Papa: njerëzit në Ukrainë vazhdojnë të vdesin. Të ndalet zjarri dhe të fillojë dialogu
Papa: njerëzit në Ukrainë vazhdojnë të vdesin. Të ndalet zjarri dhe të fillojë dialogu 19.11.2025 | 16:27
Leoni XIV u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në Castel Gandolfo. Denoncon vrasjet e të krishterëve dhe myslimanëve në Nigeri e nxit qeverinë dhe popujt të promovojnë "një liri fetare autentike". Lidhur me masat kundër migrantëve në SHBA, fton të trajtohen njerëzit "me humanitet dhe dinjitet".
 
Më pas flet për udhëtime të mundshme në Amerikën Latine vitin e ardhshëm dhe shpjegon se si i kalon ditët e tij në Castel Gandolfo mes leximit, sportit dhe punës.
 
Nga paqja në Ukrainë, te masat kundër migrantëve në SHBA dhe terrorizmi në Nigeri, deri te udhëtimet e tij të mundshme në vitin 2026 dhe ditët e kaluara në Castel Gandolfo. Tema ndërkombëtare dhe personale në qendër të bisedës së mbrëmjes së djeshme, 18 nëntor, mes Papa Leonit XIV dhe grupit të gazetarëve të gjuhëve dhe mediave të ndryshme të pranishëm në Castel Gandolfo, ku Papa u kthye mbrëmë për ditën e pushimit javor.
 
Paqja në Ukrainë
 
Jashtë rezidencës papnore në Castel Gandolfo, i përshëndetur nga duartrokitjet dhe brohoritjet e njerëzve të mbledhur në rrugë, Papa Leoni XIV, siç është tashmë zakon, iu përgjigj pyetjeve të kronistëve, duke filluar me atë për Ukrainën, e cila ende goditet nga sulme masive ruse. Në pragun e përpjekjes për të rifilluar bisedimet, sot, në Turqi, Papës i shtrohet çështja e dorëzimit të territoreve Rusisë për t'i dhënë fund luftës. Një hipotezë e shfaqur së fundmi edhe nga presidenti amerikan Donald Trump. "Këtë duhet ta vendosin ata, kushtetuta e Ukrainës është shumë e qartë", tha Leoni XIV. "Problemi është se nuk ka një armëpushim, nuk arrijnë në asnjë pikë për të dialoguar dhe për të parë se si ta zgjidhin këtë problem...
 
Fatkeqësisht çdo ditë po vdesin njerëz. Duhet, mendoj unë, të insistojmë për paqen, duke filluar me këtë armëpushim dhe më pas të dialogojmë".
 
Masat kundër migrantëve në SHBA
 
Nga Papa erdhi edhe një koment për deklaratën e 13 nëntorit të kaluar të Konferencës Episkopale të SHBA-së për migrantët dhe azilkërkuesit, e publikuar nga Baltimora ku u zhvillua plenarja e ipeshkvijve të Kishës katolike të SHBA-së (USCCB). Për herë të parë pas vitesh, prelatët amerikanë kanë publikuar një letër pbaritore për t’u thënë "jo" dëbimeve masive, duke shprehur shqetësimin për situatën në vend dhe duke theksuar se siguria kombëtare dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor nuk janë të papajtueshme. Në lidhje me këtë, Papa Leoni XIV shprehu vlerësimin për deklaratën e ipeshkvijve duke e quajtur atë "shumë të rëndësishme". "Do të doja të ftoja, sidomos të gjithë katolikët, por edhe njerëzit me vullnet të mirë, të dëgjojnë me kujdes atë që kanë thënë. Besoj se duhet të kërkojmë mënyra për t'i trajtuar njerëzit me humanitet, duke i trajtuar me dinjitetin që kanë". "Nëse dikush ndodhet në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, ka mënyra për ta bërë këtë. Ka gjykata. Ka një sistem gjyqësor. Besoj se ka shumë probleme në sistem. Askush nuk ka thënë se Shtetet e Bashkuara Amerikës duhet të kenë kufij të hapur", theksoi Papa. "Mendoj se çdo vend ka të drejtën të përcaktojë kush, si dhe kur hyjnë njerëzit". Megjithatë, shtoi ai, "kur njerëzit jetojnë një jetë të mirë, dhe shumë prej tyre prej 10-15-20 vitesh, t'i trajtosh ata në një mënyrë që është, për të thënë më pak, jashtëzakonisht mosrespektuese, dhe ka pasur disa raste dhune... Atëherë ipeshkvijtë kanë qenë shumë të qartë në atë që kanë thënë. Do të doja vetëm të ftoja të gjithë amerikanët t'i dëgjojnë", tha Papa Leoni.
 
