Pas lutjes së Engjëllit, Papa na ftoi t'i lutemi Zotit që gjëmimi i bombave, në Iran e në të gjithë rajonin të pushojë e të hapen "shtigjet e pajtimit e të shpresës". Është frika se "konflikti do të përhapet" dhe vende të tjera, si Libani, që do të bien përsëri në mungesë stabiliteti. Në Ditën e gruas, Papa bëri thirrje për dinjitet të barabartë dhe solidaritet me gratë, që vazhdojnë të jenë të diskriminuara dhe viktima të dhunës.
"T’ia drejtojmë lutjen tonë të përvuajtur Zotit, që gjëmimi i bombave të pushojë, armët të heshtin dhe të hapet vend për dialog, ku të dëgjohet zëri i popujve. Ia besoj këtë lutje Marisë, Mbretëreshë e Paqes: ndërmjetësoftë për ata që vuajnë për shkak të luftës dhe t’i shoqërojë zemrat përgjatë shtigjeve të pajtimit dhe të shpresës".
Kështu, pas lutjes së mariane të Engjëllit të Zotit nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, në këtë të Dielë III të Kreshmëve, Papa Leoni XIV ftoi për t’u lutur për paqen në Iran dhe në mbarë Lindjen e Mesme, i shqetësuar nga mendimi se lufta mund të përhapet edhe në vende të tjera.
Nga Irani dhe nga e gjithë Lindja e Mesme vijojnë të arrijnë lajme që shkaktojnë dëshpërim të thellë. Episodeve të dhunës dhe shkatërrimit,si dhe klimës së përhapur të urrejtjes dhe rrënimit, u shtohet frika se konflikti do të përhapet dhe se vendet e tjera në rajon, përfshirë Libanin e dashur, mund të zhyten përsëri në mungesë stabiliteti”.
8 Mars: solidaritet grave ende të diskriminuara
Në këtë 8 Mars, Ditë ndërkombëtare e gruas, Papa Leoni XIV nxit për ta ripërtërirë angazhimin tonë i cili “për ne të krishterët bazohet në Ungjill", si dhe për njohjen e dinjitetit të barabartë të burrave dhe grave.
Për fat të keq, shumë gra, që nga fëmijëria e tutje, vijojnë të diskriminohen dhe të vuajnë forma të ndryshme dhune: për to shkojnë në mënyrë të veçantë solidariteti dhe lutjet e mia.
Përshëndetje besimtarëve nga mbarë bota
Së fundmi, duke iu drejtuar të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit, afërsisht 15,000 vetë, Leoni XIV përshëndeti posaçërisht studentët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Spanja, si dhe shtegtarët nga Peruja, Panamaja, Hondurasi, Meksika dhe Kili. Iu drejtua edhe besimtarëve të Breshias, Castroliberos, Gravina di Puglias, Perugias dhe famullive të San Clemente Papa dhe San Pio da Pietrelcina në Romë. Së fundmi, përshëndeti bashkësinë "Casa di Maria" në Romë, grupin e të krezmuarve nga Dioqeza e Orvieto-Todit, të rinjtë e Mantovës dhe ekipin e regbit të Rovigos./Radio Vatikani