Gjatë fluturimit për në Romë, Leoni XIV përsëriti se misioni i tij kryesor është t'u shpallë Ungjillin njerëzve. Pastaj ai kujtoi fëmijët viktima të luftës në Iran dhe Liban; foli kundër dënimit me vdekje dhe theksoi të drejtën ndërkombëtare. Lidhur me emigrantët, ai pyeti: "Çfarë po bën Veriu i botës për Jugun?" dhe tha se qeniet njerëzore trajtohen më keq se kafshët. Lidhur me çiftet e të njëjtit seks, ai konfirmoi se Selia e Shenjtë nuk është dakord me bekimin formal të miratuar në Gjermani.
"Mirëdita të gjithëve, shpresoj se jeni mirë, se jeni gati për një udhëtim tjetër, me «bateri» të karikuara!". Papa Leoni XIV përfundoi udhëtimin e tij të gjatë apostolik në Afrikë dhe, gjatë fluturimit nga Malabo, ndalesa e fundit në Guinenë Ekuatoriale, për në Romë, ai iu përgjigj pyetjeve të pesë prej afërsisht 70 gazetarëve që e shoqëruan në udhëtimin e tij ndërkombëtar. Lufta, negociatat SHBA-Iran, çështja e migracionit, dënimi me vdekje dhe bekimi i çifteve të të njëjtit seks ishin ndër temat që trajtoi Papa gjatë intervistës. Këtyre temave u parapriu një reflektim i Papa Leonit rreth përvojës së tij të fundit në Afrikë.
«Kur udhëtoj, flas për veten time, por sot si Papë, si Ipeshkëv i Romës, është mbi të gjitha një udhëtim baritor apostolik për të takuar, për të shoqëruar dhe për të njohur popullin e Zotit. Shpesh interesi është mjaft politik: “Çfarë thotë Papa për këtë apo atë temë? Pse nuk jep një gjykim për qeverinë në këtë apo në atë vend tjetër?” Dhe sigurisht që ka shumë gjëra për të thënë. Fola për drejtësinë, dhe duhet folur për këtë çështje. Por kjo nuk është fjala e parë: udhëtimi duhet interpretuar mbi të gjitha si një shprehje e dëshirës për të shpallur Ungjillin, për të shpallur mesazhin e Jezu Krishtit, i cili është më pas një mënyrë për t’iu afruar popullit te lumturia e tij, në thellësinë e besimit të tij por edhe në vuajtjet e tij. Aty, sigurisht, shpesh është e nevojshme të bëhen komente ose të kërkohen mënyra për t’i dhënë zemër popullit të marrë përgjegjësi për jetën e vet. Është gjithashtu e rëndësishme të flasësh me krerët e shteteve, për të inkurajuar ndryshim në mendësi ose një hapje më të madhe, që të mendojnë për të mirën e njerëzve, një mundësi për të marrë parasysh çështje të tilla si shpërndarja e të mirave të një vendi. Në bisedimet që patëm, u trajtuan nga pak nga të gjitha, por kryesisht pamë dhe takuam popullin me një entuziazëm të tillë. Jam shumë i kënaqur me të gjithë udhëtimin, por të jetosh, të shoqërosh dhe të ecësh me njerëzit e Guinesë Ekuatoriale qe me të vërtetë një bekim me ujë... Ata ishin të lumtur me shirat e djeshëm, por mbi të gjitha, kjo shenjë se atë që kremtojmë në fenë tonë e kemi të përbashkët me Kishën universale.
Ignazio Ingrao (Tg1): Shenjtëria Juaj, faleminderit për këtë udhëtim të pasur me takime, histori dhe fytyra. Në takimin e paqes në Bamenda, Kamerun, ju përshkruani një botë të kthyer përmbys, ku një grusht tiranësh kërcënojnë të shkatërrojnë planetin. Paqja, thatë ju, nuk duhet shpikur, por duhet përqafuar. Negociatat për konfliktin në Iran janë rrëmujë, me pasoja serioze për ekonominë globale. A e mbështesni ndryshimin e regjimit në Iran, duke pasur parasysh se shoqëria civile dhe studentët kanë dalë në rrugë muajt e fundit dhe se ka shqetësim botëror për garën bërthamore? Çfarë thirrjeje u bëni Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Iranit dhe Izraelit për të dalë nga kjo ngecje dhe për të ndaluar përshkallëzimin? A duhet të përfshihen më shumë NATO dhe Evropa?