Persekutimet në Nigeri
 
Vështrimi i Papës shkon më pas në Afrikë dhe në veçanti në Nigeri – vend i përmendur edhe në thirrjet gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të dielën e kaluar – dhe në valën e fortë të urrejtjes dhe dhunës që prek të krishterët dhe jo vetëm: "Mendoj se në Nigeri dhe në zona të tjera ka sigurisht një rrezik për të krishterët, por për të gjithë, të krishterët dhe myslimanët janë masakruar. Çështja e terrorizmit është një çështje që do të kishte të bënte me ekonominë e luftës për kontrollin e tokave që posedojnë. Fatkeqësisht, shumë të krishterë kanë vdekur, dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të kërkohet mënyra se si qeveria dhe të gjithë popujt të promovojnë një liri fetare autentike".
 
Udhëtimet
 
Papës iu bë edhe një pyetje për një udhëtim të mundshëm në "Amerikën e tij Latine", duke filluar nga Peruja ku ka qenë misionar për më shumë se njëzet vjet. "Gjatë vitit të Jubileut vazhdojmë të jetojmë çdo ditë aktivitete dhe vitin e ardhshëm do të programojmë diçka". "Gjithmonë më ka pëlqyer të udhëtoj", shtoi Papa Leoni, "problemi është të programosh me të gjitha angazhimet". Në çdo rast, destinacionet e mundshme të treguara prej tij mund të jenë Fatima, Guadalupe në Meksikë, dhe më pas Uruguai, Argjentina, dhe Peruja "natyrisht".
 
Ditët në Castel Gandolfo
 
Papa kënaqi gjithashtu edhe kuriozitetin e gazetarëve dhe opinionit publik duke shpjeguar se si e kalon të martën e tij në Castel Gandolfo: "Pak sport, pak lexim, pak punë, ka çdo ditë korrespondenca, telefonata, çështje të caktuara që janë ndoshta më të rëndësishme, më urgjente, pak tenis, pak pishinë". Dhe përse ka nevojë për këtë 'shkëputje' nga aktiviteti javor, Ati i Shenjtë u përgjigj: "Mendoj se qenia njerëzore duhet të kujdeset vërtet mirë për veten. Të gjithë duhet të bëjnë pak aktivitet për trupin dhe shpirtin, të gjitha së bashku. Për mua shkon shumë mirë". Është "një pushim", tha Papa, "që ndihmon shumë".
 
Çështja e ipeshkvit të Cadizit
 
Një ditë pas audiencës me Konferencën Episkopale Spanjolle, Papa u pyet për çështjen e ipeshkvit të Cadizit dhe Ceutës, Rafael Zornoza, i akuzuar për abuzime seksuale në vitet '90. "Çdo rast ka një sërë protokollash të përcaktuara qartë", tha ai. Lidhur me rastin specifik të Zornozës, "vetë ipeshkvit i është dashur të përgjigjej dhe këmbëngul në pafajësinë e tij. Është hapur një hetim dhe duhet ta lëmë të vazhdojë, dhe në varësi të rezultateve, do të ketë pasoja". Duke iu drejtuar viktimave, Papa shprehu para së gjithash shpresën "që të gjejnë një vend të sigurt ku të mund të flasin, ku të mund të paraqesin rastet e tyre". Së bashku me këtë, "është gjithashtu e rëndësishme edhe të respektohen proceset që kërkojnë kohë, por ne tashmë kemi diskutuar nevojën për të ndjekur hapat e treguar nga sistemi gjyqësor, në këtë rast, nga Kisha"./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.