit.
Selia e Shenjtë, me forcën e saj të vetme, që është ajo shpirtërore dhe morale, dëshiron të bashkëpunojë me të gjitha kombet që kujdesen për zhvillimin integral të të gjithë burrave dhe grave. Të ecim së bashku, pra, në të vërtetë dhe miqësi, duke besuar përvujtërisht në ndihmën e Zotit./Radio Vatikani