Do të doja të filloja duke thënë se duhet të promovojmë një qëndrim të ri dhe një kulturë paqeje. Shpesh, kur vlerësojmë situata të caktuara, përgjigja e menjëhershme është se duhet të ndërhyjmë me dhunë, me luftë, duke sulmuar. Ajo që kemi parë është se kaq shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur. Sapo pashë letrën e disa familjeve për fëmijët që vdiqën ditën e parë të sulmit. Dhe ato thonë se tani kanë humbur fëmijët e tyre, fëmijët që vdiqën në atë sulm. Çështja nuk është nëse regjimi ndryshon – regjimi nuk ndryshon – çështja është se si të mbështeten vlerat tek të cilat besojmë, pa vdekjen e kaq shumë njerëzve të pafajshëm. Çështja e Iranit është qartësisht shumë e ndërlikuar. Vetë negociatat që po zhvillojnë – një ditë Irani thotë po dhe Shtetet e Bashkuara thonë jo, dhe anasjelltas – dhe ne nuk e dimë se ku po shkojnë. Ata e kanë krijuar këtë situatë kaotike, kritike për ekonominë botërore, por pastaj ka edhe një popullsi të tërë njerëzish të pafajshëm në Iran që po vuan nga kjo luftë. Pra, për ndryshimin e regjimit, po ose jo: është e paqartë se çfarë regjimi është në fuqi tani, pas ditëve të para të sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit. Përkundrazi, do të doja të inkurajoja vazhdimin e dialogut për paqe, që palët të përpiqen të bëjnë çdo përpjekje për të promovuar paqen, për të larguar kërcënimin e luftës dhe që të respektohet ligji ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme që të pafajshmit të mbrohen, siç nuk ka ndodhur në disa vende. Mbaj me vete një fotografi të një fëmije mysliman i cili, gjatë vizitës sime në Liban, po më priste atje me një pankartë ku shkruhej "Mirë se vini Papa Leoni!", pastaj në këtë fazë të fundit të luftës, u vra. Ka kaq shumë situata njerëzore dhe mendoj se duhet të kemi aftësinë të mendojmë sipas këtyre parimeve. Si Kishë – e them përsëri – si bari, nuk mund të jem në favor të luftës. Dhe do të doja t'i inkurajoja të gjithë të bëjnë përpjekje për të kërkuar përgjigje që vijnë nga një kulturë paqeje, jo urrejtjeje dhe përçarjeje.
Eva Fernández (Radio Cope): Po largohemi nga një kontinent ku shumë njerëz dëshirojnë, ëndërrojnë të udhëtojnë drejt Evropës. Udhëtimi juaj i ardhshëm do të jetë në Spanjë, ku çështja e migracionit është një shqetësim i madh, veçanërisht në Ishujt Kanarie. Ju e dini që tema e migracionit në Spanjë shkakton shumë debate dhe polarizime, madje edhe në mesin e katolikëve, ku nuk ka një qëndrim të qartë. Çfarë mund t'u themi spanjollëve, dhe veçanërisht katolikëve, për emigracionin? Pastaj, nëse më lejoni: udhëtimi juaj i ardhshëm do të jetë në Spanjë, por ne e dimë që keni dëshirë, keni ndërmend të udhëtoni në Peru dhe ndoshta në Argjentinë dhe Uruguaj, por a do të dëshironit të përshëndesnit edhe Virgjërën e Guadalupes?
