Në përshëndetjet e audiencës së përgjithshme, Leoni XIV u kujtoi shtegtarëve polakë përvjetorin e përfundimit të Luftës I Botërore, që Benedikti XIV e quajti "masakër e pakuptimtë", dhe i nxiti ta mbronin paqen me "zemër të rrënjosur në Ungjill" dhe në "dashuri për atdheun". Në italisht nënvizoi shembullin guximtar të Nënës Eliswa Vakayil, shpallur e lume të shtunën, në Indi.
"Ne jemi mirënjohës ndaj Zotit për dhuratën e paqes", mbasi, siç tha Shën Augustini, "asnjë gjë nuk është absolutisht më e mirë. Ta ruajmë me zemër rrënjosur në Ungjill, në frymë vëllazërie dhe dashurie për atdheun". Kështu, duke përshëndetur besimtarët polakë të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Vatikan, Papa Leoni XIV theksoi edhe një herë vlerën e paqes, duke kujtuar përvjetorin e përfundimit të "masakrës së pakuptimtë" të Luftës I Botërore, siç e quajti Benedikti XV, përkujtuar dje, 11 nëntor. Papa kujtoi edhe se për shumë popuj, duke përfshirë edhe polakët, fundi i konfliktit përkoi me "agimin e pavarësisë".
Impenjmi i së Lumes Eliswa Vakayil për vajzat e varfra
Duke përshëndetur shtegtarët italianë të oranishëm në audiencën e përgjithshme, Papa Leoni XIV theksoi angazhimin e guximshëm për emancipimin e vajzave më të varfra të Nënës Eliswa Vakayil, themeluese e Urdhrit të tretë të murgeshave të zbathura karmelitane, shpallur të lume të shtunën e kaluar në Kochi, në shtetin indian të Keralasë. Angazhimi i saj është gurrë frymëzimi për të gjithë ata që punojnë për dinjitetin e grave në Kishë dhe në shoqëri.
Së fundmi, u kujtoi besimtarëve kroatë, veçanërisht atyre të dioqezës së Gospić-Senj, e cila po kremton 25-vjetorin e themelimit, shoqëruar nga Ipeshkvi imzot Marko Medo, se "dhurata më e madhe që mund të ofrojmë, është besimi i jetuar, që shprehet në shqetësim për të tjerët".
Ne nuk jemi ishuj; kemi nevojë për lidhje të mirëfillta, që na mbrojnë nga vetmia dhe egoizmi
"Nuk jemi ishuj; kemi nevojë për lidhje të mirëfilltë, që na mbrojnë nga vetmia dhe egoizmi". Këto ishin fjalët e Papës Leoni XIV gjatë përshëndetjeve të tij në audiencën e përgjithshme drejtuar besimtarëve spanjishtfolës. Papa Prevost theksoi, në spanjisht, se "besimi në vdekjen dhe në ngjalljen e Krishtit Zot dhe të jetuarit e përshpirtërisë së Pashkëve, i jep shpresë jetës dhe na ndihmon ta duam dhe ta kultivojmë vëllazërinë, e cila buron nga realiteti i natyrës sonë njerëzore: nga nevoja për t'u lidhur me të tjerët për të mbijetuar, për t’u rritur dhe për të mësuar"./Radio Vatikani