Papa: paqe në Iran dhe Lindjen e Mesme, shumë viktima civile dhe fëmijë të pafajshëm
Papa: paqe në Iran dhe Lindjen e Mesme, shumë viktima civile dhe fëmijë të pafajshëm 11.03.2026 | 03:06
Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Leoni XIV kërkon lutje për vendet e përshira nga konfliktet, për ata që kanë humbur jetën dhe për ata që ndodhen në vështirësi. Kujtimi për Atë Pierre El-Rahi, i cili mbeti i vrarë të hënën e kaluar në Liban, ku gjatë këtyre ditëve fshatrat e jugut "po përjetojnë edhe një herë dramën e luftës. Jam pranë gjithë popullit libanez në këtë moment sprove të rëndë".
 
Papa kërkon të vazhdohet lutja për paqen në Iran dhe në mbarë Lindjen e Mesme. Mendimi i parë i Papës në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme ishte për Atë Pierre El Raii, famullitarin maronit të Qlayaa-s, i vrarë në një bombardim të hënën e kaluar në Liban.
 
“Sot kremtohen në Liban funeralet e Atë Pierre, famullitarit maronit të një prej fshatrave të krishterë në jug të Libanit, të cilët këto ditë po përjetojnë edhe një herë dramën e luftës; jam pranë gjithë popullit libanez në këtë moment sprove të rëndë”, tha Papa Leoni XIV gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve në gjuhën italiane të pranishëm në audiencën e sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin Shën Pjetrit, në Vatikan.
 
Funeralet e Atë Pierre, i kryedioqezës së Tirit të Maronitëve, kremtohen sot, e mërkurë 11 mars, në orën 12:00 në Qlayaa.
 
“El Raii në arabisht do të thotë bari, dhe Atë Pierre ishte një bari i vërtetë që qëndroi gjithmonë pranë popullit të tij me dashurinë dhe sakrificën e Jezusit, Bariut të Mirë. Sapo dëgjoi se disa besimtarë të famullisë kishin mbetur të plagosur nga një bombardim, ai u nxitua pa hezituar t’u vinte në ndihmë. Dhashtë Zoti që gjaku i tij i derdhur të jetë farë paqeje për Libanin e dashur”, tha Papa Leoni XIV.
 
“Të vazhdojmë të lutemi për paqen në Iran dhe në mbarë Lindjen e Mesme, veçanërisht për viktimat e shumta civile, mes të cilëve shumë fëmijë të pafajshëm. Qoftë lutja jonë ngushëllim për ata që vuajnë dhe farë shprese për të ardhmen”, ishte thirrja e fortë e Papës.
 
Më pas, Leoni përshëndeti delegacionin e "Flakadanit Benediktin" (Fiaccola Benedettina), të udhëhequr nga kryebashkiakët e Norcia-s, Subiaco-s dhe Cassino-s dhe të shoqëruar nga Kryeipeshkvi Imzot Renato Boccardo. “Jam i lumtur të bekoj këtë simbol vëllazërimi. Uroj që drita e tij të frymëzojë qeveritarët dhe qytetarët për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi vlerat e solidaritetit dhe të harmonisë, duke ndjekur shembullin e Shën Benediktit, lajmëtarit të paqes”, përfundoi Papa./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.