Çështja e imigracionit është shumë e ndërlikuar dhe prek shumë vende, jo vetëm Spanjën, Evropën, Shtetet e Bashkuara – është një dukuri e përbotshme! Pra, përgjigjja ime fillon me një pyetje: çfarë po bën Veriu i rruzullit për të ndihmuar Jugun e rruzullit ose ato vende ku të rinjtë sot nuk mund të gjejnë një të ardhme dhe për këtë arsye përjetojnë këtë ëndërr, dëshirën për të shkuar në Veri? Të gjithë duan të shkojnë në Veri, por shpesh Veriu nuk i ka përgjigjet për t'u ofruar atyre mundësi. Shumë njerëz vuajnë... Çështja e trafikimit të qenieve njerëzore, ose e "trafikimit", është gjithashtu pjesë e migrimit. Personalisht, besoj se një vend ka të drejtë të vendosë rregulla në kufijtë e tij. Nuk po them që njerëzit të hyjnë pa asnjë rregull, duke krijuar ndonjëherë situata më të padrejta në vendet ku shkojnë sesa në ato që kanë lënë. Por, duke thënë këtë, e pyes veten: çfarë po bëjmë në vendet më të pasura për të ndryshuar gjendjen në vendet më të varfra? Pse nuk mund të përpiqemi, si me ndihmën shtetërore ashtu edhe me investimet nga korporatat e mëdha dhe të pasura dhe shumëkombëshe, të ndryshojmë gjendjen në vende si këto që vizituam në këtë udhëtim?
Shumëkush e konsideron Afrikën si një vend ku mund të shkojë dhe të nxjerrë minerale, të marrë pasuritë e saj për pasurimin e të tjerëve, në vende të tjera. Ndoshta në nivel botëror, ne duhet të punojmë më shumë për të promovuar drejtësi, barazi dhe zhvillim më të madh në këto vende afrikane, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të emigrojnë në vende të tjera, në Spanjë, etj. Dhe pika tjetër që do të doja të trajtoja është se, sido që të jetë, ata janë qenie njerëzore dhe ne duhet t'i trajtojmë qeniet njerëzore në mënyrë humane, jo t'i trajtojmë, shpesh, më keq se kafshët. Ekziston një sfidë e madhe: një shtet mund të thotë se nuk mund të presë më shumë se kaq [emigrantë], por kur njerëzit mbërrijnë, ata janë qenie njerëzore dhe meritojnë respektin që çdo qenie njerëzore meriton për dinjitetin e vet.
Po udhëtimet e ardhshme?
Kam një dëshirë të madhe të vizitoj disa vende në Amerikën Latine. Nuk është konfirmuar ende, por do ta shohim. Le të presim.
Arthur Herlin (Paris Match): Atë i Shenjtë, ju falënderojmë shumë për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm. Ishte i mrekullueshëm. Gjatë gjithë udhëtimit takuat disa nga udhëheqësit më autoritarë të botës. Si ja bëni që prania juaj të mos i përligjë moralisht këto regjime? A nuk bëhet fjalë këtu, si të thuash, për një "pastrim imazhi" falë Papës?
Sigurisht, prania e një Pape me çdo kryetar shteti mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Mund të interpretohet – dhe është interpretuar nga disa – sikur Papa ose Kisha po thoshin se është në rregull të jetosh në atë mënyrë. Të tjerë mund të thonë gjëra të ndryshme. Do të doja të kthehesha tek ajo që thashë në fjalën time hyrëse në lidhje me rëndësinë e të kuptuarit të qëllimit kryesor të udhëtimeve që bëj, që Papa bën: të vizitoj njerëzit. Dhe në lidhje me vlerën e madhe që Selia e Shenjtë vazhdon t'i japë – ndonjëherë me sakrifica të mëdha – mbajtjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet anembanë botës. Dhe ndonjëherë kemi marrëdhënie diplomatike me vende që kanë udhëheqës autoritarë. Kemi mundësinë të flasim me ta në nivel diplomatik, në nivel formal. Nuk bëjmë gjithmonë deklarata të mëdha kritike, gjykimi ose dënimi. Por ka shumë punë që bëhet prapa skenave për të promovuar drejtësinë, për të promovuar çështjet humanitare, për të kërkuar, ndonjëherë, situata ku ka të burgosur politikë dhe për të gjetur një mënyrë për t'i liruar ata. Situata urie, sëmundjesh etj. Pra, Selia e Shenjtë, duke ruajtur asnjanësinë dhe duke kërkuar mënyra për të mbajtur marrëdhënie diplomatike pozitive me shumë vende të ndryshme, në fakt po përpiqet ta zbatojë Ungjillin në situata konkrete në mënyrë që jeta e njerëzve të përmirësohet. Njerëzit pastaj le ta interpretojnë pjesën tjetër sipas dëshirës, por unë besoj se është e rëndësishme për ne të kërkojmë mënyrën më të mirë të mundshme për të ndihmuar popullin e çfarëdo vendi.
