Papa nënshkruan "Kushtetutën" e re të Shtet-Qytetit të Vatikanit
Papa nënshkruan "Kushtetutën" e re të Shtet-Qytetit të Vatikanit 31.07.2026 | 01:40
Sot, më 31 korrik, Leoni XIV miraton një Ligj të ri Themeltar, duke zëvendësuar Kushtetutën e vitit 2023, për t'iu përgjigjur nevojës "që të merren parasysh nevojat e reja të qeverisjes dhe disa ndryshime të rëndësishme normative, që kanë ndodhur vitet e fundit". Ai hyn në fuqi menjëherë dhe përfshin ndryshimin e vendosur nga Papa me Motu Proprio-n e nëntorit 2025, lidhur me presidencën e Komisionit Papnor të Shtet-Qytetit të Vatikanit, e cila nuk rezervohet më vetëm për kardinajtë.
 
Sot, më 31 korrik, në përkujtimin liturgjik të Shën Injacit të Lojolës, Papa Leoni XIV nënshkroi Ligjin e ri Themeltar të Shtet-Qytetit të Vatikanit. Siç shpjegohet në hyrje, ky ligj i përgjigjet nevojës "për të marrë parasysh nevojat e reja të qeverisjes dhe disa ndryshime të rëndësishme normative, që kanë ndodhur vitet e fundit". Ai hyn në fuqi menjëherë dhe zëvendëson ligjin e mëparshëm, i cili hyri në fuqi më 13 maj 2023.
 
Rregull i ri mbi presidencën e Komisionit Papnor
 
E miratuar nga Leoni XIV në fillim të kësaj papnie, Ligji konfirmon dhe integron këto ndryshime, të cilat kanë të bëjnë si me funksionet legjislative dhe ekzekutive, ashtu edhe me ato gjyqësore. Në veçanti, përsa i përket funksionit legjislativ, është përfshirë ndryshimi i vendosur nga Papa me Motu Proprio-n e 19 nëntorit 2025, lidhur me presidencën e Komisionit Papnor të Shtet-Qytetit të Vatikanit, i cili ushtron si funksione legjislative, ashtu edhe ekzekutive. Me atë rast, Papa pati shfuqizuar Nenin 8, Nr. 1, të Ligjit të mëparshëm Themeltar të Shtet-Qytetit të Vatikanit, i cili parashikonte që vetëm kardinajtë mund të ushtronin detyrën e presidentit të Komisionit. Kjo detyrë ushtrohet aktualisht nga një murgeshë, motra Raffaella Petrini, e cila është edhe presidente e Guvernatoratit. Neni 8 i Ligjit të ri Themeltar përcakton që Komisioni Papnor të përbëhet nga kardinaj "dhe nga anëtarë të tjerë", përfshirë presidentin.
 
Funksionet ekzekutive dhe gjyqësore
 
Lidhur me funksionin ekzekutiv, nga njëra anë, konfirmohet roli i Guvernatoratit, i cili, me strukturën e tij organizative, kontribuon në misionin e Shtetit të Vatikanit dhe është në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i përgjigjet drejtpërdrejt. Nga ana tjetër, specifikohen detyrat e presidentit dhe të sekretarit të përgjithshëm, si edhe marrëdhënit e punës ndërmjet tyre. Lidhur me funksionin gjyqësor, neni 22, paragrafi 1, konfirmon shprehimisht se statusi juridik i organeve gjyqësore përcaktohet nga Ligji për Gjyqësorin. Ky ligj, falë ndryshimeve të rëndësishme në vitet e fundit, garanton plotësisht mbarështimin e drejtësisë.
 
Një Ligj për t'i dhënë shtetit "fizionominë e tij kushtetuese"
 
Ashtu si paraardhësit e tij, Ligji i ri Themeltar është hartuar, siç specifikohet në hyrje, "për t'i dhënë Shtet-Qytetit të Vatikanit fizionominë e tij kushtetuese", pushtetin dhe ushtrimin e funksioneve që rrjedhin prej tij. Prandaj, ai mbetet themeli dhe pika e referimit për çdo normë tjetër të Shtetit, duke konfirmuar veçantinë dhe autonominë e sistemit ligjor të Vatikanit.
 
Roli i Guvernatorit
 
Në hyrje të Ligjit sqarohet edhe se riafirmohet "roli i Guvernatorit, i cili kontribuon në misionin e Shtetit dhe është në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i përgjigjet drejtpërdrejt". Ashtu si në të kaluarën, përfundon hyrja, "organeve drejtuese dhe atyre që, me pozita të ndryshme përgjegjësie dhe të frymëzuar nga një frymë e vërtetë kishtare, kryejnë gjithmonë shërbimin e tyre ndaj Shtetit, u jepet mundësi për të ushtruar gjithë pushtetin, që rrjedh[prej Ligjit Themeltar] mbi territorin e përcaktuar nga Traktati i Lateranit dhe mbi ndërtesat dhe zonat ku veprojnë institucionet e Shtetit të Vatikanit, ose të Selisë së Shenjtë dhe ku, sipas ligjit ndërkombëtar, janë në fuqi garancitë dhe imunitetet personale dhe funksionale"./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.