Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV i ftoi besimtarët të luten për paqe në botë, veçanërisht për vendin aziatik, të dërmuar nga katër vjet lufte civile dhe nga një krizë e rëndë humanitare. Së fundmi, duke kujtuar festën e Gjithë Shenjtorëve, i nxiti të gjithë të ndjekin "thirrjen e tyre për Shenjtëri".
"Ju ftoj të bashkoheni me mua në lutje për ata që preken nga konfliktet e armatosura në pjesë të ndryshme të botës. Mendoj, në veçanti, për Mianmarin. E i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos e harrojë popullin birmanez dhe t’i ofrojë ndihmën e nevojshme humanitare". Kështu Papa Leoni XIV, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, i ftoi besimtarët të luten së bashku për paqe në mbarë botën. E i bëri edhe një thirrje tejet të ndjerë bashkësisë ndërkombëtare, që t'i vijë në ndihmë popullit të Mianmarit, të prekur nga dhuna e luftës civile dhe shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut, që çuan në një krizë të rëndë humanitare.
Katër vjet dhunë
Në shkurt të vitit 2021 ushtarakët morën pushtetin, duke përmbysur qeverinë e Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD), partisë së Aung San Suu Kyi, e cila kishte fituar zgjedhjet në nëntor të vitit 2020. Junta ushtarake, e quajtur Këshilli Administrativ Shtetëror (SAC), iu përgjigj protestave kundër grushtit të shtetit me forcë, duke luftuar me luftë civile kundër grupeve të shumta etnike të armatosura, që e kundërshtonin. Konflikti ushtarak nuk i kurseu abuzimet serioze dhe të përhapura të të drejtave të njeriut, të tilla si rekrutimi i detyruar, ndalimet arbitrare dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore.
Zgjedhje të pasigurta e fatkeqësi natyrore
Shpresa për një qeveri të re, zgjedhur në mënyrë demokratike për popullin e Mianmarit, vijon të venitet. Kreu i juntës në pushtet, Gjenerali Min Aung Hlaing, i cili i komandon forcat e armatosura që nga grushti i shtetit i vitit 2021, deklaroi së fundmi se administrata e mbështetur nga ushtria, për shkak të luftës civile, nuk do të jetë në gjendje ta garantojë organizimin e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në të gjithë vendin. Kësaj situate politike i shtohet edhe situata dramatike humanitare, e keqësuar nga përmbytjet në qershor, e tërmeti me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Richter i 28 marsit, i cili shkaktoi afërsisht 3,700 të vdekur dhe 4,800 të plagosur, duke e shtuar numrin e personave të zhvendosur brenda vendit, sipas të dhënave të UNHCR-së, në mbi 3.5 milionë.
Ftesë për Shenjtëri
Së fundmi, i frymëzuar nga festa e Gjithë Shenjtorëve, kremtuar nga Kisha më 1 nëntor, Papa leoni XIV i ftoi të gjithë të ndjekin shembullin e tyre, duke ndërmarrë rrugën e shenjtërisë dhe të një afërsie gjithnjë e më të madhe me mesazhin e Jezu Krishtit.
Festa e fundit e Gjithë Shenjtorëve më nxit të reflektoj mbi thirrjen tonë të përbashkët për shenjtëri. Ne të gjithë ftohemi të jemi shenjtorë. Prandaj, ju ftoj të bashkohemi gjithnjë e më ngushtësisht me Krishtin, duke ndjekur kriteret e vërtetësisë, për të cilat Shenjtorët na dhanë shembull!/Radio Vatikani