Verena Stefanie Shälter (ARD Rundfunk): Atë i Shenjtë, urime për udhëtimin tuaj të parë papnor në Jugun e botës. Pamë shumë entuziazëm dhe madje, do të thoja, eufori. Mendoj se ishte shumë prekëse edhe për ju. Do të doja të dija vlerësimin tuaj për vendimin e kardinalit Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munihut dhe Freising, që të jepet leje për të bekuar çiftet e të njëjtit seks në dioqezën e tij. Dhe në dritën e këndvështrimeve të ndryshme kulturore dhe teologjike, veçanërisht në Afrikë, si keni ndërmend ta ruani unitetin e Kishës universale në këtë çështje?
Para së gjithash, besoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet se uniteti ose ndarja e Kishës nuk duhet të vërtitet rreth çështjeve seksuale. Ne priremi të mendojmë se kur Kisha flet për moralin, e vetmja çështje morale është seksualiteti. Në realitet, besoj se ka çështje shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme, të tilla si drejtësia, barazia, liria e burrave dhe grave dhe liria fetare, të cilat duhet të kenë përparësi ndaj asaj çështje të veçantë. Selia e Shenjtë ka folur tashmë me ipeshkvijtë gjermanë. Selia e Shenjtë e ka bërë të qartë se ne nuk jemi dakord me bekimin e formalizuar të çifteve të të njëjtit seks, siç pyetët ju – ose të çifteve në situata të parregullta, përveç asaj që lejoi shprehimisht Papa Françesku, kur tha se të gjithë njerëzit ta marrin bekimin. Kur një meshtar jep bekimin në fund të Meshës, kur Papa jep bekimin në fund të një kremtimi të madh si ai që patëm sot, ka bekime për të gjithë njerëzit. Shprehja e famshme e Françeskut, "të gjithë, të gjithë, të gjithë", shpreh bindjen e Kishës se të gjithë janë të mirëpritur, të gjithë janë të ftuar, të gjithë janë të ftuar të ndjekin Jezusin dhe të gjithë janë të ftuar të kërkojnë konvertimin në jetën e tyre. Të shkosh përtej kësaj sot, besoj se mund të shkaktojë më shumë përçarje sesa unitet, dhe ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë unitetin tonë mbi Jezu Krishtin dhe mbi atë që na mëson Jezu Krishti. Kjo është përgjigjja ime për pyetjen.
Anneliese Taggart (News Max): Atë i Shenjtë, gjatë këtij udhëtimi ju folët se si njerëzit kanë etje dhe uri për drejtësi. Pikërisht këtë mëngjes u raportua se Irani ekzekutoi një tjetër anëtar të opozitës, dhe kjo ndodh kur regjimi ka varur publikisht shumë të tjerë dhe ka vrarë mijëra qytetarë të vet. A i dënoni këto veprime? A keni ndonjë mesazh për regjimin iranian?
Unë dënoj të gjitha veprimet e padrejta. Unë dënoj vrasjen e njerëzve. Unë dënoj dënimin me vdekje. Unë besoj se jeta njerëzore duhet të respektohet dhe se jeta e të gjithë njerëzve – që nga ngjizja deri në vdekjen e natyrshme – duhet të respektohet dhe të mbrohet. Pra, kur një regjim, kur një vend merr vendime që u marrin padrejtësisht jetën të tjerëve, kjo është diçka që duhet dënuar fare qartë./Radio Vatikani